E Diel, 1 Nëntor 2026

E ardhmja politike e shqiptarëve në vështrimin juridiko-ndërkombëtar

Shqiptarët përkujtojnë sivjet 100-vjetorin e ëndrrës së tyre të prerë në mes, jubileun e 100-të të formimit të shtetit në gjysmën e territoreve të veta. Në këtë përvjetor, homazhe pa fund u drejtohen arkitektëve të pavarësisë, statistëve të mëdhenj, mendimtarëve dhe burrave të shquar, rilindasve të urtë, trima e të paepur, që hodhën themelet e Pavarësisë, si Abdyl e Sami Frashëri, Ymer Prizreni, Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi, Isa Boletini e dhjetëra të tjerë. Të mbrujtur me atdhedashuri dhe të formuar me dije moderne për shtetin dhe të drejtën, ata iu dhanë shqiptarëve në ato kohë të zymta modelin e një shteti perëndimor.

Fatkeqësisht, veprën e tyre madhore e zhbëri diplomacia e Fuqive të Mëdha të kohës, e cila imponoi një krijesë artificiale, monarkinë e Princ Vidit, që, siç thotë Robert Redslob, mbeti në letër dhe në imagjinatën e diplomatëve. Shqipëria mundi të bëhej vetëm me vullnetin e vet kombëtar, me forcat e saj, që është edhe e vetmja mënyrë me të cilën mund të themelohet një shtet i vërtetë. Shtjellimi i kësaj teme me rëndësi të veçantë, por njëkohësisht tepër delikate, kërkon një analizë të thellë, objektive, jo konformiste dhe të guximshme, duke i parë realitetet dhe perspektivat në interes të së vërtetës. Shqipëria e Londrës, e cilësuar ‘krijesë e diplomacisë së Fuqive të Mëdha’, është dëshmia më elokuente e falsitetit dhe e demagogjisë së politikës së Fuqive të Mëdha të asaj kohe, e spekulimit të tyre me parimet e së drejtës ndërkombëtare, e cila afishonte si slogane lirinë dhe barazinë e kombeve. Ato zbatuan standarde të dyfishta, shqiptarëve iu morën gjysmën e territoreve të tyre dhe ata vetë i vunë nën zgjedhën e fqinjëve, të cilëve iu plotësuan pa kursim çdo pretendim territorial. U shpërfill dhe u shkel liria etnike e shqiptarëve, themeli mbi të cilën do të ngrihej liria individuale, gjithë të drejtat njerëzore dhe e ardhmja e tyre politike. Populli shqiptar nuk mund të ishte i lirë, kur i mohohej e drejta e ekzistencës në atdheun e vet, kur nuk i njihej dhe nuk i lejohej zbatimi i parimit të vetëvendosjes, kur sakrifikohej dhe bashkohej me dhunë me shtete të tjera, nën motivin fals të ruajtjes së paqes dhe të ekuilibrit në kontinent, siç u shpreh kryetari i Konferencës së Londrës, Eduard Grei, një ditë pas përfundimit të punimeve të saj. Dhe ndodhi ajo që thoshte në mënyrë profetike Abdyl Frashëri, një shekull e ca më parë. “Në rast se Fuqitë e Mëdha do ta dënojnë këtë popull... të mbetet në robëri dhe ca më keq të copëtohet midis shteteve fqinje, Gadishulli Ballkanik nuk do të ketë kurrë qetësi, sepse shqiptarët nuk do të pushojnë asnjëherë së luftuari për të fituar pavarësinë e tyre kombëtare. Përkundrazi, në rast se shqiptarëve do t’u njihen të drejtat e tyre kombëtare, Shqipëria do të bëhet faktor paqeje...”.

Historia e një shekulli tregoi se Ballkani nuk pati qetësi e stabilitet, sepse nuk pati drejtësi në trajtimin e popujve të tij. Edhe pse u copëtua, Shqipëria u krijua megjithatë, në një pjesë të trojeve të veta, si shteti simbol i shqiptarëve, si aspirata e bashkimit të tyre në një strehë të përbashkët shtetërore. Kjo dëshirë e transmetuar në breza, në vitin 1998 mori një konsensus të gjerë popullor dhe u sanksionua zyrtarisht në Kushtetutën e Shqipërisë, shtetit amë të shqiptarëve, e cila kishte dhe ka një rol qendror për të ardhmen e tyre. Në preambulën e saj përcaktohet angazhimi për mbrojtjen e dinjitetit dhe të personalitetit njerëzor, për prosperitetin e të gjithë kombit. Theksohet se aspirata shekullore e popullit shqiptar është identiteti dhe bashkimi i tij kombëtar. Në shërbim të përmbushjes së këtij misioni, Kushtetuta ka sanksionuar ne nenin 8, pika 1, se Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj.

