E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjashtë faktorët që dëmtojnë lëkurën, si ti shmangim



Rrezitja ose nxirja e tepërt e lëkurës mund të kalojë në vartësi, gjendje e njohur si tenoreksi. Është e vërtetë se rrezitja na bën të jemi më të freskët dhe të dukemi më bukur, edhe shkuarja në solarium disa herë nuk mbyt, mirëpo duhet të ekzistojë një kufi dhe të përcaktohet më e rëndësishmja: shëndeti. Nga një anketim i mëparshëm, gjysma e britanikëve kanë pohuar se ndjehen më të shëndoshë kur e kanë lëkurën e errët. Një angleze mesatarisht shpenzon në muaj rreth 400 funta duke shkuar në solarium, ose duke blerë produkte kozmetike, të cilat shkaktojnë nxirjen e lëkurës. Në këtë mënyrë ka lindur edhe një vartësi e kohës moderne: tenoreksia. Tenoreksikët janë të pushtuar nga mbajtja e vazhdueshme e lëkurës së errët. Shkuarjet në solariume janë shumë më të shpeshta në raport me atë që rekomandojnë mjekët. Shkuarja një herë në javë, shumë shpejt bëhet tri herë, pastaj katër dhe në fund çdo ditë. “Është një ndjenjë e përsosur, ngrohtë, era fryn si në plazh, i mbyll sytë dhe madje ka edhe muzikë. Është një moment qetësimi pas një dite të lodhur. Është relaksim. Ndjehem shumë mirë. Ato janë dhjetë minutat e mia të lumtura”,- kështu e përshkruan solariumin një tenoreksike. Mjekët pohojnë se vartësia e tepruar për lëkurë të errët është një lloj çrregullimi i veçantë psikologjik, ku pacienti nuk mund ta shoh veten se është nxirë aq shumë, saqë nuk ka nevojë më për rreze ultravjollcë. Këta persona kur shikohen në pasqyrë, e shohin veten në një mënyrë ndryshe nga ç’i përjeton rrethi shoqëror.
Shmangia e rreziqeve dhe përfitimet
Mënyra më e mirë për të realizuar një ekspozim të mjaftueshëm, për të përfituar prej tij si dhe për të mos i vuajtur kaq shumë dëmet që shkaktojnë rrezet e diellit është që të ekspozosh lëkurën në diell për një kohë të caktuar dhe pastaj ta mbulosh trupin me rroba. Koha për ekspozimin lakuriq ndryshon në mënyrë të konsiderueshme. Një person me lëkurë me ngjyrë mund të qëndrojë më shumë në diell sesa një person me lëkurë të bardhë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për një person që e ka lëkurën të trashë. Ndërkohë duke qëndruar sistematikisht në diell gradualisht do të ngjyroset lëkura dhe do të bëhet më rezistente ndaj rrezeve të diellit, më tolerante. Nëse merr rreze dielli për herë të parë dhe nuk je mësuar me diellin, rreth 10-15 minuta mund të jenë të mjaftueshme. Sidoqoftë, shpesh dëshironi të ekspozoni lëkurën tuaj në rrezet e diellit më gjatë sesa lëkura e pambrojtur mund të tolerojë, dhe në këtë rast duhet të përdorni krem tropikal kundër diellit për mbrojtje nga rrezet. Kremi i diellit siguron mbrojtje të konsiderueshme nga niveli 3 deri në nivelin 30. Faktori mbrojtje supozohet të tregojë sesa kohë mund të rrini në diell me kremin dhe pa kremin në lëkurë. Bëhuni të kujdesshëm, pasi faktori mbrojtës mund të jetë realisht më pak sesa ai që është shkruar mbi produkt. Një balsam me faktor 20 jo gjithmonë e ka këtë faktor. Nëse ti e di se mund të tolerosh gjysmë ore ekspozim pa mbrojtje mos mendo se vërtetë mund të tolerosh 10 orë ekspozim me një balsam të faktorit 20 që ke përdorur. Balsami duhet të vendoset disa herë gjatë kohës kur ekspozoheni në diell. Kjo është e vërtetë sidomos kur notoni, megjithatë balsami nuk duhet të jetë shumë i vjetër në kohë. Fytyra është ajo pjesë e trupit që ka shumë rëndësi të mbrohet nga dielli duke qenë se nuk mbulohet me rroba dhe logjikisht merr ekspozimin më të gjatë në diell. Disa lloje ushqimesh duket se e bëjnë lëkurën më të ashpër përballë ndikimit nga rrezet e diellit prandaj është e mençur të konsumohet më shumë peshk dhe të përdoret më shumë vaj ulliri në dietë. Duhet gjithashtu, të mësoni të rejat për shtresën e ozonit kështu që gjithmonë të mundeni të mbroni lëkurën në stinët kohore kur shtresa e ozonit është e holluar.

