E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Si e shmangëm krizën ekonomike

Ballkani Kryeministri dhe zv.kryeministri marrin pjesë në Samitin e Dubrovnikut

Kryeministri Berisha dhe zëvendëskryeministri Ilir Meta morën pjesë dje në Samitin e Dubrovnikut, ku mes krerëve të Europës Juglindore po diskutohet në lidhje me sfidat globale. Me këtë rast, kreu i qeverisë “Berisha” foli në lidhje me reformat ekonomike që janë ndërmarrë në Shqipëri, impakti që pati kriza në ekonomitë globale dhe, nga ana tjetër, ecja e ekonomisë së Shqipërisë drejt ekonomive më të zhvilluara të botës. Kryeministri Berisha u përqendrua në fjalën e tij edhe te zhvillimet ekonomike në vend, arritjet dhe përballimi i pasojave të krizës botërore. Ndërsa nga ana e tij, ministri i Jashtëm, Ilir Meta, mori pjesë dje në Takimin e Komisionit të Partneritetit të Kartës së Adriatikut në Dubrovnik. Në fjalën e tij gjatë takimit, zëvendëskryeministri Meta shprehu angazhimin për të ndihmuar Malin e Zi dhe Bosnjë-Hercegovinën në përgatitjen e programeve vjetore kombëtare të këtyre vendeve në kuadër të planit të veprimit për anëtarësim, si dhe shprehu mbështetjen e Shqipërisë për aspiratat e Malit të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinës drejt anëtarësimit në NATO. Meta shprehu kënaqësinë për pjesëmarrjen e ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Skënder Hyseni. Ai theksoi gjithashtu angazhimin e Shqipërisë për të shqyrtuar kontributin e saj në të ardhmen në ekipe të përbashkëta të vendeve të kartës në operacionin ISAF të drejtuar nga NATO në Afganistan. Në Samitin e Dubrovnikut marrin pjesë kryeministrat e Kroacisë Jodranka Kosor, Italisë Silvio Berluskoni, Francës Francois Fillon, i Polonisë Danald Tusk, i Sllovenisë Borut Pahor, i Bullgarisë Boyko Borisov, i Malit të Zi Milo Gjukanovic, i Bosnjë-Hercegovinës Nikola Spiric, i Kosovës Hashim Thaçi, si dhe përfaqësues të lartë të Bashkimit Europian dhe Parlamentit Europian.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›