E Shtunë, 31 Tetor 2026

E çmendura e portës përbri



Akullin dhe sëpatën i ka njohur mirë edhe Alda Merini, një Anne Sexton italiane. Madje, të habit fakti që askush s’ka shkruar ende ndonjë studim që të lidhë jetën e Merini-t me atë të Anne Sexton-it. Motivet kryesore të veprave të tyre duket sikur imitojnë njëra-tjetrën. Natyrisht, drama ekzistenciale e poeteshës milaneze është më pak e njohur, e sidomos përjetohet në mënyrë më pak teatrale, porse thelbi nuk ndryshon. Edhe Merini është një poete që luan rolin e Shtrigës. Më keq akoma: ajo është e çmendura e derës përbri. E gjykuar, e dënuar, e internuar, e harruar…, me një fjalë “e mërguar” në përmasën e kthjelltë të një çmendurie, ku përfshihet dhimbja e thellë që fshihet pas çdo zgjedhjeje brenda bashkëjetesës shoqërore. Dhimbja e poetit, thotë Merini, lind nga përballja me të tjerët. Dhimbja e thellë lind nga shoqërizimi.

Paolo MATTEI

Ndodh që, për të kuptuar më mirë atë çka ngjet më afër nesh, të duhet të vështrohet larg. Në vitet ’60, Amerika zbulonte poezinë confessional (një lojë pasqyrash mes unit të sëmurë dhe dramatizimit të tij), ku rrahu zemra e trinisë Robert Lowell, Sylvia Plath dhe Anne Sexton.
Këtë të fundit e patën mbyllur në klinikën Westwood Lodge, e përpara Sexton-it kjo strukturë mjekësore pat “pritur” edhe Lowell-in. Anne kurohet aty nga doktor Martin Orne që, mes të tjerash, e këshillon të hedhë në letër ndërlikimet e botës së saj të brendshme, duke zbatuar parimin e poetry therapy-së. E kështu, mes manive vetëvrasëse, depresionit, dehjeve të paharrueshme dhe përzierjeve shkatërruese me bazë torazinën e psikofarmakë të tjerë, Sexton-i zbulon te poezia mjetin e përshtatshëm për të treguar e rikrijuar jetën e saj. Duke rrëfyer çfarë kishte jetuar, por sidomos çfarë s’kishte mundur të jetonte. (“E di, poezia është jeta/ jeta që s’mundem ta jetoj.)
Nis turnetë në Amerikë, duke u shfaqur në lexime skenike gjithnjë e më spektakolare. Udhëheq deri edhe një grup të vërtetë rock-u. E quan veten “shtrigë”, e shpall veten të përjashtuar e të dënuar nga një shoqëri, brenda së cilës ndihet viktimë e sakrifikuar (Jam viktimë e Ëndrrës amerikane, thoshte.) Është kjo shoqëri që e shtrëngon gruan në rolin e bijës së virtytshme e më pas të nënës besnike. E atëherë më mirë të luash rolin e dashnores së pacipë dhe shtëpiakes së marrë, të rrëfesh fantazi dashurish lesbike e incestuoze, e (për të cituar një metaforë të Kafka-s) t’i ngjitësh poezisë rolin e “sëpatës që çan detin e ngrirë brenda nesh”.
Akullin dhe sëpatën i ka njohur mirë edhe Alda Merini, një Anne Sexton italiane.
Madje, të habit fakti që askush s’ka shkruar ende ndonjë studim që të lidhë jetën e Merini-t me atë të Anne Sexton-it. Motivet kryesore të veprave të tyre duket sikur imitojnë njëra-tjetrën. Natyrisht, drama ekzistenciale e poeteshës milaneze është më pak e njohur, e sidomos përjetohet në mënyrë më pak teatrale, porse thelbi nuk ndryshon. Edhe Merini është një poete që luan rolin e Shtrigës. Më keq akoma: ajo është e çmendura e derës përbri. E gjykuar, e dënuar, e internuar, e harruar…, me një fjalë “e mërguar” në përmasën e kthjelltë të një çmendurie, ku përfshihet dhimbja e thellë që fshihet pas çdo zgjedhjeje brenda bashkëjetesës shoqërore: Dhimbja e poetit, thotë Merini, lind nga përballja me të tjerët. Dhimbja e thellë lind nga shoqërizimi.

