E Diel, 1 Nëntor 2026

Dyvjetori i tragjedisë, deputetët socialistë vendosin lule afër kraterit të Gërdecit



Eneida Jaçaj

Socialistët, së bashku me të afërm dhe familjarë, kanë përkujtuar dje viktimat e Gërdecit në dyvjetorin e kësaj tragjedie. Kryetari Partisë Socialiste, Edi Rama, deputetë të Tiranës dhe Durrësit, si dhe përfaqësues të tjerë socialistë kanë vizituar dje kraterin e Gërdecit. Përfaqësuesit e lartë socialistë kanë vendosur kurora me lule dhe kanë kryer homazhe afër kraterit në kujtim të 26 jetëve të humbura në këtë tragjedi, që nuk kurseu fëmijë e gra. Më pas deputetë të PS-së kanë qenë për ngushëllim në disa familje që kanë humbur të afërm të tyre në tragjedinë e Gërdecit. Gjatë gjithë kohës socialistët kanë siguruar familjet se nuk do të heqin dorë nga kërkesa e tyre për zbardhjen e plotë dhe vënien para përgjegjësisë të të gjithë personave që janë vërtet të implikuar në ngjarjen e dy viteve më parë.
Dokle
Deputeti Namik Dokle, gjatë fjalës së tij në emër të Partisë Socialiste, ka akuzuar qeverinë duke u shprehur se krateri i Gërdecit është krateri i dhimbjes për jetën e njerëzve, është krateri i akuzës për ata që ngritën fabrikën e vdekjes. “Është një akuzë për ata politikanë që e sajuan dhe vazhdojnë karrierën politike, pa iu hyrë gjemb në këmbë”, - tha Dokle, duke shtuar se “ai krater është krateri i dhimbjes edhe krateri i akuzës. Është krateri i dhimbjes, sepse aty u prenë ëndrrat e fëmijëve për një jetë më të mirë. Aty u prenë shpresat e nënave për jetën e fëmijëve të tyre. Aty u prenë projektet e baballarëve për jetën e familjeve të tyre. Kjo dhimbje nuk mund të harrohet as nga ne dhe as nga të gjithë shqiptarët. Ne, deputetët e Tiranës edhe të Durrësit, bashkë më kryetarin e Partisë dhe përfaqësues të tjerë socialistë, erdhëm këtu që të vëmë kurorat e përkujtimit në kraterin ku vdiqën 26 burra, gra, djem edhe vajza”. Ai theksoi se dy ditë më parë ishte Dita e Verës, festë për Shqipërinë dhe për gjithë njerëzit, dhe është tepër e dhimbshme që të gjithë pastaj të kujtojmë 26 të vrarë nga korrupsioni qeveritar, nga makutëria e qeveritarëve. “Për këtë arsye, ai krater, siç është krateri i dhimbjes për jetët e njerëzve, është dhe krateri i akuzës për ata që e ngritën fabrikën e vdekjes këtu, për ata që sajuan këtë masakër duke dashur të fitojnë mbi kurrizin e Shqipërisë dhe, mbi të gjitha, duke fituar edhe me jetët e njerëzve”, - u shpreh deputeti Dokle, duke nënvizuar se “është një akuzë për ata politikanë që e sajuan dhe vazhdojnë karrierën politike pa iu hyrë gjemb në këmbë, për arsye që qeveria dhe qeveritarët i sajojnë, i organizojnë dhe mashtrojnë shqiptarët dhe Shqipërinë. Ne u japim fjalën familjarëve që asnjëherë nuk do të ndalojmë së kërkuari të drejtën për këtë tragjedi të madhe që ka ndodhur këtu në Gërdec, që ishte një dhimbje e madhe për të gjithë shqiptarët”.
Gërdeci
Krateri i shpërthimit të Gërdecit 2 vjet pas tragjedisë është një zonë plot me gëzhoja predhash dhe materiale të mbetura të repartit të dikurshëm, në të cilin punonin edhe gra e fëmijë. Ushtarakët sot janë kudo dhe ruajnë të gjithë zonën e kraterit. Ndërtesat përreth kanë mbetur ende gërmadhë, pasi kjo është një zonë e pabanueshme. Dy vjet pas shpërthimit tragjik në Gërdec, familjaret e 26 të vrarëve vendosën lule në krater dhe përkujtuan të afërmit e tyre. Familjarët e viktimave kërkojnë që të vendoset drejtësia për të pafajshmit e tyre.

16 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›