E Diel, 1 Nëntor 2026

The New York Times: “Një javë para vdekjes, Shehu takoi personalitete të huaja”

Flasin diplomatët shqiptarë dhe perëndimorë. Pse nuk u zhvillua ceremoni funerale. Thashetheme nga Beogradi flisnin se Mehmet Shehu kërcënoi me armë Hoxhën

UASHINGTON - Megjithëse vazhdon spekulimi rreth vdekjes së kryeministrit të Shqipërisë, Mehmet Shehu, nuk ka dalë ndonjë e dhënë e fortë që të sfidojë versionin zyrtar se ai kreu vetëvrasje. Zoti Shehu, i cili ishte për 25 vjet krahu i djathtë i udhëheqësit shqiptar, Enver Hoxha, është raportuar zyrtarisht se ka kryer vetëvrasje në natën e 17 dhjetorit, në një “moment krize nervore”.
Këtë javë vendi i zotit Shehu është zëvendësuar nga Adil Çarçani, që ka qenë zëvendëskryeministër që nga viti 1974. Disa gazeta në Jugosllavi, të cilat ishin përfshirë në një luftë fjalësh me Shqipërinë rreth minoritetet etnik shqiptar në provincën jugosllave të Kosovës, kanë hedhur dyshime rreth informacioneve zyrtare shqiptare se zoti Shehu bëri vetëvrasje.
Revista e përjavshme “NIN” citon burime Perëndimore dhe konstaton se atë e kishin vrarë ose e detyruan që të vriste veten pas një konflikti, rreth politikës që duhej të ndiqej në të ardhmen, me zotin Hoxha në mbledhjen e Komitetit Qendror; e konkretisht për çështjen e hapjes së Shqipërisë ndaj botës.
Publikohet raporti në vijim
Në një raport të mëvonshëm, revista konstaton, por pa dhënë burimin, se Mehmet Shehu ishte qëlluar kur ai i kishte drejtuar pistoletën zotit Hoxha në mbledhjen e Komitetit Qendror. Revista “NIN” dhe media të tjera jugosllave theksojnë se atje nuk ishte mbajtur zi kombëtare dhe se nuk ishte zhvilluar funeral shtetëror, por ishte publikuar vetëm një nekrologji e përmbledhur në gazetën partiake “Zëri i popullit”, në vend që të shprehnin vlerësime për njeriun që kishte qenë një nga kandidaturat më të besueshme për të zëvendësuar zotin Hoxha.
Në kundërshtim, kur vdiq Hysni Kapo, në vitin 1979, një tjetër udhëheqës i lartë shqiptar, ai ishte përcjellë me një ceremoni funerale shtetërore për në Varrezat e Dëshmorëve që nga qendra e Tiranës, kryeqyteti i vendit.
Diplomatët shqiptarë këtu thonë se nuk ishte një ditë zie kombëtare për shkak se veprimi i zotit Shehu konsiderohej një akt i “turpshëm”, “i drejtuar kundër partisë”. Prandaj prehja në Varrezat e Dëshmorëve ishte tjetër problem për zotin Shehu, thonë ata.
Ata shtojnë se atje kishte pasur pak vetëvrasje nga zyrtarët që nga fillimet e para të partisë në vitin 1941, edhe pse ata mund të kishin qenë të kërcënuar në një mënyrë të ngjashme.
Diskutohet për sëmundjen e papërcaktuar
Një diplomat shqiptar këtu (në SHBA, - shën. red.) tha se atje kohët e fundit nuk ishte zhvilluar ndonjë mbledhje e Komitetit Qendror përpara vdekjes së kryeministrit. Ai hodhi poshtë spekulimet për një luftë për pushtet brenda partisë.
Diplomatët shqiptarë thonë se zoti Shehu kishte qenë mjekuar tri herë në Francë që në fillimet e vitit 1970, për një sëmundje ende të paspecifikuar. Ka gjasa të ketë qenë kancer; dhe spekulohet se kjo mund të ketë qenë arsyeja që solli më pas shkatërrimin nervor të tij.
Kjo ngjarje ishte e befasishme dhe vuri në mëdyshje diplomatët Perëndimorë. Në ditët para vdekjes së tij, zoti Shehu priti vizitorë të huaj të rëndësishëm; përfshirë zëvendëskryeministrin rumun Cornel Burtica dhe një delegacion ekonomik grek.
“Në Kongresin e Partisë së Punës së Shqipërisë, të mbajtur në nëntorin e vitit të kaluar, zoti Shehu shfaqi pjekurinë e tij, por foli me një ton të prerë, ndonëse pati përpjekje për bllokimin e shpërndarjes së fjalimit të tij”, - thonë burime diplomatike.
Vitin e kaluar, zoti Shehu, i cili luftoi në Luftën Civile të Spanjës dhe më pas me forcat partizane shqiptare në Luftën e Dytë Botërore, dha dorëheqjen nga posti i tij shtesë i ministrit të Mbrojtjes. Por, lëvizja nuk ishte dukur si reflektim i ndonjë pakësimi të partneritetit Hoxha-Shehu.
Nuk duken shenja fërkimesh
Diplomatët Perëndimorë thonë se nuk kishin informacione të besueshme për dyshime në skemën rreth versionit shqiptar të ngjarjeve. “Nëse përflitet diçka, - thonë diplomatët, - ata nuk kishin të dhëna të një ndarje midis dy drejtuesve shqiptarë; pasi të dy ata u përkushtuan në linjën besnike”. Në fjalimin e mbajtur në Kongresin e nëntorit, zoti Hoxha theksoi se Shqipëria kishte zgjeruar marrëdhëniet e saj me vendet e tjera, veçanërisht pas ndarjes së saj me Kinën në vitin 1978, dhe do të vazhdojë të zhvillojë këtë politikë.
Ai kishte thënë fjalë të ngrohta për Greqinë, Turqinë, Francën, vendet skandinave dhe vendet neutrale të Europës. Madje ai sinjalizoi një ndryshim në drejtim të Gjermanisë Perëndimore, duke thënë se atje nuk kishte pengesa të pakapërcyeshme për vendosjen e marrëdhënieve me Bonin zyrtar.

Artikulli është marrë nga agjencia e lajmeve “Reuters”
Shkrimi është publikuar në “The New York Times” më 17 janar 1982
Titulli është redaksional: Titulli origjinal është: “Questions over albanian’s death unresolved”

Përgatiti: Albert Gjoka

Në numrin e ardhshëm do të ndiqni

Enver Hoxha e akuzon Mehmetin një javë pas vdekjes si agjent të rrezikshëm të amerikanëve, rusëve dhe jugosllavëve

Henry Kamm, fitues i çmimit “Pulitzer” në gazetari, analizon situatën në Shqipëri një vit pas vdekjes misterioze të Shehut

Si e analizoi gazetari amerikan fjalimin e Enver Hoxhës të mbajtur në kohën e zgjedhjeve në nëntorin e vitit 1982

Mesazhi i Hoxhës për jugosllavët: “Mos luani me zjarrin, se do të digjeni vetë”. Ai akuzon për dhunë ndaj shqiptarëve të Kosovës

Për më shumë, na ndiqni në numrin pasardhës

12 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›