Gërdeci, aty ku ëndrrat e fëmijëve vazhdojnë
Thimi Samarxhiu
Një shpërthim tronditës, një flakë e madhe që grisi kaltërsinë e qiellit..., pastaj një perde e hirtë mbuloi tërë vendin. Për orë të tëra rënkime pa fund. Ra qetësia. Vdekja kishte kapluar në Gërdec, në fshatin vetëm pak kilometra larg kryeqytetit. Në mesin e dhjetëra qytetarëve ishte dhe Marina Kruja. Sot, me kokën mbështetur në gjoksin e nënës së saj, Marina e vogël vazhdon të ëndërrojë. Ajo dëshiron që një ditë të bëhet një balerinë e famshme dhe të kërcejë në skenat më të njohura të botës. Ndonëse ende e vogël, ajo është përballur që tashmë me vështirësitë dhe të papriturat e jetës. Ajo nuk e ka më pranë babanë e saj, e cili dy vite më parë humbi jetën duke u përpjekur për të siguruar të ardhmen e familjes. Sot, dy vite më pas, Marina, me një lule në dorë, drejtohet drejt vendit ku më 15 mars 2008 ëndrrat e të atit të saj u ndërprenë. Me hapa të ngatërruar dhe me sytë e përlotur, Marina vendos lule në kraterin e shpërthimit ku i ati mbylli sytë.
Ora shënon 11:50, por nuk ka më shpërthim. Veç lotët e familjarëve të 26 viktimave thyejnë heshtjen e varrit të krijuar rreth fshatit që deri dy vite më parë nuk njihej nga askush.
Ndonëse shpërthimi nuk mund të harrohet lehtë, fëmijët e Gërdecit vazhdojnë të ëndërrojnë. Për ta tashmë jeta është ndryshe; çdokujt prej tyre i mungon një i afërm dhe, mbi të gjitha, atyre iu ndërpre fëmijëria, por ata vazhdojnë të ëndërrojnë. Askush nuk mund t’i prekë ato.
Afrohemi drejt Marinës së vogël që qëndron në krah të nënës së saj, e cila tashmë është kthyer në nënë dhe baba për të. “Unë dua të bëhem balerinë”, – na tregon Marina dhe fshihet pas kurrizit të së ëmës. Fytyra e ëmbël e Marinës për disa momente na shkëput nga realiteti ku ndodhemi. Aty ku dy vite më parë mali u bë hi dhe toka u nxi nga baruti, një vajzë e vogël sfidon gjithçka me ëndrrat e saj. Edhe pse ende e vogël, e di shumë mirë atë çfarë ndodhi, ku shumë ëndrra u prenë në mes, pa e arritur kurrë rrugën e realizimit. Marina e vogël simbolizon lulet e çelura sërish në Gërdec, barin e mbirë në tokën me barut dhe dëshirat e bashkëmoshatarëve të saj, të cilët nuk patën mundësi t’i çojnë deri në fund.
Lëmë pas Marinën e vogël dhe drejtohemi drejt kraterit. Policë, ushtarë dhe një zot e di se çfarë, na ndalojnë dhe nuk na lënë të ecim më tej. Një tabelë “Policia Ushtarake” tërheq vëmendjen e gjithkujt. Ai që deri dje ishte vendi ku qindra e qindra njerëz siguronin bukën e gojës, tashmë është shndërruar në një hiç.
Katër vajza, të cilët ende nuk i kanë mbushur të katërmbëdhjetat, qëndrojnë në një cep. Diç shfletojnë midis letrash dhe të shpërqendruara komunikojnë me njëra-tjetrën. Afrohemi pranë tyre duke u munduar që të mos i shpërqendrojmë nga biseda. Katër vajzat, lindur dhe rritur në Gërdec, kanë humbur të afërmit e tyre gjatë shpërthimit. Dhimbja dhe tmerri që kanë përjetuar i ka shndërruar vajzat në shkrimtare. Edhe pse ende të vogla, vargjet e tyre të bëjnë t’i mbushësh sytë me lot. Askush tjetër përveç tyre nuk mund ta përshkruajë momentin e shpërthimit. “Vetëm 5 minuta përpara shpërthimit unë isha në fabrikë. Atje më vdiq halla”, – na thotë njëra nga vajzat.
Marrim në duar vjershat e tyre. Kudo veç dhimbje. Në çdo rresht të shkruar gjendet nga një njollë loti lëshuar nga vajzat. Teksa hedhim një vështrim mbi poezitë e shkruara në copëza letrash, arrijmë të veçojmë një strofë nga poezia e shkruar nga Shpresa Alla, e cila ka humbur vëllanë nga shpërthimi: “Vëllai im nuk është më i gjallë/ Në zemër do e mbajmë/ Nënës zemrën ia copëtoi/ Një familje shkatërroi/ Një lumturi mbaroi/ Një shpresë mbijetoi dhe kurrë nuk mbaroi”.
“Një shpresë mbijetoi dhe kurrë nuk mbaroi”, thotë në poezinë e saj Shpresa e vogël. Një mesazh shumë i fuqishëm ky që jepet nga një vajzë e vogël, e cila tashmë ëndërron të bëhet poete. Për të shpresa nuk vdes kurrë dhe siç shprehet ajo, me anë të poezisë ajo do t’u përçojë njerëzve atë çfarë ka ndodhur në Gërdec dhe të kërkojë prej tyre vëmendje.
Poezia është shndërruar në mjetin më të fuqishëm të këtyre vajzave 13-14-vjeçare, të cilat e gjejnë këtë mënyrë si të vetmen për të nxjerrë në pah atë çfarë i mundon prej dy vitesh; atë çfarë ia ka bërë jetën e tyre të ndryshme nga bashkëmoshatarët e tjerë kudo në Shqipëri.
”Kërkoj nga xhaxhi Berisha që të vihet në vendin tim dhe të nënës time. Si do të ndihej ai nëse çdo ditë do të shihte duart e djegura të vajzës së tij, ashtu siç i sheh nëna ime?!” – flet me sytë e përlotur njëra nga vajzat.
Kthejmë dhe njëherë sytë nga Marina e vogël, e cila sërish qëndron e kapur pas fundit të nënës së saj. Sytë e saj të vegjël tregojnë atë çfarë nuk mund të thuhet më fjalë; atë çfarë jeta i ka rezervuar vajzës së vogël. Në sytë e saj sheh njëkohësisht dhimbje dhe dëshirë për të ecur përpara, duke lënë pas krahëve atë çfarë ndodhi, por duke mos e harruar kurrë.
Largohemi nga Gërdeci me imazhin e Marinës, e cila ëndërron të bëhet një balerinë; me imazhin e Danielës, Dhuratës, Shpresës dhe Xhulianës, të cilat tashëm i kanë gjetur dhe kanë nisur t’i prekin ëndrrat e tyre.
Aty ku dy vite më parë zogjtë heshtën, lulet u vyshkën dhe toka u nxi, fëmijët ecin të sigurt drejt ëndrrave të tyre, me forcën dhe me dëshirën për t’i realizuar ato. Por dy ëndrra u ndërprenë... Flavoi Deliu dhe Erison Durdaj sot duhet të ishin bashkë më shokët e tyre, të luanin, të ëndërronin dhe të ngjiteshin në pemët që tashmë kanë çelur lule në Gërdec.
16 Mars 2010