Kapet, trafikoi 44 klandestinë
VLORE - Sektori i krimit të organizuar në policinë e Tiranës, në bashkëpunim me Drejtorinë e policisë së Vlorës arrestuan dje një person të akuzuar për trafik të qenieve njerëzore. Operacioni i përbashkët policor për arrestimin e Dilaver Hajdinit u bë pasi Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë kishte firmosur ndaj tij masën e arrestit me burg, më 2 tetor 2008. Një ditë pas firmosjes nga ana e gjykatës, policia kreu arrestimin e Hajdinit, i cili njihet si një tregtar bizhuterish në qytetin e Vlorës. Zanafilla e hetimeve ndaj tij nisi kur autoritetet italiane kapën më 12.01.2000 një gomone në brigjet e tyre. Në gomone ishin plot 44 klandestinë shqiptarë, të cilët u kapën dhe riatdhesuan. Gjatë marrjes në pyetje, ata deponuan emrat e organizatorëve dhe trafikantëve të tyre, një prej të cilëve ishte edhe Dilaver Hajdini, me origjinë nga Kurbini. Sipas deklarimeve të klandestinëve, ata ishin nisur me gomone nga plazhi i Patokut në Kurbin. Pala italiane ia përcolli të dhënat asaj shqiptare. Pas hetimeve të kryera, prokuroria e akuzoi Hajdinin për veprën penale të trafikut të qenieve njerëzore në bashkëpunim. q.b