E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjyqtarët, politikës: Hartoni ligjin për Konferencën Gjyqësore

Gjyqtarët e Republikës së Shqipërisë, të mbledhur dy ditë më parë në një takim konsultativ, i bëjnë thirrje tri pushteteve, Gjyqësorit, Ekzekutivit dhe Legjislativit, të hartojnë në një kohë sa më të shpejtë ligjin për funksionimin e Konferencës Gjyqësore Kombëtare. Në prani të përfaqësuesve të organizatave ndërkombëtare, gjyqtarët hartuan një rezolutë të përbashkët, ku i kërkonin Presidentit të Republikës, Kuvendit, Këshillit të Ministrave dhe Ministrisë së Drejtësisë për të shfrytëzuar maksimalisht mundësitë ligjore dhe kushtetuese për hartimin dhe miratimin, brenda një kohe sa më shpejt të jetë e mundur, të ligjit për organizimin dhe funksionimin e KGJK-së. "Si një nga institucionet e Pushtetit Gjyqësor, të parashikuar në Kushtetutë, Konferenca Gjyqësore Kombëtare merr një rëndësi të veçantë për nga organizimi, funksionimi dhe kompetencat që duhet të ushtrojë. Në respektim të dispozitave të Kushtetutës dhe të Vendimit të Gjykatës Kushtetuese nr. 25, datë 26.12.2008, është përcaktuar se KGJK duhet të organizohet dhe funksionojë me një ligj të posaçëm" deklarojnë gjyqtarët. Sipas tyre, një nga kompetencat kryesore të KGJK është zgjedhja e nëntë anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Ligji Nr. 8811 datë 17.05.2001 për KLD, që është në fuqi, parashikon në dispozitat e tij këtë kompetencë të Konferencës dhe vendos afate brenda të cilave duhet të plotësohen vendet vakant të krijuara në KLD. "Aktualisht, Këshilli i Lartë i Drejtësisë ndodhet përpara nevojës për të plotësuar katër vende gjyqtarësh anëtarë të tij, ndërsa Konferenca Gjyqësore Kombëtare ndodhet përpara detyrimit për t‘i zgjedhur ata, brenda afateve të parashikuara në ligjin për KLD", thuhet në rezolutë. Sipas saj, KGJK gjithashtu ndodhet përpara detyrimit kushtetues që të organizojë dhe të funksionojë në bazë dhe në zbatim të ligjit. Si rezultat i një bashkëpunimi të mirë me Ministrinë e Drejtësisë dhe me Gjyqësorin, janë hedhur hapat e parë në rrugën e duhur për hartimin dhe diskutimin e një projektligji për organizimin dhe funksionimin e KGJK. "Kemi besimin se ky bashkëpunim do të vazhdojë në mënyrën e duhur në respektim të një procedure diskutimi gjithëpërfshirëse dhe transparente, me qëllim realizimin e një standardi demokratik të kryerjes së procesit të miratimit të këtij ligji. Pa cenuar standardet e procesit dhe cilësinë e ligjit nevojitet realizimi i tij në një kohë sa më shpejt që të jetë e mundur. Realizimi i këtij procesi kërkon bashkëpunim, përkushtim, vullnet të mirë të institucioneve kompetente, pra të tri pushteteve: Gjyqësor, Ekzekutiv dhe Legjislativ", thuhet në rezolutë, duke shtuar se gjyqtarët ofrojnë të gjithë gatishmërinë dhe përkushtimin për të ndihmuar dhe për të kontribuar në procesin e ligjbërjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›