E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fergi: “Asgjë nuk është vendosur”



Trajneri i Mançester Junaitid, Sër Aleks Ferguson, tha se ai nuk e konsideronte ende të kualifikuar skuadrën e tij edhe pse komandon me rezultatin 2-0 pas ndeshjes së parë çerekfinale kundër Romës në Itali.
Kristiano Ronaldo dhe Uejni Runi shënuan golat për Junaitid duke dëshmuar se skuadra angleze është favoritja krysore për të fituar për herë të tretë kompeticionin më të rëndësishëm të klubeve në Europë.
Roma pagoi mospërqendrimin në mbrojtje duke pësuar dy gola, ndërsa Mançesteri demonstroi rritjen e tij në Europë. Roma vuajti shumë mungesën e kapitenit Françesko Toti, dhe mund të kishte pësuar më shumë gola në pesëmbëdhjetë minutat e fundit.
Ferguson, megjithatë, pohoi se dhe Roma humbi disa raste të mira me Kristiano Panuçin dhe Ludovik Zhyli, ndërsa komplimentoi portierin Edvin van der Sar për pritjen e mrekullueshme të gjuajtjes së Mirko Vuçininiçit.
“Ishte një rezultat i mrekullueshëm për ne. Ne treguam disiplinë dhe kompaktësi”, -tha ai. “Goli i Ronaldos ndryshoi lojën për ne. Ishte një goditje fantastike me kokë dhe pjesa e dytë ishte shumë e vështirë për Romën”.
Roma do të ketë në ndeshjen e kthimit kapitenin Françesko Toti, por Ferguson nuk ndihet i shqetësuar për këtë. “Ju nuk e dini kurrë se çfarë mund të ndodhë në futboll”, - shtoi ai. “Ne i njohim aftësitë e Totit, ai është një figurë frymëzuese për Romën. Por, ne shpresoj se Old Traford në një tjetër natë europiane, ne do të jemi gati për të”.
Ferguson tregoi respekt për portierin Edvin van der Sar, i cili bëri një pritje të jashtëzakonshëm pas goditjes me kokë të Vuçiniçit kur rezultati ishte ende 1-0, duke i siguruar më pas Junaitid golin vrasës të ndeshjes. “Ai ka 120 ndeshje me kombëtaren (holandeze) dhe eksperienca e tij është thelbësore. Ai bëri një pritje fantastike në pjesën e dytë”, - tha Ferguson. “Ai është një portier i madh”.

Morati: “Nuk jam takuar me Murinjon”

Pronari i Interit, Masimo Morati (presdent nga viti 1995) mohoi zërat se ish-bosi i Çelsit, Hoze Murinjo ishte përzgjedhur për të zëvendësuar Roberto Mançinin në drejtimin e skuadës zikaltër për sezonin e ardhshëm.
SPEKULIMET
Spekulime mediatike e lidhin portugezin Murinjo me kampionët në fuqi të Italisë, qysh kur Mançini deklaroi muajin e kaluar se do të largohej nga Interi me përfundimin e sezonit, pavarësisht se ai ndryshoi mendje një ditë më pas. Së fundi, një përfaqësues i Murinjos pretendoi se trajneri kishte qenë në Itali për t’u takuar me Moratin, por vetë Murinjo e përgënjeshtroi takimin. “Për mua situata nuk do të ndryshojë sepse ne dëshirojmë të ecim përpara pa bërë asnjë lëvizje të madhe, të cilën ju nuk e dini kurrë nësë do të jetë apo jo pozitive”, - tha Morati, djali i Anxhelo Moratit, një tjetër president legjendar zikaltër.
MOMENT I ERRËT
“Janë idetë e njerëzëve të tjerë, por kjo nuk është e vërtetë. Por, gjithsesi është tërheqëse pasi çdo kush është në pritje të ndonjë lajmi të ri. Për shumë vite ju (gazetarët) jeni mësuar të flisni për këto ndryshime dy muaj përpara se sezoni të përfundojë. Unë nuk mund të them asgjë rreth kësaj dhe aq më pak Mançini”, - shton Morati, pronari i grupit “Saras”, që operon në fushën e naftës dhe kompanisë “Sarlux”, e përqendruar në prodhimin energjisë elektrike. Interi është duke kaluar një moment të paqartë si në ndeshjet e fundit në shtëpi ashtu dhe në transfertë, duke qenë shumë larg asaj skuadre magjepsëse të fillimit të sezonit. Në dy ndeshjet e fundit në Serinë A, Interi humbi në shtëpi me Juventusin (1-2) dhe barazoi në Romë me Lacion (1-1).
PADRONI ZIKALTËR
Masimo Morati, 63 vjeç, president i Interit nga 18 shkurt 1995 deri më 19 janar 2004 dhe nga 6 nëntor 2006 e në vazhdim.
Për t’i dhënë një dhuratë vetes për 50-vjetorin e tij, Masimo Morati bleu, më 18 shkurt 1995 Interin, duke ia risjellë “pronën zikaltër” familjes, pasi klubi ishte në pronësi të babait të tij, Anxhelo Morati, në vitet gjashtëdhjetë. Morati ka punuar me një projekt të qartë: të krijojë një skuadër të ngjashme me të famshmin “Grande Inter” (Interin e madh) të babait të tij, Anxhelo, duke derdhur shumë të jashtëzakonshme që llogariten në disa qindra milionë euro. Në drejtimin e tij, Interi ka fituar dy tituj kampionë (2005-2006 (në tavolinë), 2006-2007), ndërsa kërkon me ngulm të tretin. Bilancit të tij i shtohen edhe 2 kupa të Italisë (2005,2006), 2 Superkupa të Italisë dhe 1 Kupë UEFA.

3 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›