E dënuar në Maqedoni, prangoset në Shqipëri
E dënuar në Maqedoni për mashtrim, kapet në Shqipëri, pas katër vjetësh. Policia e Tiranës bëri të ditur për mediat se nga efektivët e seksionit Kundër Krimit Ekonomik e Financiar është bërë dje ndalimi i Dallëndyshe Mihaxhirit, 41 vjeçe, lindur në Tiranë dhe banuese në Fushë-Krujë. Ndalimi i saj është bërë pasi me vendim numër 579, të vitit 2008, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka vendosur njohjen e vendimit penal numër 1826/2, datë 9 nëntor 2005, të Gjykatës Themelore II (e Maqedonisë) për Dallëndyshe Mihaxhirin, e cila, sipas këtij vendimi, është dënuar me dy vjet burgim për veprat penale të "mashtrimit", parashikuar nga nenet 274/3 dhe 22 të Kodit Penal të Republikës së Maqedonisë. Gjithashtu Gjykata e Tiranës ka bërë njohjen e këtij vendimi dhe njëkohësisht ka caktuar si dënim për këtë qytetare një vit burg, për veprën penale të "mashtrimit", parashikuar nga neni 143/1 i Kodit Penal. Në lidhje me këtë vendim, Prokuroria e Tiranës në muajin janar 2009, ka nxjerrë urdhrin e ekzekutimit për Dallëndyshe Mihaxhirin. Pas arrestimit, ajo është dërguar në qeli.