E ardhmja politike e shqiptarëve është diskutuar vazhdimisht që prej krijimit të shtetit të gjymtuar shqiptar dhe është shtruar në trajtën e pyetjeve se ç’do të bëhet me shqiptarët, do të vazhdojnë ata të jenë të copëtuar apo do të ribashkohen për të krijuar shtetin e tyre të natyrshëm, që do të përfshijë territoret dhe popullsitë shqiptare? Cili do të jetë roli i Europës, e cila bart mbi vete përgjegjësi të rënda ndaj këtij populli të martirizuar? Trajtimi i tyre është kërkesë e drejtë, e ligjshme dhe parimore. Ka të bëjë me rivendosjen e drejtësisë ndaj një populli, jo vetëm si një sadisfaksion moral e politik, por edhe me nxitjen e progresit ekonomik, social, kulturor etj. të shqiptarëve, me zhvillimin e përparimin e vendit të vet, për të garantuar paqen dhe sigurinë në rajon, duke eliminuar një nga vatrat eksplozive potenciale. Për shqiptarët e ardhmja e tyre politike, e identifikuar zyrtarisht nga Kushtetuta e shtetit amë në formën e bashkimit kombëtar, përjashton çdo alternativë dhune dhe natyrisht luftën, si shfaqja e saj më ekstreme. Ajo është e papajtueshme me kodin e tyre etiko-moral. Është kjo edhe një ndër arsyet se përse ata gjatë gjithë historisë së tyre nuk i kanë sulmuar ndonjëherë popujt e tjerë fqinjë. Por kjo qasje paqësore, qëndrimi civilizues dhe sjellja e tyre fisnike, nuk u vlerësuan dhe nuk u shpërblyen, madje shpeshherë u morën si dobësi nga fqinjët dhe faktori ndërkombëtar.

Rruga më e përshtatshme për realizimin e bashkimit të shqiptarëve është integrimi i Shqipërisë dhe i Kosovës në Europën e Bashkuar, që duhet të realizohet në kuadrin e të drejtës ndërkombëtare. Shembull tregues është vetë shteti i pavarur i Kosovës, që u krijua në respekt të normave të saj në shkurtin e vitit 2008 dhe që përbën një korrigjim të rëndësishëm edhe pse të pjesshëm të padrejtësisë ndaj shqiptarëve. Fati i të ardhmes politike të shqiptarëve është i lidhur gjithashtu edhe me aderimin në BE të atyre shteteve ballkanikë, ku jetojnë shqiptarët, sepse në këtë mënyrë do të krijohej mundësia që, brenda hapësirës së përbashkët europiane, të konsolidohet hapësira mbarëshqiptare si një ‘comonwelth sui generis’, ku do të zhvillohej më lehtë e më mirë bashkëpunimi ndërshqiptar ekonomik, tregtar, financiar, kulturor, arsimor, etj.

