E Shtunë, 31 Tetor 2026

E ardhmja e lirisë, demokracia e antidemokracia në kohën sot



Ne jetojmë në një epokë demokratike. Gjatë shekullit të kaluar bota u modelua nga një prirje e cila mbizotëroi mbi gjithë të tjerat – nga zhvillimi i demokracisë. Në 1900-ën as edhe në një vend të vetëm nuk ekzistonte ajo çka sot ne e quajmë demokraci: një qeveri të dalë nga zgjedhjet, në të cilat çdo qytetar i rritur mund të votojë. Sot të tillë janë 119 shtete, që përbëjnë 62 % të të gjithë vendeve të botës. Ajo që dikur ishte një praktikë e veçuar e një grushti shtetesh në Atlantikun e Veriut, tashmë është një formë standarte e qeverisjes së njerëzimit. Monarkitë janë vjetëruar, fashizmi dhe komunizmi tërësisht të diskredituar. Madje edhe teokracia islamike s’tërheq veçse pak fanatikë. Për një pjesë të madhe të botës, demokracia është burimi i vetëm mbijetues i legjitimitetit politik. Dhe diktatorë të tillë si Hysen Mubaraku i Egjyptit apo si Robert Mugabeja i Zimbabves bëjnë çmos e bëjnë shpenzime të mëdha për të organizuar zgjedhje në nivel kombëtar – të cilat, pa dyshim, ata i fitojnë pa nsonjë problem. Kur dhe vetë armiqtë e demokracisë përdorin retorikën e demokracisë dhe ia imitojnë ritualet, kjo do të thotë se ajo e ka fituar betejën. Ne jetojmë në një kohë demokratike edhe në një kuptim më të gjerë. Fjala “demokraci” vjen nga greqishtja dhe do të thotë “sundim i popullit”. Gjithandej ne jemi dëshmitarë të zhvendosjes së pushtetit për poshtë. Unë e quaj këtë “demokratizim“, ndonëse kjo shkon përtej politikës, sepse procesi është i ngjashëm: hierarkitë po prishen, sistemet dikur të mbyllura tashmë po hapen dhe presioni i masave është bërë tani motori parësor i ndryshimeve shoqërore. Demokracia është shndërruar nga një formë qeverisjeje në një mënyrë jetese. Le të shqyrtojmë botën ekonomike.Ajo çka është vërtet e re dhe e veçantë në kapitalizmin e sotëm nuk është fakti se ai është global apo i pasur me informacion, apo teknologji të lartë – gjë që ka qenë e vërtetë edhe më parë në histori – por sepse ai është demokratik. Gjatë gjysmës së dytë të shekullit që kaloi zhvillimi ekonomik në botën industriale ka pasuruar me milionëra njerëz, duke e shndërruar konsumin, kursimet dhe investimin në një dukuri masive. Kjo i ka detyruar strukturat shoqërore t’i përshtaten kësaj situate. Për pasojë, pushteti ekonomik, i cili për shekuj me radhë mbahej nga grupe të vegjël biznesmenësh, bankierësh dhe burokratësh, është zhvendosur përposhtë. Sot, pjesa më e madhe e kompanive – më e saktë, pjesa më e madhe e vendeve – s’merakosen më për një grusht njerëzish që janë të pasur, por, për shumicën që i përket klasës së mesme. Dhe me të drejtë, kapitalet e grupit më të madh investues tashmë s’janë asgjë përpara fondit për pensionet e punëtorëve. Edhe kultura është demokratizuar. Ajo që dikur quhej “kulturë e lartë” vazhdon të lulëzojë, pa dyshim, por si një produkt për të moshuarit, pa qenë më në qendër të jetës kulturore të shoqërisë, e cila tani përcaktohet dhe mbizotërohet nga muzika popullore, filmat e bujshëm dhe transmetimet televizive. Këta të tre përbëjnë normën kulturore të epokës moderne, tërësinë e referencave kulturore me të cilat gjithkush në shoqëri është i familjarizuar. Ky revolucion demokratik që ka përshkuar shoqërinë ka ndryshuar dhe vetë konceptin tonë për kulturën. Më parë, çelësi i famës, le të themi, të