Qëlluan mbi policinë, gjykata 9 vjet burg vëllezërve Suti
Vetëm 9 vjet burg ka dhënë dje Gjykata e Krimeve të Rënda për vëllezërit Suti, që hapën zjarr ndaj policisë në ngjarjen e janarit të vitit 2010. Vendimi i gjykatës ka shpallur fajtor dhe ka dënuar me 5 vjet burgim të pandehurin Artur Suti, ndërsa të vëllain e tij, Gentianin, e ka dënuar me 1 vit më pak. Trupi gjykues, i kryesuar nga Klodian Kurushi, ka hedhur poshtë akuzat e ngritura nga organi i akuzës për vëllezërit Suti, duke i dënuar ata për veprat penale të “kanosjes”, “mosbindje ndaj urdhrit të policisë”, si dhe “armëmbajtje pa leje”. Një seancë më parë, prokurori i çështjes, Eugen Beçi, gjatë leximit të deklarimeve të tij përfundimtare kërkoi shpalljen fajtor dhe dënimin me 21 vjet burgim për të pandehurin Artur Suti, ndërsa për të vëllain e tij, Gentianin, 20 vjet burgim. Prokuroria i kërkoi gjykatës shpalljen fajtor për veprat penale të “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese” të mbetur në tentativë, “mbajtjes pa leje të armëve luftarake”, “fyerjes për shkak të detyrës” dhe “mosbindje të urdhrit të policisë” në bashkëpunim. Burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda thanë për gazetën “Shqip” se do ta apelojë vendimin e dhënë nga gjykata. Ngjarja për të cilën akuzohen dy vëllezërit Suti ka ndodhur më 21 janar të këtij viti, kur Policia e Laçit shoqëroi në ambientet e saj të pandehurin Artur Suti, pasi pasditen e asaj dite po qarkullonte me shpejtësi në qendër të qytetit me motor, duke kryer figura të rrezikshme. Manovrimet shqetësuan banorët, që lajmëruan policinë për situatën.
Pas njoftimit, një grup i gatshëm i policisë shkoi në vendin e lajmëruar, duke shoqëruar Artur Sutin. Në orën 23.00, policia e liroi atë dhe në dalje të komisariatit e priste i vëllai Gentian Suti. Të dy së bashku, njëri me motoçikletën e markës “Yamaha” dhe tjetri me një veturë “Mercedez-Benz” 250, pa targa, nisën të bënin zhurmë me xhirimin e gomave në qendër të qytetit. Në dosjen hetimore, si dhe gjatë shqyrtimit gjyqësor u provua se, në orën 00.30 minuta, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Pazarit”, në shëtitoren e qytetit, dy vëllezërit Suti nuk iu bindën urdhrit të patrullës së policisë për të ndaluar.
Duke zbritur nga motori, Arturi me pistoletë në dorë qëlloi ndaj furgonit të policisë, ku ndodheshin katër efektivët. Më pas ai nisi të ofendojë policët që u shpëtuan plumbave të dy vëllezërve. Ata mundën të ikin, por mëngjesin e 22 janarit u arrestua Gentian Suti. Pak muaj më pas u arrestua nga RENEA vëllai tjetër, Artur Suti.
#