“Bashkimi në Bruksel”, - forma më e qytetëruar dhe më moderne e bashkimit të shqiptarëve, gjen mbështetje adekuate edhe në disa teori politike moderne, të cilat e projektojnë të ardhmen e Europës në një konstelacion post-nacional. Nëpërmjet integrimit në Europën kozmopolitane, të orientuar nga e ardhmja, të ngritur mbi ndjenjën e solidaritetit demokratik postnacional, të drejtësisë globale dhe të solidaritetit multikulturor e multietnik, siç thonë Habermas dhe Derrida, shqiptarët e do ta gjejnë veten natyrshëm pranë njëri-tjetrit dhe do të realizojnë idealin e tyre shekullor. Si qytetarë të kësaj Evrope, ata, së bashku me të tjerët, do të formojnë popullin evropian, si pjesë përbërëse e megastrukturës shtetërore të Bashkimit Europian, si një krijesë midis Europës së shteteve-kombe dhe Europës së qytetarëve. Të vendosur brenda hapësirës së tyre kombëtare, edhe pse të ndodhur në shtete të ndryshme, të ndarë me kufij virtualë, ata nuk do të ndjehen më të huaj në tokat e veta, por bashkëkombës të njëjtë europianë. Ky është projekti më optimal që realizohet pa kosto, pa sakrifica dhe pa konsumuar së koti energjitë e tyre. Mirëpo, zhvillimet e dy dekadave të fundit në hapësirat e Europës së Bashkuar, tregojnë se kjo perspektivë duket ende larg. Krijimi i Europës kozmopolitane duhet të përballojë pengesat e ngritura nga kujtesa publike e të kaluarës kombëtare, që sjell ndër mend histori të ngarkuara me fajësi dhe padrejtësi. Përhapja, përkujtimi dhe riprodhimi permanent i të kaluarës kombëtare në Ballkan, si dhe në tërë Europën, ka imponuar jo liri, por tiraninë e së kaluarës dhe terrorin e kujtesës kolektive kombëtare, siç thotë Obrad Saviç. Dy faktorë të tjerë që ndikojnë në errësimin e kësaj perspektive janë pikëpyetjet për të ardhmen e Eurozonës dhe të vetë Europës së Bashkuar, si dhe realitetet e trishta ballkanike, të cilat janë të mbarsura me politika asimiluese, me shfaqje nacionalizmi e racizmi ndaj shqiptarëve, etj. Atmosfera e tensionuar dhe në përgjithësi, zbehja e dritës së shpresës në fundin e “tunelit europian”, ka krijuar një terren fertil për rikthim në ide dhe në skenarë të tjerë radikalë, por jo ekstremistë. Kjo, sepse në themel të tyre qëndron zbatimi i parimit universal e progresiv të vetëvendosjes, i cili ka shërbyer për zgjidhjen e mjaft rasteve të tjera analoge. Zakonisht ai është përdorur në drejtimin vertikal për të përligjur shkëputjen e territoreve nga shtetet e tjera dhe daljen e tyre më vete. Por, jurisprudenca, teoria dhe praktika aktuale botërore kanë pranuar edhe zbatimin horizontal, bashkimin e dy apo disa shteteve në një. Profesori i së drejtës ndërkombëtare, Martin Dixon e arsyeton këtë mënyrë aplikimi të vetëvendosjes, duke iu referuar disa vendimeve të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës (GJND), posaçërisht vendimit për Procesin e Saharasë Perëndimore, në vitin 1975 dhe atij të vitit 1994 për çështjen “Ekspertiza për murin në territorin palestinez”, ku gjykata ka riafirmuar se “e drejta e popujve për vetëvendosje është sot një e drejtë ‘erga omnes’”, e cila zbatohet për të gjithë dhe vlen për të gjithë. Ka mjaft precedentë, si p.sh. Tanzania (1964), Bashkimi Real Egjipt-Sudan (1982), Konfederata e Senegambias (1982), Federata Egjipt-Libi-Siri (1971-1984), Vietnami (1976), Jemeni (1990), Gjermania (1990), etj.

Rasti i Shqipërisë mund të konsiderohet pak a shumë i ngjashëm me precedentët e Vietnamit (1976) dhe të Gjermanisë (1990). Këto dy shtete, duke qenë më vete, u detyruan të ndaheshin nën imponimin e faktorit ndërkombëtar dhe, në rrethana të caktuara politike, u ribashkuan përsëri. Shqipëria sikurse ato, është pothuajse në të njëjtën situatë. Prej 28 Nëntorit 1912 dhe deri në marrjen e vendimeve nga Fuqitë e Mëdha, në gjysmën e vitit 1913, ajo ishte dhe sillej si shtet i pavarur. Kishte një qeveri legjitime dhe organe të tjera shtetërore, kishte shpallur autoritetin e vet mbi një popullsi që jetonte në territore që përfshinin katër ish- vilajetet turke të banuara nga shqiptarët, të njohura tradicionalisht nën emërtimin “Shqipëri” dhe si e tillë, ishte subjekt i së drejtës ndërkombëtare. Copëtimi nga ana e Fuqive, ndodhi pas rreth një viti, kur ajo ekzistonte tashmë si shtet më vete. Bashkimi i Shqipërisë me Kosovën, që do të ishte ndoshta hapi i parë drejt realizimit të bashkimit kombëtar, mund të konkretizohet në formën e krijimit të një shteti unitar, në të cilin do të shkriheshin territoret, popullsitë, autoritetet shtetërore dhe sovraniteti i dy shteteve ekzistuese, një shteti krahinor, në modelin e Italisë, Polonisë, Spanjës etj, apo i një federate shqiptare të përbërë nga dy shtete federative, Shqipëria dhe Kosova. Formë tjetër mund të ishte krijimi i një konfederate shqiptaro-kosovare, ku të dy shtetet të vazhdonin ekzistencën e tyre të pavarur si subjekte të së drejtës ndërkombëtare, duke ia deleguar një pjesë të funksioneve kushtetuese një organi suprem, të quajtur këshill, kuvend, kongres, etj. Ky bashkim mund të realizohet dhe të ketë jetë duke plotësuar së paku dy kushte themelore: Së pari, shprehjen e vullnetit të shqiptarëve të Shqipërisë dhe të Kosovës për bashkim të zyrtarizuar nëpërmjet referendumeve të organizuara në të dyja vendet; së dyti, sigurimin e njohjes ndërkombëtare, marrjen e pëlqimit të faktorit ndërkombëtar. Flitet hera- herës për zgjidhjen e të ardhmes politike të shqiptarëve nëpërmjet kontestimit dhe rishqyrtimit të legjitimitetit të Konferencës së Ambasadorëve të Londrës dhe anulimit zyrtar të vendimeve të saj për Shqipërinë. Ideja është interesante dhe atraktive. Ajo sensibilizon maksimalisht ndjenjat kombëtare të shqiptarëve. Por trajtimi që bëhet në mjedise të ndryshme është disi diletant, vështirësisht i realizueshëm, për të mos thënë spekulativ.

