E Diel, 1 Nëntor 2026

Gërdec, Dëshmia e ushtarakut: “Kur nisën piketimet e fabrikës, Delijorgji nuk më njohu me kontratën”



Laureta Rryçi

Ish–komandanti i batalionit që kishte në varësi repartin ushtarak të Gërdecit, deklaroi dje në procesin gjyqësor se eprorët e tij e urdhëruan t’i lejonte punëtorët për piketimet, edhe pse pa pasur një kontratë. Asim Selmani, i thirrur si dëshmitari i akuzës, tregoi në gjyq nga momenti kur kishte marrë sinjalin nga vartësi i tij se në repart kishin ardhur për të kryer punime e deri te urdhri me shkrim që nuk mori përgjigje zyrtare asnjëherë. Selmani tregoi se ai në atë kohë ishte me detyrë shef batalioni në repartin e raketave në Maminas. Repartit që ai drejtonte i është lënë si detyrë edhe ruajtja e disa objekteve ushtarake të njohura pas viteve ’97. Sipas ushtarakut, kryesisht këto objekte kishin qenë rreth 70 për qind jashtë standardit, megjithatë, kishte roje me armë që mbante përgjegjësi për këto ambiente. Një nga këto objekte ka qenë edhe reparti në Gërdec.
Dëshmia
Sipas deklarimeve të djeshme, Selmani tregoi se një ditë roja që bënte shërbimin e kishte njoftuar se në ambientet e repartit ushtarak të Gërdecit kishin hyrë dy persona. Sipas informacionit të rojës, këta dy persona kishin nisur të bënin piketimet. Menjëherë pas këtij informacioni, Selmani ka shkuar vetë për të parë situatën. Dy punëtorët i kanë thënë se u kanë dhënë urdhër për të bërë piketimet se do të ndërtohej një objekt. Selmani, për shkak të detyrës që ka pasur, ka urdhëruar menjëherë pezullimin e punimeve. Pas kësaj ka njoftuar me anë të telefonit eprorin e tij, Mehmet Merko. Sipas dëshmisë së Selmanit, shefi i ka thënë fillimisht se do ta merrte në lidhje me këtë çështje pas gjysmë ore. Selmani e ka telefonuar sërish Merkon dhe ky i fundit i ka thënë që të lejohen punimet deri të hënën, kur do të vinte një urdhër me shkrim në lidhje me këtë çështje. Selmani është kthyer sërish të dielën në repart dhe ka parë që bashkë me punëtorët ishte edhe Mihal Delijorgji. “Mu prezantua si presidenti i një firme private dhe se kishte marrë autorizimin nga Ministria e Mbrojtjes për të shfrytëzuar një sipërfaqe prej 200 metrash katrorë. Kontakti im me Delijorgjin ka qenë verbal dhe personi në fjalë nuk më ka ofruar asnjë lloj dokumenti që e lejonte të kryente punimet në atë ambient”, - tregoi Selmani. Më tej ai shpjegoi se urdhri edhe pas dy javësh sërish nuk erdhi, derisa ai u largua nga puna nga mesi i muajit maj të vitit 2007.
Kundërshtitë
Dëshmia e ushtarakut nuk ka kaluar pa debate mes palëve. Por ata që këmbëngulën më fort ishin përfaqësuesit e akuzës, të cilët kërkuan pjesërisht kundërshtimin e thënieve të dëshmitarit. Gjykata e pranoi këtë kërkesë dhe prokurori lexoi në sallë deklarimet e dhëna nga dëshmitari Asim Selmani gjatë fazës së hetimeve para oficerit gjyqësor. Në ato deklarime, Selmani kishte dhënë dhe emrin e gjeneralit Kastriot Jaupi. “Eprori im, Mehmet Merko, më tha që të prisja derisa ai të fliste për këtë problem me gjeneralin Kastriot Jaupi. Pavarësish se prita, nuk më morën në telefon dhe unë i telefonova sërish”, - kishte thënë në deklarimet e para dëshmitari, duke përfshirë në dijeni edhe një nga gjeneralët që u shkarkuan disa muaj pas tragjedisë me dekret të Presidentit. Në deklarimin e parë Selmani tregonte edhe për një bisedë telefonike me Delijorgjin, fakt që nuk u përmend dje në sallën e gjyqit. Në atë bisedë ai kishte mësuar se Delijorgji kishte marrë miratimin e ministrit të Mbrojtjes, që në atë kohë ishte Fatmir Mediu.

box
Dëshmitari: “Rrahman Selmanllarin e kam krushqi. Në punë më mori Ylli Pinari”
Në seancën e djeshme, ish-magazinieri i MEICO-s, Serjan Maçi, deklaroi se faturat hyrëse dhe dalëse të armatimeve që i dorëzonte në punishten e Gërdecit i firmoste me nënshkrimin e firmës amerikane “SAC” dhe jo “Albademil”, pavarësisht se në dorëzim i merrte magazinieri i kësaj firme. Dorëzimi i armatimeve bëhej në një mënyrë tejet amatore. Në fakt, në Gërdec, sipas magazinierit, nuk kishte një magazinë të mirëfilltë. “Automjetet ushtarake shkarkonin në një fushë të hapur municionet dhe më pas, unë si magazinier i MEICO-s, i numëroja ato dhe ia dorëzoja më pas dy përfaqësuesve të firmës, që ishin Kastriot Kreci dhe Endri Dvorani”, - dëshmoi Maçi. Serian Maci, gjatë pyetjeve të avokatëve, tha se dy amerikanë kishte parë shpesh në fabrikë, ndërsa Rrahman Selmanllarin, me të cilin kishte edhe një lidhje krushqie (kunatin e të vëllait), nuk e kishte parë asnjëherë në Gërdec. Maçi tregoi se kishte mësuar rastësish që po ndërtohej një fabrikë dhe kishte kërkuar punësim. Aty kishte takuar Ylli Pinarin dhe ky i fundit i kishte sugjeruar që të bënte një shkresë me shkrim që kërkonte punë.

Shpëtim Spahiu për herë të parë dje në sallën e gjyqit

Një nga ish-ushtarakët që mbante një gradë të lartë, Shpëtim Spahiu, u paraqit dje për herë të parë në sallën e gjyqit. Ai është një nga 29 të pandehurit në procesin e Gërdecit. Spahiu vetëm sa u pyet për gjeneralitetet nga trupi gjykues dhe u shpreh se procesi mund të vazhdonte edhe kur ai nuk do të ishte prezent. Spahiu u shfaq në proces në një moment kur po afrojnë dëshmitë e ushtarakëve, ku pritet të sqarohet edhe pozicioni i Forcave të Armatosura me tragjedinë e Gërdecit.

16 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›