Grabitja në Tiranë, policia: Autorët janë persona të njohur të kambistit
TIRANE- Grabitësit e kambistit, Fari Fanxho, besohet se janë persona që kanë lidhje me njerëz të afërt dhe të njohur të tij. Ky është konkluzioni paraprak i policisë së kryeqytetit lidhur me ngjarjen e mëngjesit të djeshëm në bulevardin “Gjergj Fishta”, pas ish-ekspozitës “Shqipëria Sot”. Në këtë përfundim specialistët e hetimit kanë arritur pas marrjes së të dhënave të grumbulluara prej dëshmisë së kampistit, si dhe nga një analizimi paraprak i dinamikës së krimit. Sipas hetuesve, autorët e krimit kanë pasur informacion të detajuar mbi transportin e parave prej tij, mjetin, vendndodhjen e makinës dhe orën e daljes së tij për të shkuar drejt pikës së këmbimit valutor në pronësi të tij. Grabitja e programuar për t’u kryer në një pozicion që bllokonte kambistin dhe iu jepte autorëve lehtësi lëvizjeje, është cilësuar një veprim i zgjuar i autorëve. Kjo ka bërë që blutë të hedhin dyshime se autorët janë të njohur me territorin mirë, por edhe me dinamikën që kryente çdo ditë kambisti. Ky i fundit gjatë marrjes në pyetje prej hetuesve të policisë ka pohuar, se nuk mund të përcaktonte saktësisht dialektin e autorëve. Por sipas tij, në ato pak fjalë që ka dëgjuar, dialekti i autorëve mund të ishte i një kategorie njerëzish, që mund të kishin kohë që banonin në Tiranë. Gjithsesi, ky element ka qenë fare pak ndihmues për policinë në identifikimin e autorëve. Specialistët e hetimit, të policisë kanë administruar në vendin e ngjarjes, së paku dy gëzhoja pistolete, që mendohet se i përkasin kalibrit 7.62 mm, të një pistolete “TT”. Po kështu, edhe disa gjurmë gishtërinjsh, të administruara prej tyre janë dërguar për ekzaminim në laboratorët përkatës të Institutit të Policisë Shkencore. Ekzaminimet e tyre janë një shpresë për hetuesit e policisë në zbardhjen e grabitjes së dy ditëve më parë në kryeqytet. d.b