Nuk ka dyshim se gjatë shekujve të kaluar, prej Kongresit të Vestfalisë në vitin 1648 e në vijim, diplomacia e Fuqive të Mëdha ka sanksionuar padrejtësi ndaj mjaft popujve. Kështu ndodhi edhe me Shqipërinë në Berlin më 1878 apo në Londër në 1912. Janë të gjitha argumentet formalo-juridike për ta konsideruar Konferencën e Ambasadorëve të delegjitimuar, sepse është e vërtetë që ajo nuk i kishte atributet legale që të vendoste për statusin e Shqipërisë dhe për kufijtë. Vendimet e saj mund të atakohen me argumente që mbështeten si në të drejtën e brendshme të shteteve ashtu edhe në të drejtën ndërkombëtare. Të dyja ato përcaktojnë se aktet juridike dy apo shumëpalëshe nuk mund t’iu imponojnë detyrime palëve të treta. Ky parim që vjen nga lashtësia, i shprehur në formulën latine “Pacta tertiis nec nocent nec prosunt”, është sanksionuar edhe në nenin 34 të Konventës së Vjenës “Për të Drejtën e Traktateve”, të vitit 1969.
Legjitimitetin e Konferencës së Ambasadorëve dhe në përgjithësi të forumeve të Fuqive të Mëdha, ndërkombëtaristi Paul Guggenheim, e trajton nga një këndvështrim tjetër. Ai thotë se ato ushtronin një pushtet të uzurpuar për të rregulluar në interes të tyre zhvillimet politike në kontinent, madje edhe jashtë tij. Pra, nuk ka dyshim se Konferenca e Ambasadorëve, që përgatiti dhe zyrtarizoi tragjedinë më të rëndë të popullit shqiptar, nuk e kishte legjitimitetin e nevojshëm. Pavarësisht kësaj, mendimi për ta atakuar atë, ka fare pak gjasa për t’u konkretizuar në realitetin aktual. Nëse flitet për kontestimin e saj në aspektin juridik del menjëherë çështja se në cilin organ, forum apo institucion do të kërkohet delegjitimimi dhe shpallja e pavlefshmërisë absolute të akteve të saj. Dëgjohet të thuhet se kjo mund të bëhet në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës. Ky propozim, edhe pse në dukje interesant, mbetet gjithsesi i parealizueshëm, sepse nuk ekziston më Konferenca e Ambasadorëve. Nuk ka sens të hedhësh në gjyq një palë që nuk ekziston. GJND, si rregull shqyrton mosmarrëveshje ndërmjet shteteve dhe ka juridiksion fakultativ, bëhet kompetente kur atë e pranojnë si arbitër të gjitha palët në mosmarrëveshje. Për pranimin e juridiksionit të saj nuk do të mjaftonte vetëm mendimi pro i popullit shqiptar, i shprehur me referendum.

