Trazirat 97, PD-ja 4 mijë armë për militantët
Debatet në Kuvend për armatosjen e selisë blu dhe dështimin e sulmit ndaj Jugut
Trazirat e pranverës 1997 do të ishin temë e nxehtë edhe në Kuvendin e dalë pas zgjedhjeve të 29 qershorit 1997, ku e majta fitoi shumicën dërrmuese. Pas disa javësh bojkotimi, PD-ja hyn në kuvendin që e cilëson “parlamenti i kallashnikovëve”, duke patur parasysh se shumë prej deputetëve të së majtës, ishin në krye të revoltave popullore. Kjo akuzë rihapi në disa interpelanca radhazi, skandalin e armatosjes së militantëve të PD-së, gjatë shkurt-marsit 1997. Sabit Brokaj, ministrër i Mbrojtjes, Ndre legisi, sekretar shteti në Ministrinë e Brendshme apo Neritan Ceka, ministër i Brendshëm, akuzojnë PD-në për armatosje në masë dhe për sulme kundër popullit të pambrojtur
Sabit Brokaj, ministër i Mbrojtjes në interpelancë, (seanca e ditës së mërkurë, 6 gusht 1997)
Haxhi Aliko- Cilat janë konkluzionet që keni arritur nga kjo analizë që keni bërë për shkaqet që çuan në shpërbërjen e ushtrisë dhe roli që pati ky shpartallim në krizën që kaluam?
Sabit Brokaj- Ka më shumë se katër muaj që ushtria shqiptare u shkatërrua në mënyrë të paprecedentë. Aktualisht, për fat të keq, ajo është jashtë funksionit të saj për të realizuar detyrën që ia ngarkon Kushtetuta…në asnjë rast nuk ka ndodhur që një ushtri si ushtria jonë të shpërbëhet e të shkatërrohet pa patur një luftë me një kundërshtar të huaj. Shkaqet ishin disa si, aventurizmi politik i udhëheqjes së lartë shtetërore për reformimin e ushtrisë, …profesionalizmi ushtarak nuk u trajtua si një parim jetik për reformimin e ushtrisë, u vunë oficerë pa përvojë, duke u nisur nga kontributi në PD.…Ndodhi inkriminimi i organeve shtëtërore në shkatërrimin e ushtrisë. Etje për të mbajtur me çdo kusht pushtetin, duke luftuar madje edhe kundër popullit tënd, me mjetet e dhunës, ishte gabimi më i rëndë në zgjidhjen e krizës që mbërtheu vendin tonë në fillim të këtij viti. Shteti duhej t’i përdorte mjetet e dhunës, përfshirë edhe ushtrinë, në mbrojtje të institucioneve demokratike dhe jo të rrugëve e shesheve ku demonstronin njerëzit për kërkesat e tyre në përputhje me ligjet.
Hamdi Jupe- Në ç’masë rezultojnë të implikuar gjeneralët tuaj në operacionet ushtarake kundër rrebelëve të Jugut?
Sabit Brokaj- Realisht një pjesë e madhe e tyre në Ministrinë e Mbrojtjes, në divizione të ndryshme, janë të implikuar në ndërtime operacionesh, në lëvizje dhe komandim trupash, deri edhe pjesëmarrje në operacione, ku, siç dihet, disa prej tyre janë kapur rob, dhe, në mënyrën më të padenjë, u janë gjetur edhe ditarë, edhe materiale të tjera, siç ndodh me ushtarakët që kapen rob.
Hamdi Jupe- Në gardën e Republikës janë gjetur raketa antitanke të marra nga ushtria. Cili është qëndrimi juaj?
Sabit Brokaj- Nga materialet dhe faktet del që materiali luftarak, që duhet të disponohet vetëm nga ushtria, është dhënë, me urdhër me shkrim nga kuadro të lartë të ushtrisë, por të imponuar nga presidenti Berisha, siç janë: raketat për Gardën, armatim për SHIK-un, ku përfshihen mijëra automatikë, mijëra granata…
Nikollë Lesi- A dispononi dokumente origjinale nga plani ushtarak për sulmin ndaj Jugut të Shqipërisë
Të muajve janar-mars 1997? Nëse i keni pse nuk i bëni publike?
Sabit Brokaj- Dokumentet origjinale janë. Për t’i bërë publike, edhe mund t’i bëjmë, por thashë që janë tre elemente që ne, si të thuash, i dimë realisht: së pari pasqyrimin e shkatërrimit të ushtrisë shqiptare dhe të dinjitetit të ushtarakut, së dyti, pikërisht komandimin e sulmit të ushtrisë ndaj popullatës civile dhe së treti rolin monstruoz që ka luajtur pushteti partiak mbi ushtrinë…
Flamur Hoxha- Nga media është komentuar për avionin që theu urdhërin për të bombarduar në Jug e që u largua në Itali. Si qëndron e vërteta dhe ç’bëhet me këta persona që nuk zbatuan urdhrat armiqësorë?
Sabit Brokaj- Ka qenë urdhri dhe është shumë e saktë ajo që ne kemi ndjekur nëpërmjet televizionit italian për avionë që do të bombardonin apo që bombarduan në Jugun e Shqipërisë. Ka pasur nga ata që u larguan nga misioni dhe ikën, si ky rast. Ka pasur nga ata që predhat i hodhën jo mbi popullatën, po diku, fjala vjen, mbi Vlorën në Shashicë, apo diku në Delvinë, dhe jo mbi popullatën e Gjirokastrës. Ka patur edhe aviatorë që s’kanë pranuar të ngrihen në ajër. Dihet se sa kriminal është urdhri dhe sa qytetar e patriotik është veprimi i aviatorëve. Në cilindo rast ata nuk bombarduan popullatën. Natyrisht ata me nivelin më të lartë moral, nuk u ngritën fare në ajër. Gjithsesi, asnjë aviator nuk e bombardoi popullatën.
