Anglishtja në shkolla, nga shtatori mësim me tekste britanike dhe DVD
Tiranë - Anglishtja në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme, duke filluar nga shtatori i këtij viti, do të mësohet kryesisht me tekste të botuesve britanikë. Ky ka qenë një synim i Ministrisë së Arsimit në kuadrin e nismës “Shqipëria anglishtfolëse” dhe është realizuar gjatë përzgjedhjes së librave shkollore në procesin Altertekst 2008. Nga 68 tekste të anglishtes të miratuara, 40 i përkasin këtyre dy botuesve britanikë të specializuar Ekspres Publishing dhe Macmillan. Këta dy botues do të ofrojnë edhe DVD që mësimdhënia të realizohet me teknikë audio/video. Gjithashtu, Ekspres Publishing dhe Macmillan në shkollat ku do të përdoren tekstet e tyre do të ofrojnë trajnim të specializuar për mësuesit. Këto tekste janë konceptuar në linjë, pra që fillojnë nga klasa e tretë fillore deri në vitin e fundit të gjimnazit. Sipas MASH-it, kjo do të rrisë dhe koherencën e librave përkatës për nxënësit që avancojnë nga klasa në klasë. Ky është një kontribut shumë i rëndësishëm edhe për objektivat e nismës “Shqipëria- anglishtfolëse”, sepse jo vetëm nxënësit, por dhe mësuesit do të kenë metodikë cilësore që do t’i ndihmojë për arritjen e objektivave mësimore. Ndërkohë kjo praktikë e suksesshme dhe risi pozitive për shkollat tona, do të shqyrtohet nga Ministria në mënyrë që vitin e ardhshëm të përfshihen librat shkollorë jo vetëm nga botuesit francezë të teksteve për gjuhën frënge, por edhe me gjerë.
Urgjenca e Tiranës, padi në prokurori për 150 numra telefoni
Tiranë - Urgjenca e Tiranës ka paditur 150 numra telefoni nëpërmjet të cilëve qytetarë të ndryshëm bllokojnë në mënyrë të vazhdueshme linjën 127, çka është një shqetësim për mjekët, por ka edhe një kosto shumë të madhe në drejtim të efikasitetit të shërbimit mjekësor. Drejtori i Autoritetit Rajonal Shëndetësor (ASHR), Mëhill Gecaj, bëri të ditur dje, padinë që ka dërguar në prokurori për këtë problem. Shërbimi i Urgjencës së Tiranës ka shprehur shqetësimin, pasi shpesh herë numri pa pagesë 127, ku informohet për rastet emergjente shëndetësore të qytetarëve, bllokohet në mënyrë të qëllimshme nga qytetarë të pandërgjegjshëm, të cilët fyejnë mjekët apo japin adresa të rreme. Sipas Mëhill Gecajt, numrat e telefonit që bllokojnë në mënyrë të vazhdueshme linjën e shërbimit të urgjencës janë evidentuar nëpërmjet një aparature të posaçme të vendosur në ambientet e Urgjencës së Tiranës. Për numrat e verifikuar është kërkuar nga prokuroria procedim penal.
12 Maj 2008