E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjinushi: Dosjet, blof i Berishës. Emërimi i prokurorëve bëhet me ligj organik

Kryetari i PSD-së, Skënder Gjinushi, komenton për "Shqip" tentativën e Partisë Demokratike për të penalizuar kategoritë e caktuara si gjyqtarë dhe prokurorë, për shkak të veprimtarive para vitit 1990. Sipas Gjinushit, "PD-ja ngatërron hapjen e dosjeve dhe panalizimet e kategorive të caktuara që i kanë shërbyer regjimit komunist, të cilat nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën dhe pjesën e errët të padukshme, Kryeministri s‘do ta bëjë të dukshme dhe merret pastaj me ish-prokurorët".

Zoti Gjinushi, si e gjykoni vendimin e fundit të Partisë Demokratike për hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit?

E para, nuk ka të bëjë me spiunët, por ka të bëjë me penalizimet e kategorive të caktuara, për shkak të veprimtarive të mëparshme fizike para vitit 1990. Ky ligj, i cili nuk është i këshillueshëm, konsiderohet si ligj emergjent, që është përdorur vetëm në periudhat postfashiste. Ai u përdor njëherë në 1996-ën e vitin 2001 dhe mori edhe një ringjallje klasore sipas metodës së Partisë Demokratike. Kujtoj që të gjitha vendeve të Lindjes u është këshilluar që këto lloj ligjesh të jenë vetëm për një periudhë 5-vjeçare. Si në 1996-ën, 2005-ën, ashtu edhe në 2009-ën PD-ja nuk e bën ligjin në periudhën kur qeveris, por e bën në mbyllje mandati. Pra, bashkëpunon me lloj-lloj kategorish, për shkak të interesave dhe më pas nis pastrimin vetëm për lojë politike. PD-në gjithmonë e ka tmerruar hapja e dosjeve. Ajo s‘guxoi ta bëjë asnjëherë një gjë të tillë, as në 1992-shin dhe as sot. Hapen apo mbyllen dosjet, pavarësisht se ato janë keqpërdorur, janë përdhunuar, por në çdo rast, në qoftë se PD-ja u intereson le t‘i hapi ato të vetat. Por ky është një veprim djallëzor për t‘i përafruar këto dy kategori. Është anti-Evropë, sepse Evropa ka sugjeruar që ky ligj kur u bë në 1996-ën, të mbyllet sa më shpejt dhe ai u mbyll në 2001-in. Dy herë nuk mund të bëhet i njëjti penalizim.

Në fakt, Partia Demokratike ka mbrojtur draftin e saj, duke thënë se ky ligj synon të nxjerrë jashtë prokurorët dhe gjykatësit komunistë. A do të sillte një tensionim të politikës një gjë e tillë?

Po mjekët komunistë, po sociologët komunistë? Nuk ka gjyqtarë dhe prokurorë komunistë pas 15 vjetësh. Nuk mund të pranohen ligje të tilla, absolutisht. Kush është kriteri? Pse një sekretar prej 25 vjetësh aktivitet qenka më i mirë se sa një prokuror që ka punuar dy vjet para viteve ‘90-të. Kjo është qesharake, absurde. Nuk pranohen dënime kolektive. Ky ligj në ekstrem pranohej në ‘92-shin, ka veprimtari të përkohshme dhe kjo përkohësi mbaroi dhe nuk mund të bëhet për herë të dytë. Do të shtoja që fakti se ai synon prokurorë-gjyqtarë, që nuk ka qenë kategoria më hierarkike e sistemit, se ata kanë qenë sekretarët dhe partia në radhë të parë, si shoku Sali, tregon se ata janë të tmerruar nga dosjet e mëdha që kanë për korrupsionin. Pra për çështjen "Fazliç" sulmohet prokuroria, për çështjen "Durrës-Kukës" sulmohet prokuroria, del një çështje tjetër dhe po përsëri sulmohet prokuroria. Pra, këta vazhdimisht e sulmojnë prokurorinë dhe tani mendojnë ta bëjnë një fakt të tillë. Ata lodhen kot, sepse kriteret e nenit të qëndrimit të prokurorëve janë në ligjin e prokurorisë. Kriteret e emërimit dhe qëndrimit të gjyqtarëve janë në ligjin për organizimin e gjyqësorit. Këto dy ligje janë ligje organike, janë me 60%, kështu që Aldoja t‘i bjerë kambanës dhe Saliu patkoit, sepse ky ligj i zakonshëm nuk mund t‘i konkurrojë dy ligje bashkë. Pra mender s‘do bëjnë dot gjë.

Zoti Gjinushi, është folur shumë ndër vite që të hapen dosjet e Sigurimit, ndërkohë që asnjëherë ato nuk janë hapur. A do të arrijë këtë herë Kuvendi t‘i miratojë këtë ligj?

Partia Demokratike kastile i ngatërron të dyja. Këto janë penalizime për shkak të aktivitetit. Kjo aplikohet edhe për hierarkinë e lartë për një periudhë të përkohshme. Kanë kaluar 18 vjet dhe pas gjithë këtyre viteve edhe hajdutët, edhe tentativat për vrasje parashkruhen. Pas bërjes së Kushtetutës, një ligj i tillë nuk mund të qëndrojë më. Hapja e dosjeve është një pjesë tjetër. Ato kanë të bëjnë me një veprimtari të panjohur, pra jo publike. Pra, kush ka dosje ka një aktivitet që opinioni nuk mund t‘ia dijë. Aktivitete të tjera që kanë pasur prokurorët, gjyqtarët, sekretari i partisë, Saliu i di dhe nuk i fsheh dot, sepse është një aktivitet publik brenda një sistemi. Pra dallojnë esencialisht. Kjo nuk zbardh një të vërtetë, nuk bën asgjë, veçse penalizon. Ky i ngatërron kastile. Me dy rreshta bëhet ligji i hapjes së dosjes, gjithkush ka të drejtë të dijë, dhe të përcaktohet deri në kategori, hapjen e dosjeve në bazë të kërkesave. Por Saliu, i cili vazhdon të qeverisë me frymë të vërtetuar, kuptohet që s‘ka asnjë lloj interesi. Ai ka ngelur tek ‘91-shi, 18 vjet se pastroi dot.

Në fakt, mediatikisht, por edhe nga kampi blu është përmendur se ky ligj mbron individë të veçantë, ku është përmendur edhe emri juaj. Si e gjykoni ju këtë?

Ǒlidhje ka kjo! Këtu flitet për dosjet, apo për aktivitetet. Për mua e dinë të tërë që kam qenë, mburrem që kam qenë, se kam bërë punë më të mirë se çfarë bën Saliu sot. Por kjo s‘ka të bëjë aspak. Dosjet janë për Sigurimin, kurse këto penalizimet që kanë të bëjnë me të shkuarën janë një sëmundje foshnjore e shokut Sali. Ligjin për hapjen e dosjeve, Saliu nuk e ka bërë asnjëherë. Kjo që po bëhet aktualisht është gjë tjetër. Është penalizim për një kategori të caktuar, që sipas Kushtetutës s‘ka njeri që ta bëjë. PD-ja ia fut kot, sepse ngatërron këto dy kategori shumë esenciale që nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën dhe pjesën e errët të padukshme, Kryeministri s‘do ta bëjë të dukshme dhe merret pastaj me ish-prokurorët. Ka pasur 18 vjet kohë, por se ka bërë atë gjë, sepse ka shumë ish-a që i ka ekspertë të ligjit, të kësaj kategorie dhe që ligje organike e ligje në fuqi e zhvlerësojnë çdo votim të shokut Sali.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›