Flamur Rogu- Gjatë gjendjes së jashtëzakonshme është folur për armatosje dhe mobilizim. Në qoftë se ka pasur, a është zbatuar ligji apo është kryer mobilizimi dhe armatosja me tendencë politike?
Sabit Brokaj- Pa diskutim që është bërë armatosje me synime politike, bile të qarta, nga drejtues të PD-së, nga SHIK-u, nga prefektë, nga drejtues të pushtetit lokal, duke u thënë se do të shkoni, fjala vjen, në Jugun e rebeluar, ose në këtë qytet etj..Madje dhe duke thënë apo duke dhënë lajme apo propaganduar në mënyrë të rreme se në Korçë kanë hyrë forca greke dhe ne duhet të vemi atje, se demek do të mbronim kufirin dhe mercenarët e mjerë kanë vajtur atje dhe pastaj kanë bërë kthesënpër t’i futur në grykën e Përmetit, ku edhe janë vrarë njerëz.
Seanca e 14 gushtit 1997
Genc Pollo- …Sot PD-ja është krejtësisht në favor të procedimit për miratimin e kushtetutës, por ne jemi kategorikisht kundër që rruga për miratimin e kushtetutës të kalojë nga një forum që shqiptarët e quajnë parlamenti i kallashnikovëve, ndërsa bota zyrtarisht e ka cilësuar si zgjidhje për momentin…
Ndre Legisi-…Është abuzuar dhe vazhdon të abuzohet me termin parlament i kallashnikovëve. Unë vë në dijeni të gjithë deputetët që janë në sallë dhe të gjithë popullin shqiptar, se nëse ka deputetë të kallashnikovëve, ata janë deputetët e PD-së, dhe për këtë ne disponojmë dokumente të plota. Këtu në sallë mund t’ju paraqes (ka kundërshtime nga ana e Grupit të PD-së), nëse ka deputetë të kallashnikovëve, deputetët e kallashnikovëve janë deputetët e PD-së. Këtu në sallë kam me vete dokumentin që me urdhër të liderit të opozitës së sotme shqiptare, Sali Berishës, në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme, me urdhër të komandantit të Gardës, është urdhëruar pajisja e të gjithë punonjësve të presidencës me kallashnikov dhe lista fillon me Genc Pollon. Ndërkohë Ministria e Brendshme, pas heqjes së gjendjes së jashtëzakonshme, ka urdhëruar që këta deputetë të kallashnikovëve, kjo parti e armatosur me urdhër nga Berisha të dorëzojë armët dhe zoti Pollo duhej ta kishte dorëzuar armën, kallashnikovin, siç thotë ai, që në datën 12.8.1997. Po këtë duhej të kishte bërë edhe Kolec Topalli, po këtë gjë duhet të bëjnë edhe të gjithë dejtuesit e PD-së.
Seanca e ditës së hënë, 25 gusht 1997, interpelanca me ministrin e Brendshëm, Neritan Ceka
Shaban Memia- Përse kërkoni të filloni të bëni çarmatimin nga Partia Demokratike?
Neritan Ceka- Meqë ju e keni bërë në grup këtë pyetje, është një pranim skandaloz i faktit që PD-ja është e armatosur. Unë ftoj parlamentin shqiptar të sqarojë se një parti e armatosur, e cila ka shkelur ligjin, duhet të qëndrojë më në parlament, apo jo? Ta dini jeni në shkelje të plotë, sepse ndalohet armatosja, ja e keni të shkruar, kjo është dhe e dyta, po ju sqaroj pse zotërinj fillon pikërisht nga PD-ja, sepse armatimi është bërë jashtë ligjeve. Në ligjin numër 7978, datë 26.7.’95 “Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, në kreun 4, Evidencat Ushtarake, në nenet numër 38, 34 dhe 39 “Mobilizimi i strukturave rezerviste ështe detyrë e degëve të mobilizimit e degëve ushtarake, domethënë Ministria e Brendshme nuk ka detyrë, as mobilizimin, as krijimin e strukturave rezerviste, sepse këto struktura rezerviste janë suprimuar në vitin 1992 dhe ja, zotëri, ku e keni me çfarë urdhri është bërë mobilizimi Gazidede. Ja dhe një listë tjetër, domethënë, nga specialisti i bandave, zoti Shaban Memia, urdhri i PD-së dhe lista e të rekrutuarve. Le të provohet, të krijohet komisioni, ja ku e keni me firmë, zoti Memia. Kështu është bërë mobilizimi i PD-së dhe duhej çmobilizuar urgjentisht, sot është data e fundit, prandaj mbi këtë bazë, në datën 14.8., u lëshua urdhri për dorëzimin, grumbullimin dhe depozitimin e armatimit të municionit dhe urdhri i përbashkët 16.
Valentin Palaj- Zoti Ceka, për të kënaqur sa më shumë shefat e tij, e filloi punën duke goditur opozitën. Në Shqipëri janë grabitur rreth 1 milionë armë të të gjitha llojeve dhe ministri ynë merret me shumë zell për të mbledhur 4 mijë armë të marra me firmë dhe në bazë të ligjit, nga ato persona që në Tiranë, morën përsipër ruajtjen e rendit, duke u rreshtuar vullnetarisht përkrah forcave të rendit…Megjithëse z. Ceka nuk është specialist në këtë fushë që mbulon, por sipas profesionit që ka Ceka po i them, gërmo Tare, gërmo, se do të gjesh qenin e ngordhur.