një këngëtareje varej nga kush e pëlqente. Sot çelësi i famës është se sa shumë njerëz e pëlqejnë. Dhe, sipas këtij kuti matjeje Madona do t’ja kalojë gjithnjë Jessye Norman. Sasia është kthyer në cilësi. Çfarë e ka shkaktuar këtë ndryshim dramatik? Si në të gjitha dukuritë shoqërore masive, janë të shumta ato forca që ndihmuan për të sjellë këtë valë demokratike : revolucioni teknologjik, rritja e mirëqënies së klasës së mesme, rënia e sistemeve dhe ideologjive alternative për organizimin e shoqërinë. Këtyre shkaqeve të mëdha sistematike le t’u shtojmë edhe një tjetër: Amerikën. Rritja dhe dominimi i Amerikës – një vend me politikë dhe kulturë thellësisht demokratike – bëri që demokratizimi të duket i pashmangshëm. Cilatdo qofshin arsyet, vala demokratizuese po i jep efektet e parashikuara në të gjitha fushat. Ajo po rrëzon hierarkira, po fuqizon individët dhe po i transformon shoqëritë në një mënyrë që shkon përtej politikës. Në të vërtetë, ajo çka më shumë shquhet në botën ku jetojmë, është pasojë e idesë demokratike. Shpesh gjatë viteve të zhurmshme `90 mund të lexoje se teknologjia dhe informacioni ishin demokratizuar. Kjo është një dukuri relativisht e re. Më parë, teknologjia ndihmonte për të përforcuar centralzimin dhe hierarkinë. Për shembull, revolucioni i fundit i madh i informacionit gjatë viteve `20, ku përfshihet radio, televizioni, kinematografia, megafonët – pati një efekt përqëndrues. Kjo i dha personave apo grupeve qe kishin akses në këtë teknologji mundësinë për të ndikuar mbi pjesën tjetër te shoqërisë. Ja përse në shekullin e njëzetë hapi i parë që bëhej gjatë një grushti shteti a revolucioni ishte gjithnjë marrja nën kontroll e stacionit të radios apo të televizionit. Por, sot, revolucioni informativ ka prodhuar aq mijëra kanale që japin lajme sa që kontrolli qëndror është bërë i pamundur, ndërsa disensi i lehtë. Interneti e ka shtyrë përpara procesin me një tjetër hap të stërmadh, duke u shndërruar në një sistem, ku, sipas fjalëve të gazetarit Thomas Friedman “të gjithë janë të lidhur me njëri tjetrin, por asnjeri s’kontrollon dot“. Demokratizimi i teknologjisë dhe i informacionit nënkupton se pothuajse kushdo mund të fusë hundët kudo. Njësoj si me armët e shkatërrimit në masë. Tashmë e dimë se Osama bin Laden në vitet `90, po punonte për një program serioz armësh biologjike. Por, ajo çka të habit më shumë është se informacioni shkencor dhe manualet e gjetur në bazat e Al Kaedës në Kabul nuk ishin sekrete të rrëmbyer nga laboratorët qeveritarë. Ishin thjesht dokumenta të shkarkuar nga interneti. Nëse sot ju dëshironi të gjeni informacion për antraksin, receta helmesh ose metoda për prodhim armësh kimike, nuk ju nevojitet gjë tjetër përveç një programi të mirë kërkimor. Këto burime të hapura, për fat të keq, kanë për të ndihmuar shpejt ndokënd të ndërtojë një bombë atomike. Komponentët për këtë gjenden më lehtë se kurrë më parë. Në përgjithësi, ajo çfarë ju nevojiten janë njohuritë, të cilat janë përhapur gjerësisht gjatë dekadës së fundit. Madje dhe energjia bërthamore nuk është më një privilegj i të paktëve. Tashmë, në fund të fundit, ajo është një knoë-hoë pesëdhjetëvjeçare, pra bën pjesë në apo atë botë ku bënte pjesë radios me valë të mesme dhe e televizionit bardh e zi. Le ta quajmë këtë demokratizim të dhunës. Kjo s’është thjeshtë një frazë e bukur. Demokratizimi