Do të nevojitej detyrimisht edhe mendimi pozitiv i palës së dytë, Konferencës inekzistente të Ambasadorëve. Madje, nëse e vazhdojmë arsyetimin juridik më tej, do të lypsej edhe mendimi pohues i shqiptarëve që ndodhen në territoret e veta në Maqedoni, Mal të Zi, Serbi e Greqi. Status quo-ja ekzistuese, ajo që propozohet të rishqyrtohet në dritën e zhvillimeve të reja të së drejtës ndërkombëtare dhe frymës së saj emancipuese, është kompozuar një shekull më parë në kushtet e një realiteti të caktuar politiko-ndërkombëtar. Është pranuar nga fqinjët dhe nga Fuqitë e Mëdha, të cilat në atë kohë bënin ligjin. Prandaj ndryshimi i saj, në skenarin maksimal, atë të shkëputjes eventuale të shqiptarëve nga Maqedonia, Serbia e Jugut, Mali i Zi apo nga Greqia dhe bashkimit të tyre në shtetin e vet kombëtar, do të kërkonte sërish një konsensus të gjerë, të sanksionuar në një marrëveshje ndërkombëtare. Parimisht kjo do të ishte e vështirë jo vetëm sepse disa prej fqinjëve kanë ndjekur ndaj shqiptarëve politika shfarosjeje apo asimiluese, që kanë sjellë ndryshime demografike ireversibile, por edhe për shkak se filozofia e Europës moderne dhe zhvillimet e parashikuara në arkitekturën e të ardhmes së saj sot kanë si bazë prishjen e gardheve kufizuese dhe integrimin e shteteve përbërës. Në aspektin praktik ky veprim mund të shkaktonte një reaksion zinxhir në Ballkanin e trazuar, të ngarkuar nga ethet nacionaliste, duke rrezikuar hapjen e “kutisë së Pandorës” dhe zhytjen e popujve të tij në një fatkeqësi të re.

Në këto kushte, nëse “bashkimi i shqiptarëve në Bruksel” do të vonohet, atëherë në një fazë të parë, kur të jenë krijuar rrethanat dhe kushtet e përshtatshme, mund të diskutohet bashkimi Shqipëri-Kosovë. Në të njëjtën kohë mund të kërkohet sigurimi i një statusi më të përcaktuar dhe juridikisht më të garantuar për shqiptarët në Maqedoni si element shtetformues dhe në Serbinë jugore, në Mal të Zi e në Greqi si pakica kombëtare. Ky projekt jo i lehtë për t’u zbatuar gjen sidoqoftë mbështetje juridiko-ndërkombëtare. Ai mund të ketë perspektivë optimiste nëse politika e të dy shteteve shqiptare në Ballkan, angazhohet për të ndërgjegjësuar Europën dhe faktorin ndërkombëtar në përgjithësi, për të drejtën e ligjshme të shqiptarëve, për t’u trajtuar denjësisht, sikurse trajtohet çdo popull tjetër europian. Kjo do të thotë se edhe ky projekt ka nevojë për pëlqimin e ndërkombëtarëve, sepse për shkak të sensibiliteteve të shumta me të cilat shoqërohet, nuk përballohet dot nga parimet e teorisë deklarative të njohjes, që e konsideron një shtet subjekt të së drejtës ndërkombëtare që me shpalljen e formimit të tij.

Megjithatë, vështirësitë nuk duhet të dekurajojnë nismat eventuale për gjetjen e modaliteteve të përshtatshme juridike për korrigjimin e një padrejtësie të rëndë historike, për t’i hapur horizontet e duhura të ardhmes politike të shqiptarëve, për t’i vënë ata në të njëjtin start me popujt e tjerë të Ballkanit dhe të Europës. Sot, pas 100 vjetëve, diplomacia europiane, që i sakrifikoi shqiptarët në emër të paqes europiane, vjen para tyre me një borxh të madh, me detyrimin e angazhimit serioz për zgjidhjen e drejtë të së ardhmes së tyre politike. Këtë borxh ajo nisi ta “lajë” me kontributin e jashtëzakonshëm që dha për korrigjimin e ndjeshëm të padrejtësisë, me krijimin e shtetit të pavarur të Kosovës. Krijimi i shtetit të dytë të shqiptarëve, është një hap gjigant drejt zgjidhjes së çështjes shqiptare, por jo zgjidhja tërësore e saj. Me këtë ngjarje, që ishte po aq madhore sa 28 Nëntori i 1912-ës, nisi ringjallja dhe ringritja e shqiptarëve, fatet e ardhme të të cilëve shpresohen të jenë të mbara, sepse kësaj here, ndryshe nga më parë ata kanë përkrahjen dhe mbështetjen e fuqishme të aleatëve të botës euro-atlantike, të SHBA-ve dhe të vendeve të BE-së, me të cilat kanë instaluar e zhvillojnë një bashkëpunim të ngushtë e të dobishëm.

* Kumtesë e mbajtur në konferencën shkencore kushtuar 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, organizuar nga Akademia Shqiptare e Arteve dhe e Shkencave

(GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›