* * *
Dhe sa më tepër luhet ky rol, në jetë a në poezi (poezi që kërkon të jetë në mënyrë të pastër e të thjeshtë paraqitje e kësaj jete), aq më e ngushtë bëhet getoja e vetvetes. Sa më shumë e vë veten në skenë, në mënyrë ironike a provokuese, nga dëshpërimi a zakonësia, aq më shumë është Shtrigë (dhe e çmendur): fiksioni kthehet në ndëshkim. Askush s’e kupton më shmangien që ekziston mes imagjinatës (së nevojshme) dhe realitetit (frikësues). Askush s’e kupton se sa pak confessional është stili, që mban këtë emër.
Ndoshta prandaj ka diçka të trishtë në alegrinë fëminore të Alda Merini-t. Një mjegull që s’arrin të shpërndahet plotësisht, me gjithë diellin e dy syve të kulluar dhe ngrohtësinë e një buzëqeshjeje gjithnjë gati t’ia behë (paksa anarkiste e joracionale) në një fytyrë, ku përzihet dyshimi me naivitetin. Kush e njeh, ruan prej saj një kujtim të pezullt, realisht në zgrip mes gëzimit dhe dëshpërimit. Giorgio Manganelli ka provuar ta shpjegojë këtë karakteristikë të sajën, duke folur për një takim me përsosmërinë e dhimbjes. Një jetë e jetuar në zgrip, ku është shfuqizuar çdo lloj zakoni përditshmërie për t’i lënë vendin (në jetë e në letra) ferrit dhe misterit të natyrshëm të qenies njerëzore…
Në jetën e Alda Merini-t duhet të hysh në majë të gishtave. Edhe ngaqë, nëse dyshon se do t’i vjedhësh sekretin, sekretin e poetit, është gati të të ngrejë barrikada: “Po qe se ndokush kërkon të të kuptojë vështrimin/ Poet mbrohu mizorisht./Vështrimi yt janë njëqind vështrime që ajmè! të kanë/ parë duke u dridhur...” Nuk kursehet të të flasë për të shkuarën e saj, më shumë se dhjetë vjet kaluar në mjerimin poshtërues të një çmendine (përvojë së cilës i rikthehet në mënyrë të vazhdueshme pothuaj në të gjitha shkrimet, por që e rrëfen më hollësisht në një libër të 1986-ës me titullin L’altra verità. Diario di una diversa), e pikërisht për këtë të detyron të jesh më i kujdesshëm. Një lloj respekti për qenien njerëzore më shumë se për poetin.

* * *
Tridhjetë vjetët e parë të jetës së Merini-t kalojnë në vazhdën e një ylli që lind. E magjepsur nga dituria, lexuese e apasionuar librash të çdo lloji, e lidhur pas një mëme të adhuruar, me një bukuri krenare e provokuese, porse të shurdhët ndaj pasioneve letrare të së bijës… Edhe Alda ishte e bukur e plot jetë, njëlloj si poetesha-modele Anne Sexton. Sot, duke qëmtuar të shkuarën, Merini e përshkruan veten me këto fjalë: Prej meje mbeti një trup i etur për jetë dhe enigma ime e madhe qe: pse vallë, megjithëse poete e madhe, u pëlqeja kaq shumë burrave?
U pëlqente burrave të varfër (si endacakut Titano, që jetoi në shtëpisë e saj për katër vjet dhe u kthye të vdiste në rrugë të madhe), por edhe poetëve të njohur, fakt të cilin nuk e ka fshehur kurrë. Duke folur për Quasimodo-n (një nga simpatizuesit e saj të mëdhenj, së bashku me Pasolini-n dhe Maria Corti-n), kujton për shembull me një lloj lehtësie: Kur ia shpura për herë të parë librin La presenza di Orfeo për t’i marrë bekimin, ai, pasi më pa ngultas në sy e pa dëgjuar asnjë fjalë timen, më tha: “Do të bësh dashuri me mua?” Ndërsa Manganelli-t s’ia ka harruar dembelinë tipike të “ëndërrimtarëve të dashurisë”: Dashuri dinte të bënte, veçse nuk e quante të rëndësishme.

