E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lavdia e pasioneve të forta



Napoleoni, Julisis S. Granti, Robert A.Tafti dhe Hubert Hemfri mendohet të jenë sëmurë nga kanceri pas disfatës politike dhe shembjes së ambicieve të tyre. E vdekjet nga kanceri të atyre, të cilët nuk mund të thuhet se kanë qenë humbës, si Frojdi dhe Vitgenshtajni, mendohet të jenë hakmarrja e një jete të kaluar, duke hequr dorë nga plotësimi i dëshirave të diktuara nga ndjenjat. (Pakkujt i kujtohet se Remboja ka vdekur nga kanceri.) Nga ana tjetër, sëmundja që ia mori jetën Kitsit, Poesë, Çehovit, Emil Brontes dhe Zhan Vigosë ishte aq apoteozë, sa edhe shprehje dështimi.
Susan SONTAG

Më në fund, ka ardhur koha që fatkeqësia e sëmundjes të pastrojë rrugën për t’i hedhur një sy vetëmashtrimit dhe dobësive të karakterit. Gënjeshtrat që mbulojnë agoninë e stërzgjatur të Ivan Iliçit – kanceri është sëmundje që nuk duhet përmendur në sy të gruas e të fëmijëve – i tregojnë këtij gënjeshtrën që e ka ndjekur gjithë jetën; për herë të parë, kur po vdes, ai është brenda së vërtetës. Nëpunësi gjashtëdhjetëvjeçar në filmin Ikiru të Kurosavës, lë punën kur mëson se ka kancer të pashërueshëm në stomak dhe, duke u dalë zot banorëve të lagjeve të kolibeve, lufton me burokracinë së cilës më parë i ka shërbyer. Vetëm një vit jetë i ka mbetur, po Vatanabe do të bëjë diçka që të vlejë, do të shpërblejë jetën e rëndomtë që ka bërë.
Në Iliada dhe Odiseja sëmundja del edhe si ndëshkim i natyrshëm, si hakmarrje e demonit, edhe si pasojë e shkaqeve të natyrshme. Për grekët sëmundja mund të ishte e merituar ose e pamerituar ( për një gabim individual, për një shkelje kolektive ose për një krim të stërgjyshërve). Me ardhjen e Krishtërimit, i cili vuri koncepte më moralizuese për sëmundjen, por edhe për gjithçka tjetër, u përpunua dalëngadalë një përshtatje më e ngushtë midis sëmundjes e viktimës. Nga ideja e sëmundjes si ndëshkim, lindi ideja se sëmundja mund të jetë edhe ndëshkim i drejtë. Gërbula e Kreseidës në Testamin e Kreseidës të Henrisonit dhe lia e Madamë dë Merëjit në Lidhjet e rrezikshme zbulojnë fytyrën e vërtetë të bukuroshes gënjeshtare – zbulim krejt i padëshiruar.