Gjashtë faktorët që dëmtojnë lëkurën
Lëkura jonë është gjithmonë e rrezikuar nga agjentët e dëmshëm atmosferikë, temperaturat e ulëta apo ato të larta, edhe nën veprimin e rrezeve ultraviolet, smogu, cigarja apo dhe ndotës të tjerë të gjendur në ambientet që na rrethojnë. Ekspertët e bukurisë dhe të dermatologjisë shpjegojnë mënyrat se si mund të veprojmë për t'u mbrojtur prej tyre, në mënyrë që ta ruajmë sa më të pastër e të bukur lëkurën tonë. Prandaj duhet të zotërojmë armët me të cilat të balancojmë sa më shumë të mundemi efektet negative të këtyre dëmtuesve.
1. Temperaturat e ulëta dhe efekti i tyre
Dimri është shumë i përshtatshëm për të fjetur, po kështu ndodh edhe me lëkurën tonë. Në temperaturat e ulëta metabolizmi i qelizave ngadalësohet dhe lëkura rinovohet më me vështirësi. Jo vetëm kaq, i ftohti tenton të dobësojë filmin hidrolipidik (barriera e mbrojtjes natyrale) dhe vepron në shtrëngimin e kapilarëve. Në këtë mënyrë në fytyrë do të qarkullojë më pak gjak për qelizat.
2. Gjenet dhe plakja
Disa gjene kanë aftësinë që ta mbajnë lëkurën lisho dhe kompakte më gjatë se zakonisht. Plakja kronologjike në krahasim me atë të shkaktuar nga rrezet e diellit, është e lidhur me faktorët biologjik gjenetik të AND-së tonë, të cilat japin instruksione për të ndërtuar organizmin tonë. Për të evidentuar shenjat e kohës që kalon, është mirë që t’i sigurojmë epidermës një hidratim deri në 30-35 vjeç.
3. Stresi “dëmton” lëkurën
Në momentin që kalon një periudhë të vështirë nuk është aspak çudi që lëkura të fillojë të humbasë shkëlqimin dhe butësinë e saj. Truri reagon dhe stresi prodhon disa substanca të quajtura neurotransmetues, të cilat shtrëngojnë enët e gjakut duke shkaktuar një ngadalësim të qarkullimit. Epiderma në këtë kohë bëhet opake dhe rrudhat rreth syve, buzëve dhe gojës theksohen më tepër duke e bërë lëkurën tuaj që të ngjajë më e plakur. E nëse stresit i shtohet edhe një ambient i ndotur qyteti, plakja është padyshim e parakohshme.
4. Duhani dhe nikotina
Të gjithë e dimë se cigarja e rëndon pamjen e lëkurës, duke krijuar rrudha rreth syve, buzëve dhe gojës që krijohen mbas dhjetë vjet pirje e rregullt cigaresh. Nikotina krijon një lloj tape që pengon oksigjenin të hyjë në inde, dhe pa oksigjen qelizat mbeten të uritura dhe nuk arrijnë që të jenë të shëndetshme. Në këtë mënyrë lëkura humbet shkëlqimin, epiderma thahet dhe irritohet plotësisht. Përveç kësaj nikotina prish mikroqarkullimin duke penguar prodhimin e kolagenit dhe të fibrave elastike, prandaj lëkura humbet elasticitetin dhe plaket më shpejt.
5. Dielli dhe rrezet ultravjollcë
Qëndrimi i gjatë në diell dobëson dhe shkatërron lëkurën duke shfaqur njolla, zona super të ndjeshme, mungesë toni. Arsyeja është një përbërës i rrezeve të diellit, rrezet ultraviolet të cilat reagojnë mbi fibrat elastike duke provokuar degjenerimin. Këto tip rrezesh interferojnë në mekanizmin e prodhimit të kolagenit dhe të elastinës, dy fibrat që ndërtojnë dermën. Një ekspozim i tepërt në diell, provokon një dobësim të kësaj strukture që tenton të humbasë elasticitetin dhe butësinë.
6. Smogu dhe ajri i ndotur
Jetesa në një qytet të madh të bën që çdo ditë të jesh e detyruar të bësh llogaritë me ndotjen. Ajri që të rrethon dëmton shtresën mbrojtëse të lëkurës dhe në të njëjtën kohë depozitohen mikrograme dhe substanca toksike në formë pluhurash metalikë të padukshëm. Në këtë fushë beteje padyshim që fytyra është ajo që ekspozohet më tepër: ndotet dhe merr një ngjyrë gri në kaf. Pa llogaritur këtu rreziqet e zhvillimit të alergjisë. Në epidermat më të ndjeshme, akumulimi i substancave të jashtme mund të shkaktojë irritime të bezdisshme antiestetike.

Përgatiti: Jonida Tashi

Të rejat nga shkenca
Marihuana në moshë të re shkakton probleme mendore

Qeveria amerikane ka dhënë informata sipas së cilave kombinimi i rrezikshëm i depresionit, adoleshencës dhe marrjes së marihuanës mund të sjelli deri te vartësia, sëmundjet mentale dhe tendencat vetëvrasëse. Departamenti për kontrollimin e drogës, pranë Shtëpisë së Bardhë, ka paralajmëruar se tinejxherët, të cilët janë në depresion kanë mundësinë dy herë më shumë që ta provojnë marihuanën në krahasim me ata të cilët nuk janë në depresion edhe atë në raport prej 25 për qind ndaj 12 për qind. Derisa pirja e marihuanës mund të shkaktojë shumë probleme serioze. Konsumimi i marihuanës rrit rrezikun për sëmundje mentale për 40 për qind, ndërsa tinejxherët të cilët kanë pirë marihuanë së paku një herë në muaj brenda një viti, tri herë më shumë mendojnë për vetëvrasje.

12 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›