i dhunës është një nga karakteristikat themelore – dhe të tmerrshme – të botës së sotme. Për shekuj me radhë shteti kishte monopolin e përdorimit legjitim të forcës mbi shoqëritë njerëzore. Kjo pabarazi e fuqisë mes shtetit dhe qytetarëve krijoi rendin dhe shërbeu përtë ngjizur qytetërimin modern. Por, në dekadat e fundit përparësia e shtetit është dobësuar; tani grupe të vegjël njerëzish mund të ndërmarrin veprime të frikshme. Dhe ndërkohë që terrorizmi është goditja më serioze ndaj autoritetit të shtetit, qeveritë vihen në vështirësi edhe nga faktorë të tjerë. Tregjet e kapitalit, biznesi privat, qeverisjet vendore, organizatat joqeveritare – të gjitha këtyre u është rritur pushteti, duke zbehur kështu autoritetin e shtetit. Dëshmi e kësaj dobësie janë emigracioni i paligjshëm, droga, paratë, armët e përhapura lart e poshtë nëpër botë. Kjo shpërndarje e pushtetit ka për të vazhduar, sepse nxitet nga ndryshimet e mëdha teknologjike, shoqërore dhe ekonomike. Por, pas 11 shtatorit shteti u rikthye me forcë dhe legjitimitet të përtëritur. Por kjo s’ka për zgjatur shumë. Epoka e terrorit do të karakterizohet kështu nga tensioni mes forcave që nxisin demokratizimin e autoritetit nga njëra anë dhe të shtetit nga ana tjetër. Të diskutosh për këto probleme nuk do të thotë se demokracia është diçka e keqe. Në thelb, ajo ka sjellë pasoja të mrekullueshme. Kush nga ne do të dëshironte të kthehej mbrapsht në një periudhë me më pak mundësi për të zgjedhur dhe me më pak fuqi e autonomi individuale? Por, siç ndodh me çdo ndryshim të madh edhe demokracia ka anët e saj të errëta. Ne akoma flasim rrallë për to. Po e bëre këtë menjëherë vjen kritika se “s’je i sinkronizuar me kohën”. Për kjo do të thotë se në të vërtetë ne as që marrim më mundimin të kuptojmë këtë kohë. Gojëmbyllur nga frika se mos damkosemi si “antidemokratikë“, ne s’kemi më mundësi të kuptojmë se ç’mund të jetë shqetësuese në këtë demokratizim gjithmonë në rritje të jetës sonë. Ne e marrim si të mirëqenë se demokracia nuk sjell ndaj dhe shohim sëmundjet sociale, politike dhe ekonomike ia hedhim fajin herë këtij e herë atij, duke iu shmangur problemit e përgjigjeve, pa zenë kurrsesi në gojë transformimin e madh që po ndodh në jetën tonë politike, ekonomike dhe shoqërore.

Komente për librin:

“E ardhmja e lirisë” është një ndër librat më të rëndësishëm të botuar gjatë dekadës së fundit për prirjet e politikës globale. Me analizat e tij realiste Zakaria na sjell një sërë mësimesh me rëndësi jetike për të gjithë ne që na shqetëson e ardhmja e lirisë në botë.
Samuel Huntington

Fareed Zakaria, një ndër autorët më të shkëlqyer të brezit të ri, ka krijuar një libër magjepsës, që të bën te mendosh për mënyrën se si ndikojnë parimet kushtetuese të Perëndimit në rendin global.
Henry Kissinger

Në këtë libër të mprehtë, Fareed Zakaria shtron një sërë pyetjesh të cilave iu jep përgjigje provokuese. Një libër që sjell një kontribut impresionues e na ndihmon të kuptojmë se cilat janë rreziqet që e kërcënojnë demokracinë.
Arthur M. Schlesinger

Një libër që të bën të shohësh botën ndryshe. Njëkohësisht një libër që e lexon me ëndje, gjë tepër e rrallë kjo në librat që parashtrojnë teori të mëdha për politikën e jashtme. Është një libër me një origjinalitet dhe thellësi të jashtëzakonshme.
Washington Post

3 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›