* * *
Në shekullin XIX, nocioni se sëmundja i përshtatet karakterit të të sëmurit, si ndëshkim i bashkëmatet karakterit, u zëvendësua nga nocioni se sëmundja shpreh karakterin. Sëmundja është produkt i vullnetit. ‘Vullneti shfaq veten në një trup të organizuar’, shkruante Shopenhaueri, ‘dhe prania e sëmundjes do të thotë se vullneti vetë është i sëmurë.’ Shërimi nga sëmundja varet nga vullneti i shëndoshë, që merr fuqi diktatoriale për të mposhtur forcat rebele të vullnetit të sëmurë.
Sipas idealit paramodern të karakterit të ekuilibruar, mundësia shprehëse mendohet të jetë e kufizuar. Sjellja përcaktohet nga mundësia e saj për të kaluar caqet. Kështu, kur Kanti përdor figurativisht kancerin, këtë e bën si metaforë të ndjenjave të tepruara. ‘Pasionet janë kancere të arsyes së thjesht praktike dhe shpesh të pashërueshme’, shkruante Kanti në Antropologji. ‘Pasionet janë ... mënyra të mbrapshta sjelljeje të mbarsura me shumë të liga’, shtonte ai, duke përmendur edhe një herë lidhjen e lashtë metaforike midis kancerit e mbarsjes. Kur Kanti i krahason pasionet (dmth, ndjenjat e tepruara) me kancerin, natyrisht që ka parasysh kuptimin paramodern të sëmundjes dhe vlerësimin pararomantik të pasionit. Mirëpo nuk kaloi shumë kohë dhe ndjenjat e tepruara zunë të shihen në dritë shumë më pozitive. ‘S’ka njeri në botë më të pazotin të fshehë ndjenjat, sesa Emili’, thoshte Rusoi, që këtë e kishte si kompliment.
Kur shihen si diçka pozitive, ndjenjat e tepruara nuk krahasohen më (për t’i qortuar) me një sëmundje të tmerrshme. Përkundrazi, vetë sëmundja shihet si përçuese e ndjenjave të tepruara. Turbekulozi është sëmundja që shfaq dëshirën e fshehur, që zbulon, me gjithë kundërshtimin e individit, atë që individi nuk do ta zbulojë. Kontrasti nuk është më midis pasioneve të tepruara dhe pasioneve të matura, po midis pasioneve të fshehura e pasioneve të shfaqura. Sëmundja zbulon dëshira që, ka të ngjarë, i sëmuri nuk i di as vetë. Sëmundjet, dhe të sëmurët, bëhen objekt interpretimi. E tani këto pasione të fshehura shihen si burim i sëmundjes. ‘Kush dëshiron e nuk vepron, i jep shkas sëmundjes’, shkruante Blejku në Fjalët e urta të skëterrës.
Romantikët e parë kërkonin epërsinë mbi të tjerët duke dëshiruar, dhe duke dashur për të dëshiruar, më fort se të tjerët. Pazotësia për t’i realizuar këto ideale vitaliteti e spontaniteti të përsosur, e bënte tjetrin kandidat ideal për turbekulozin. Romantizmi i sotëm niset nga parimi i kundërt: të tjerët janë ata që dëshirojnë fort, kurse unë vetë (tregimi nuk mund të bëhet veçse në vetën e parë) kam pak ose nuk kam dëshirë fare. Kemi pararendës të unit romantik modern të ndjeshmërisë në romanet ruse të shek. XIX (Peçorini i Heroit të kohës sonë nga Lermontovi, Stavrogini i Të djemnuarve nga Dostojevski); por ata janë prapë heronj, të shqetësuar, të hidhëruar, vetëshkatërrues, të munduar nga pandjeshmëria. (Edhe paraardhësit e tyre të zymtë e të vetëpërqendruar, Rokanteni i Krupës së Sartrit dhe Mërsoni në I huaji të Kamysë, vuajnë nga pandjeshmëria.) Antiheroi pasiv e ndjenjëzhveshur, që mbisundon në romanet bashkëkohore amerikane, është krijesë e rutinës së rregullt ose e vesit të pandjeshëm; jo vetëshkatërrues, por i matur, trilleshumë, i hedhur, mizor, thjesht i shkëputur nga shoqëria. Sipas mitologjisë bashkëkohore, kandidat ideal për kancerin.