* * *
Më 1950 e përfshijnë në Antologia della poesia italiana 1909-1949, publikuar nga Guanda, ndërsa një vit më vonë Scheiwiller i publikon vargjet e saj në librin Poetesse del Novecento. Përmbledhjet e para me poezi La presenza di Orfeo, Paura di Dio, Nozze romane, Tu sei Pietro shënojnë një zë sa lirik, aq edhe origjinal në atë luhatje mes së shenjtës dhe profanes, tensionit mistik dhe shtysës erotike.
Në vitin 1953, njëkohësisht me këtë prolog të lumtur poetik, përpiqet të vërë rregull në jetën personale (Kërkoja një burrë të fortë e të thjeshtë, që të më lidhte me realitetin) duke u martuar me një furrtar, Ettore Carniti-n. Nëse nga njëra anë, mëmësia donte të thoshte për të më shumë ekuilibër, jeta e vështirë - Alda Merini ndihmon të shoqin në furrë, kujdeset për shtëpinë dhe, për të shtuar të ardhurat e familjes, jep mësime private - do të bëhet shkas i një krize nervore, që do ta shenjojë përjetë.
Paqëndrueshmëria mendore, shfaqur fillimisht kur poetja ishte gjashtëmbëdhjetë vjeçe dhe rënduar nga vdekja e së ëmës, bëhet gjithnjë e më e prekshme, duke lënë të dalë në sipërfaqe pjesën më të turbullt dhe agresive të karakterit të saj. “Një ditë shpërtheva, - ka treguar, - theva gjëra e pastaj më ra të fikët. Im shoq u tremb shumë dhe thirri ambulancën. Pa e kuptuar se po firmoste dënimin tim. E pashë veten në ‘Paolo Pini’, në çmendinë. Aty nisi kalvari im i pafund. Në ato kohë, çmendinat ishin si kampe përqendrimi dhe kush hynte s’e dinte si dhe nëse do të dilte më.”
Kur hyn, më 1965, nuk është më “e çmendur” se shumë të tjerë, por shumë shpejt, dozat e mëdha të qetësuesve dhe seancat e elektroshokut lënë pasojat e tyre. Bota mvishet, vullneti shuhet dhe, kur i shoqi i penduar vjen “t’i rikthejë lirinë”, ajo reagon duke u mbështjellë te këmbët e krevatit e nis të kuisë si të qe kafshë.
Depresioni, keqtrajtimet morale, e ndonjëherë edhe fizike, kërcënimi i vazhdueshëm i elektroshokut të përdorur si mjet për t’u kthyer pacientëve një lloj qetësie të jashtme (mjet që anestetizon, por që nuk i shuan emocionet e forta: si atëherë kur mëson që i kanë hequr të drejtën për t’u kujdesur për dy vajzat – i njëjti fat i pat rënë edhe Sexton-it – që u janë besuar dy familjeve të tjera), janë elementë të një tmerri që zgjat pesëmbëdhjetë vjet e që kombinohet me periudha të shkurtra kthimi në shtëpi e rikthimi sërish në spital. Ndodh që Merini të paraqitet në klinikë deri edhe me vullnetin e vet: në ato çaste mendon se është tërësisht e papërshtatshme për të jetuar jashtë. Ndërkohë, e privojnë edhe nga dy vajzat e tjera, të lindura në periudhat kur jetonte jashtë çmendinës. Në vite u shtohen listës së ndjenjave të humbura bashkëshorti i parë (të cilin e donte me gjithë atë çka pat ndodhur), që vdes në vitin 1981, e më pas edhe Michele Pierri, poet e ish-mjek, me të cilin qe martuar më 1983. Këto vetmime të njëpasnjëshme përjetohen nën shenjën e rikthimit te poezia: shkrimtaria si pastrim, si rrugë drejt shërimit.
Edhe pse jeta dhe poezia, sipas saj, duhet të ndahen një herë e mirë nga njëra-tjetra (të qe për mua, do ta shuaja jetën e poetit nga poezia e tij), pikërisht falë poezisë Alda Merini gjen një shteg të mundshme drejt ekzistencës, drejt së ashtuquajturës jetë normale. Nëse në çmendinë i pat qenë e pamundur të shkruante (nuk na jepnin mjete pune, as letër, penë, objekte që mund të transformoheshin në armë), ndodh që pikërisht falë një mjeku të ndjeshëm e inteligjent t’i rikthehet sërish shkrimtarisë.
Kështu nis jeta e poetes së mërguar në shtëpi të vet. Fajit të të qenit krijues, në rastin e saj i shtohet mëkati i të qenit “ndryshe”, mëkat që nuk mund të lahet kollaj... Sa herë ndokush zë të flasë me Alda Merini-n, hija e gjatë e mbylljes në çmendinë turbullon bisedën. Ajo vetë, në mënyrë të kuptueshme, i kthehet asaj përvoje traumatizuese me një denduri që të bën të mendosh se frika e një rikthimi është ende gjallë. Edhe pse sot çmendinat nuk ekzistojnë më. Veç gjurma e asaj dhimbjeje të mprehtë e të kotë, ka mbetur. Dhe ndoshta është mirë të kujtohet.

