E ardhmja e Bariçit, ne dore te Sreçko Katanecit

Baric po. Baric jo. Baric ndoshta. E ardhmja e teknikut më të vjetër në botë në drejtimin e dytë të Shqipërisë i përngjet një pyetësori tipik sondazhi publik. Nëse mesazhi i parë zyrtar që vjen nga Federata Shqiptare e Futbollit ka një "Po" për fillimin e bisedimeve, prapa saj fshihet edhe një mister. Nëntë anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të pranishëm në mbledhjen treorëshe të tij (mungonin Kreshnik Cipi dhe Tahir Kastrati) dhanë parimisht "OK"-in e tyre për t'ia dorëzuar "celësat" e bankinës kuqezi dhe për dy vitet e ardhshme trajnerit aktual, kroatit të suksesshëm, Oto Baric, por si alternativë potente mbetet edhe kandidatura e sllovenit Srecko Katanec, madje shumë përcaktuese. E ardhmja e Baricit në krye të Kombëtares shqiptare varet nga përgjigjja që do të japë Srecko Katanec: me të dhëna të ngjashme përsa i përket sukseseve ndërkombëtare me ato të Baricit (ka drejtuar Slloveninë në Euro 2000), por gati 30 vjet më i ri dhe që mund të pranojë një pagë shumë të vogël me atë që mori Baric në kontratën e parë të tij. Vetëm nëse Katanec nuk pranon kushtet që do t'i ofrohen nga pala shqiptare, atëherë Baric rikthehet pretendenti kryesor për të drejtuar edhe edicionin e ardhshëm kuqezi, edhe pse sërish do të vendosim një rekord të denjë për "Guiness", pasi "plakushi" do të mbushë në përfundim të fushatës kualifikuese të Botërorit 2010 plot 77 vjec.
BISEDIMET – Në fakt, anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së vetëm sa kanë rënë dakord për të filluar bisedimet e përshpejtuara me teknikun aktual, duke parë se dhe kontrata e tij aktuale është në përfundim e sipër. Ajo skadon në mbrëmjen e 21 nëntorit kur përfundon edhe ndeshja e fundit e Shqipërisë me Rumaninë në kuadër të fushatës kualifikuese Euro 2008. Trajneri i Kombëtares shqiptare, Oto Baric, do të vijë të hënën në Tiranë për të diskutuar me drejtuesit më të lartë të Federatës Shqiptare të Futbollit për kushtet e kontratës së re dhe ka shumë të ngjarë që kroati të pranojë të firmosë për një periudhë tjetër dyvjecare me kuqezinjtë, për të përgatitur Shqipërinë në fushatën kualifikuese të Kampionatit Botëror "Afrika e Jugut, 2010".
FINANCAT – Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, është "tifozi" numër 1 i trajnerëve të huaj. Gjatë pesë viteve në krye të qeverisë së futbollit shqiptar, ai ka punuar me katër trajnerë të ekipeve kombëtare (e nisi me Sulejman Demollarin) dhe tre prej tyre kanë qenë të huaj: italiani Xhuzepe Dosena, gjermani Hans Peter Brigel dhe së fundi kroati Oto Baric. Pagesat ndaj tyre kanë qenë gjithmonë në rritje: Dosena nënshkroi për 120 mijë dollarë, Brigeli pranoi për 70 mijë dollarë kontratën e parë (për rreth 8 muaj), për 150 mijë dollarë të dytën, ndërkohë që refuzoi 250 mijë dollarë në kontratën e tretë të propozuar nga FSHF-ja.
Në kërkim të një trajneri të ri, Duka, pasi refuzoi një listë të gjatë trajnerësh me kërkesa ta larta financiare (nga 450-600 mijë euro), ia besoi për 300 mijë euro bankinën kuqezi ish-trajnerit të Austrisë dhe Kroacisë, Oto Baricit.
SKENARI - Pikërisht rreth kësaj shume do të vërtitet edhe kontrata e dytë me FSHF-në e Baricit. Bisedime që do të nisin ditën e hënë, nën drejtimin e "trojkës" më të lartë drejtuese të FSHF-së: presidentit Duka dhe zëvendëspresidentëve Lutfi Nuri dhe Bujar Kasmi. Duka do të bisedojë edhe kokë më kokë me Baricin. Baric e ka deklaruar mëse një herë se nuk do të pranojë reduktim page, kështu një ofertë e ulët financiare e argumentuar me pamundësinë e FSHF-së për ta paguar – buxheti i saj është reduktuar shumë - do të thoshte edhe një refuzim i drejtpërdrejtë, edhe pse tekniku ka thënë se është shumë i pasur dhe se ka problem anën financiare. Nëse Brigelit, pas akordit fillestar iu përpilua një kontratë me klauzola të papërballueshme pikësh, Baricit po i përgatitet një kontratë me vlerë të ulët financiare.