* * *
Mund të mos duket shumë moralizuese ta shikosh sëmundjen si ndëshkim që i përshtatet karakterit moral objektiv dhe ta bësh atë shprehje të brendshme të vetvetes. Mirëpo kjo pikëpamje del se është po aq, në mos më shumë, moralizuese e ndëshkuese. Me përhapjen e sëmundjeve bashkëkohore (dikur turbekulozi, sot kanceri), ideja romantike se sëmundja shpreh karakterin, do s’do, shtrihet në pohimin se karakteri shkakton sëmundjen, pasi nuk ka arritur të shprehë vetveten. Pasioni tërheq përbrenda, duke goditur e shuar qelizat në thellësinë e tyre. “Vetë i sëmuri ia ndjell vetes sëmundjen”, shkruante Grodeku, “ai bëhet shkak i sëmundjes dhe s’kemi përse të kërkojmë ndonjë tjetër.”
Sipas formulimit të Karl Meningerit, që është formulimi më i fundit: “Pjesërisht, sëmundja është ajo që bota i ka bërë viktimës, por kryesisht është ajo që viktima ka bërë me botën dhe veten e vet.” Me këto pikëpamje absurde e të rrezikshme bëhen përpjekje për t’ia ngarkuar të sëmurit barrën e sëmundjes, jo vetëm për të dobësuar aftësinë e të sëmurit për të kuptuar shtrirjen e mundshme të mjekimit, por si rrjedhim, edhe për ta larguar të sëmurin nga mjekimi. Kështu thonë se mjekimi varet kryesisht nga aftësia e të sëmurit për të dashur vetveten, aftësi e provuar më kot ose e dobësuar. Më 1923, një vit para se të vdiste, Kathrin Menfilldi shkruante në Ditar: “Ditë e mbrapsht... dhembje të tmerrshme e dobësi. S’mund të bëja asgjë. Dobësia nuk ishte vetëm fizike. Duhet të shëroj veten time, dhe vetëm atëherë do të jem mirë.” Menfilldi nuk mendon vetëm se vetja e ka bërë të sëmurë, por edhe se ka mundësi të shërohet nga sëmundja e mushkërive, po të jetë e zonja të shërojë veten.
Si miti i turbekulozit, ashtu edhe miti i tanishëm i kancerit nisen nga premisa se i sëmuri është i papërgjegjshëm për sëmundjen e vet. Po figurat e krijuara rreth kancerit janë shumë më të rënda. Duke marrë parasysh vlerat që përdoren për të gjykuar karakterin e sëmundjes, ka njëfarë ‘lavdie’ të kesh një sëmundje që vjen nga ndrydhja e emocioneve – turp që e kanë përhapur pikëpamjet e Grodekut, Rajhut e shumë shkrimtarëve të ndikuar prej tyre. Mendimi se kanceri është sëmundje e paaftësisë së të shprehurit, e dënon të sëmurin, duke ngjallur mëshirë, por edhe përbuzje. Në poemën e Oudenit të vitit 1930, Mis Gi ‘kalonte pranë çifteve të dashuruara dhe kthente kokën për të mos i parë’. Pastaj: ‘Netët e ditët u rrokullisën si dallgët rreth një anijeje të mbytur’, dhe erdhi një kohë që ajo të shkonte te mjeku për t’u ankuar për ‘një dhembje të tmerrshme’. Pasi e vizitoi, mjeku tha vetëm: ‘Përse s’ke ardhur më parë?’ Pastaj, kur mbeti vetëm, mjeku tha me vete: ‘Kanceri është çudi e madhe. Askush nuk ia di shkakun, sido që disa thonë se e dinë. Është si një vrasës i fshehur që pret të godasë. E marrin gratë pa fëmijë dhe burrat që dalin në pension, sikur forca krijuese e ndrydhur diku duhet të shpërthejë.’
Napoleoni, Julisis S. Granti, Robert A.Tafti dhe Hubert Hemfri mendohet të jenë sëmurë nga kanceri pas disfatës politike dhe shembjes së ambicieve të tyre. E vdekjet nga kanceri të atyre, të cilët nuk mund të thuhet se kanë qenë humbës, si Frojdi dhe Vitgenshtajni, mendohet të jenë hakmarrja e një jete të kaluar, duke hequr dorë nga plotësimi i dëshirave të diktuara nga ndjenjat. (Pakkujt i kujtohet se Remboja ka vdekur nga kanceri.) Nga ana tjetër, sëmundja që ia mori jetën Kitsit, Poesë, Çehovit, Emil Brontes dhe Zhan Vigosë ishte aq apoteozë, sa edhe shprehje dështimi.
Përktheu Zef Simoni

12 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›