E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dyzet ditë pa trajner

/* */

Dash FRASHËRI -  Kombëtarja shqiptare e futbollit, qysh nga data 20 tetor e deri më sot, mbush plot dyzet ditë (numër ters) pa një trajner zyrtar në bankinë, edhe pse ish-tekniku Josip Kuzhe do të paguhet deri më 31 dhjetor 2011, kur edhe përfundon pjesa financiare e marrëveshjes së tij me Federatën Shqiptare të Futbollit.

Pas dështimeve me kandidatin potencial, ish-lojtarin e Kombëtares, kosovarin Besnik Hasi (refuzoi në momentin e fundit, kur presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, i propozoi kontratë katërvjeçare dhe 400 mijë euro, plus bonuse të veçanta për ndeshje në rast fitoreje), si dhe më pas me gjermanin Lorenc Gynter Kësten (i pakënaqur nga oferta financiare e FSHF-së), presidenti Armando Duka ende nuk është gati t’i ofrojë përfaqësueses trajnerin e shumëpritur.

Në selinë e topkëmbës shqiptare, pyetjes se kur do të vijë dita për të pasur trajnerin e ri, të thonë me një ngritje supesh: Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit është duke punuar çdo ditë për të arritur një marrëveshje me trajnerin e ri, pasi është bosi i FSHF-së, Duka, ai që dhe ka të drejtën ekskluzive për t’i propozuar Komitetit Ekzekutiv emrin e teknikut të ri.

Ajo që tashmë dihet,  (pas refuzimit të hidhur të Hasit), është fakti se tekniku i ri do të jetë sërish i huaj, ashtu si pesë të parët, qysh kur Armando Duka fitoi votëbesimin si kreu i futbollit shqiptar në vitin 2002. Në fakt, emrat e mbërritur (në mënyrë të vazhdueshme) në zyrën e tij të punës janë të shumtë, dhe këtë e ka pranuar më se një herë vetë biznesmeni i suksesshëm në një numër të madh biznesesh, por kandidatët e vetofruar nuk e kanë bindur plotësisht si presidentin e FSHF-së.

Emrat e përmendur nga media, referuar edhe ndonjë burimi nga selia e topkëmbës, si Ervin Koemani (holandez), Leo Benhakeri (holandez), Ad De Mos (holandez), Ljupko Petroviç (serb), Lotar Mateus (gjerman), Augusto Xhentilini (italian), Matjazh Kek (slloven), Dario Boneti (italian), Enriko Fabro (italian), Oto Rehagel (gjerman), Zhak Santini (francez), Mario Bereta (italian), Xhani De Biazi (italian), Shtefan Demol (belg), Ioan Andone (rumun), e deri te i fundit, i fortpërmendur si kandidat, Sreçko Kataneci (slloven), thuajse tani i përkasin “lojës mediatike”, pasi asnjë prej tyre nuk është përmendur qoftë edhe në një rast të vetëm nga Presidenti Duka, ose ai nuk ka dashur të bindë të tjerët, se kan kandidati është midis tyre.

Me shumë trajnerë të njohur të papunë në Europë, por edhe me kërkesa më të larta financiare sesa ofron Federata Shqiptare, është shumë e vështirë të vijë në vendin tonë një teknik sa me personalitet të lartë, aq dhe me aftësinë për t’u përshtatur shpejt me ambientin shqiptar, pasi dhe ofertat financiare (18 mijë euro në muaj) konsiderohet e ulët, e për më tepër kushti për të jetuar “full time” në Tiranë, nuk parapëlqehet nga ata.

E nisur nga fakti, se kanë kaluar dyzet ditë, mund të presim edhe dyzet të tjera, pasi dhe miqësoret fillojnë vitin e ardhshëm, në muajin shkurt 2011, ndërkohë që zyrtarisht eliminatoret e Kampionatit Botëror “Brazil 2014” nisin, më 7 shtator 2012 kundër Qipros, pikërisht ndaj së cilës trajneri i fundit i Kombëtares, Josip Kuzhe, regjistroi edhe fitoren më të thellë historike të Kombëtares sonë, atë 6-1 me të vërtetë të frikshëm. Shqipëria ndodhet në një grup me kundërshtarë të pranueshëm si Norvegjia, Sllovenia, Zvicra, Qipro dhe Islanda. Për Kombëtaren tonë kjo do të jetë hera e 11-të që merr pjesë në eliminatoret e një Botërori.Josip Kuzhe, i fundit i kuqezinjve

Kroati Josip Kuzhe, 59 vjeç, është trajneri i fundit që ka drejtuar Shqipërinë. E mori detyrën në 20 maj të vitit 2009 dhe e la atë, më 20 tetor 2011, kur dhe prishi konsensualisht kontratën. Zyrtarisht, ai paguhet deri më 31 dhjetor 2011. Zhvilloi 24 ndeshje me Kombëtaren: 9 fitore, 7 barazime dhe 8 humbje. Kuzhe është trajneri i nëntë i huaj që ka drejtuar Shqipërinë, përfshirë edhe serbin Ljubisha Broçiç, rusiët Boris Apuhtin dhe Nikolai Ljukshnikov, hungarezin Miklosh Vadash, italianin Xhuzepe Dosena, gjermanin Hans-Peter Brigel, kroatin Josip Bariç dhe holandezin Ari Han.

20 tetor 2011
FSHF-ja prishi në mënyrë konsensuale kontratën me Josip Kuzhenë, duke mos i ofruar rinovim kroatit.

1 dhjetor 2011
Edhe pse kanë kaluar dyzet ditë dhe në listë kanë qenë mbi 50 kandidatë, ende jemi pa trajner.

LISTA E KANDIDTATËVE
Besnik Hasi            Shqipëri
Ervin Koeman            Holandë
Havier Klemente            Spanjë
Sven Goran Erikson        Suedi
Lorenc Gynter Kestner        Gjermani
Ljupko Petroviç            Serbi
Oto Rehagel            Gjermani
Klaus Topmëler            Gjermani
Leo Benhaker            Holandë
Matjazh Kek            Slloveni
Sreçko Katanec            Slloveni
Zhak Santini            Francë
Enriko Fabri            Itali
Mario Bereta            Itali
Xhani De Biazi            Itali
Manolo Himenez            Spanjë
Ioan Andone            Rumani
Shtefan Demol             Belgjikë
Augusto Xhentilini        Itali
Dario Boneti             Itali

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›