Thimjo Kondi: “Gjyqtarët tani janë më të përgjegjshëm”
Tiranë - Thimjo Kondi ka realizuar një pritje me rastin e Ditës së Drejtësisë, duke qenë të pranishëm jo vetëm gjyqtarë dhe personalitete të Drejtësisë shqiptare, por edhe ajo amerikane.
“Zgjedhja e kësaj date nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare dhe rregullimi i mëvonshëm me ligj, nuk është e rastësishme. Ajo përfaqëson një simbolike kuptimplotë që merr shkas nga një ngjarje e rëndësishme historike. Vetëm disa muaj pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, pikërisht me 10 maj 1913, qeveria e Ismail Qemalit miratoi dekretin e saj të titulluar “Kanuni i Zhurisë” i cili konsiderohet akti i parë juridik për organizimin e funksionimin e gjykatave të shtetit të pavarur shqiptar.
Qe atëherë kanë kaluar plot 95 vjet, gjatë të cilave edhe Drejtësia, ashtu si vetë shteti dhe shoqëria shqiptare, u rezistoi dallgëve të historisë dhe mbijetoi”, kështu e nisi fjalën e tij kreu i Gjykatës së Lartë, Thimjo Kondi. Më tej ai shtoi se në këto përpjekje asnjëherë nuk na ka munguar ndihma e miqve tanë të shumtë nga Europa dhe SHBA-tëq. Nuk është e rastit që edhe sivjet në veprimtaritë me rastin e Ditës së Drejtësisë na nderojnë me pjesëmarrjen e tyre. Sipas Kondit, ne të gjithë, jemi të ndërgjegjshëm që Drejtësia, ashtu si gjithë politika, ekonomia apo shoqëria shqiptare në tërësi, krahas arritjeve, ka ende mjaft probleme, mangësi e sfida për të përballuar. “Në këtë festë të Drejtësisë, me cilësinë e kryetarit të Gjykatës së Lartë dhe të kryetarit të Konferencës Gjyqësore Kombëtare, dua të shpreh edhe një herë besimin dhe bindjen se masa e gjerë e gjyqtarëve të ndershëm e të përgjegjshëm të Republikës, do të dijë të gjejë forcë e energji te vetja për t`u aftësuar, për t’u vetëkorrigjuar e reformuar, si dhe për të flakur nga radhët e veta të paaftë”, - ka përfunduar fjalën e tij kryetari i Gjykatës së Lartë, Thimjo Kondi.
12 Maj 2008