E denoncon gruaja, prangoset tiranasi
Sherri mes një çifti tiranasish ka vënë në alarm policinë e Durrësit dje. Sipas burimeve zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Durrësit, një burrë është prangosur pas denoncimit nga e shoqja për dhunë, kanosje dhe rrëmbim të fëmijëve. Burimet policore saktësuan se kanë shoqëruar shtetasin Gazmend Gazheli, lindur dhe banues në Tiranë, pasi ndaj tij është bërë një denoncim nga bashkëshortja, Stela Gazheli. Gruaja, prej disa ditësh ishte strehuar në shtëpinë e tezes së saj, në Durrës, bashkë me dy fëmijët, për shkak të dhunës që ushtronte bashkëshorti. Por dje, sipas policisë, Gazmend Gazheli ka shkuar në shtëpinë ku Stela dhe fëmijët strehoheshin dhe pasi ka dhunuar gruan dhe e ka kërcënuar me një thikë, ka marrë fëmijët dhe ka shkuar në shtëpinë e tij në Tiranë. Gruaja ka bërë menjëherë denoncimin në policinë e Durrësit, e cila në bashkëpunim edhe me policinë e kryeqytetit ka bërë të mundur kapjen e Gazmend Gazhelit. Dje pasdite ai është dërguar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Durrësit për t‘u pyetur një lidhje me ngjarjen.