* * *
Një ditë, në korridoret e studiove të Rai-t, në Romë, menjëherë pas pjesëmarrjes së saj në një transmetim televiziv që e pat lënë të pakënaqur, u takuam për të folur mbi librat La pazza della porta accanto dhe La vita facile, dalë në qarkullim njëri pas tjetrit.
Intervista me të kthehet si me magji në një eksperiencë interesante dhe të re. Merini është e zonja të rikrijojë edhe një gjini gjithsesi të vjetër e të konsoliduar si intervista. Ti arrin me thesin tënd të nocioneve dhe dijeve, me dyshimet e hipotezat që do të vërtetosh. Do të flasësh, as më shumë e as më pak, mbi çmendurinë (pak edhe mbi poezinë) si formë mërgimi dhe ajo, pasi të ka dëgjuar më qetësi, të përgjigjet duke të pyetur nëse rastësisht të ndodhet ndonjë gjë për të ngrënë... Ti provon të ndjekësh logjikën tënde – shpjegon, përpiqesh, lë të kuptosh që i ke lexuar librat e saj, që po mundohesh të vësh pak rregull mes aq shumë ideve – dhe e vë re tek turbullohet e bëhet gjithnjë e më e largët. Shenjë e keqe: po të vazhdojmë kështu, pas pak minutash do ta humbë tërësisht vëmendjen. Dhe ky do të ishte fundi. Më mirë të ndjekësh ritmet e saj, paksa ilogjike dhe, tamam për këtë, herë pas here gjeniale, e më vonë të vësh rregull mes atij kaosi që janë përgjigjet e saj. Është një labirint, brenda të cilit nuk është aq e thjeshtë të orientohesh. Mund të ndodhë gjithçka tek dialogon me këtë zonjë të çuditshme, që ndërsa të flet, të eksploron me sytë e saj të qartë. Mund të ndodhë edhe që, në një çast, të të këqyrë rreptë (por kuptohet që s’e ka me gjithë mend) duke të kërcënuar: “Intervistë është kjo, apo me gjithë këto pyetje do të më rrëmbesh zanatin?”

Përktheu Ilirjana Stringa

12 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›