Ndeshjet e Baricit
Zyrtare
Baric në 10 ndeshje zyrtare me Shqipërinë në kualifikueset e Euro 2008 ka arritur 2 fitore (të dyja me Luksemburgun), 5 barazime dhe 3 humbje, duke qenë në vendin e katërt në Grupin G.
Miqësore
Deri tani nën drejtimin e Oto Baricit, Shqipëria ka zhvilluar tri ndeshje miqësore zyrtare (me San Marinon, 3-0; me Maqedoninë, 0-1; me Maltën, 3-0) dhe një jozyrtare me Anglinë B (1-3)
Ultimatumi i plakut grindavec
Baric për moshën që ka flet me tone të qeta gjatë intervistave dhe konferencave për shtyp. Por, boll ta shohësh atë gjatë një ndeshjeje se si grindet, atëherë kupton karakterin e tij të dytë. 75 vjec, kroati nuk i ngjan një "plaku të urtë", por një rioshi shpuzë, që merr zjarr edhe për një padrejtësi të vogël nga gjyqtarët. Pikërisht një taktikë të tillë përdori edhe ndaj federatës. Pasi foli nëpër mediat kroate e austriake për kontratën e tij të mundshme me Dinamon e Zagrebit dhe përmendi për shtypin shqiptar edhe një ofertë faraonike nga një ekip i madh (pa emër), Baric lëshoi ultimatumin. "Kontratën e re dua ta firmos përpara ndeshjes me Bjellorusinë (17 nëntor) ose nënshkrova për Dinamon". Një deklaratë e fortë, që bëri jo pak efekt në ambientet zyrtare të FSHF-së, duke pasur parasysh edhe faktin se presidenti Duka kishte pohuar se do të bisedonte me të para ndeshjeve me Bjellorusinë e Rumaninë dhe kishte shtuar se dëshironte ta mbante në krye të kombëtares, me gjithë moshën e shtyrë.
Refuzimi i Brigelit
Trajneri gjerman Hans Peter Brigel, i cili drejtoi Kombëtaren shqiptare nga dhjetori i vitit 2002 deri në qershor të vitit 2006, refuzoi të firmoste kontratën e propozuar nga FSHF-ja, e treta e tij me institucionin më të lartë të futbollit në Shqipëri. Brigeli parafirmosi kontratën me kushtet financiare (250 mijë euro për dy vjet), por e refuzoi atë pasi Komiteti Ekzekutiv i vuri kushte për të arritur objektiva të konsideruara të paarritshme nga gjermani, i cili, pasi u konsultua edhe me avokatin e tij, ktheu përgjigje negative. Hans Peter Brigel ka vendosur shtatë rekorde me Kombëtaren shqiptare, midis tyre: 13 pikë të grumbulluara e 32 ndeshje të drejtuara në vazhdimësi (18 zyrtare, 14 miqësore). Sa për lajm të fundit, Brigel, i cili pasi drejtoi Shqipërinë mori drejtimin e Bahrenin, u shkarkua pa përfunduar kontratën për rezultate të dobëta. I njëjti fat e priti gjermanin edhe në Turqi, kur dje e shkarkuan edhe nga drejtimi i ekipit turk, Ankaragucu.
Presidenti Duka për trajnerët e huaj...
... për Dosenën
Dosena, i pari trajner i huaj pas viteve 2000, ishte një trajner i mirë. Kishte një disiplinë thuajse diktatoriale, të hekurt, ndërsa kërkonte një mbyllje totale të skuadrës për të mos pasur kontakte me jashtë.
... për Brigelin
Superkorrekt si njeri. Trajner i mirë, me aq eksperiencë sa kishte në atë kohë. Super i ndershëm si njeri dhe bënte maksimalen për skuadrën. Krijoi një frymë grupi për t'u pasur zili.
... për Baricin
Di ta shfrytëzojë në maksimum eksperiencën e madhe që zotëron në drejtim të ndeshjes dhe ka ditur të fusë konkurrencën në skuadër. Taktikisht është shumë lart dhe kjo evidentohet si e drejton skuadrën.