E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga 16 personave shqiptarë dhe italianë të akuzuar për trafik droge



ITALI – Superaksioni i Policisë italiane çoi në arrestimin e 16 persona, ku mes tyre shumica shqiptarë. 16 të arrestuarit janë të akuzuar për posedim e trafik heroine, kokainë, marijuanë dhe disa grabitje e vjedhje me armë. Operacioni është koduar me emrin “Knock Out” dhe ka filluar që në nëntor 2009 duke vazhduar deri mëngjesin e djeshëm kur policia ekzekutoi urdhër-arrestet për 16 personat e dyshuar, të cilët po mbahen në paraburgim. Arrestimet u shtrinë në Foxhia, Milano dhe Kozenca, ndërsa emrat e të ndaluarve nuk janë bërë publikë. Grupi kriminal furnizohej me drogë nga jashtë Italisë, ndërsa merrej më pas me shpërndarjen e saj brenda vendit në disa qytete. “Gjashtëmbëdhjetë masa parandaluese u morën kundër shumë njerëzve me kombësi italiane dhe shqiptare, të akuzuar në pozita të ndryshme, për posedim të drogës, kokainës dhe marijuanës për qëllim trafikimin dhe kontrabandimin e saj”, - bën të ditur Policia italiane. Sipas saj, grup kriminal është akuzuar edhe për grabitje dhe mbajtje të armëve të paligjshme të zjarrit. Policia ka sekuestruar edhe një automjet të përdorur për trafikimin e drogës.

11 shtëpi shkatërrohen nga rrëshqitjet e dheut

GRAMSH – Edhe pse moti po përmirësohet dita-ditës, duket se rrëshqitjet e dheut vazhdojnë me po të njëjtin intensitet. Rrëshqitja masive e tokës ka marrë përpara 11 shtëpi në fshatin Gribë të Gramshit, ndërsa 20 hektarë tokë bujqësore e të njëjtit fshat janë shkatërruar nga erozioni. Rrëshqitja më masive ndodhi rreth 7 ditë më parë ku banorët e prekur prej ditësh po qëndrojnë në qiell të hapur. Më të moshuarit thonë se nuk kanë parë një gjë të tillë kurrë më parë. Rrëshqitjet kanë dëmtuar dhe aksin duke vështirësuar dhe qarkullimin për në shkollat e fshatrave të komunës. Nga ana tjetër bëhet e ditur se Shtabi i Emergjencave, u ka thënë se do t’u jepen çadra por ata shprehen se rrëshqitja e tokës në formë brezash e bën të pamundur edhe këtë lloj zgjidhjeje për strehimin pasi nuk ka vend të përshtatshëm për të vendosur çadrat.

16 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›