E Diel, 1 Nëntor 2026

Katër të plagosur në aksidente dërgohen në Spitalin Ushtarak

Të lënduarit nga dy aksidentet e fundit në Elbasan kanë përfunduar me urgjencë për në Spitalin Ushtarak të kryeqytetit. Gjendja e tyre e rëndë nuk u ka dhënë garanci jete mjekëve të Elbasanit, ndaj i kanë dërguar për ndërhyrje më të specializuara në Tiranë. Aksidenti i parë është regjistruar rreth orës 23.00 të së mërkurës në dalje të Doganës së Qafëthanës, në rrugën që zbret për në Përrenjas. Sipas burimeve zyrtare të policisë, nga përplasja e mjetit tip "Mitsubishi" me targa LB2215A me një motoçikletë tip "Lifan" pa targa, është aksidentuar rëndë drejtuesi i motoçikletës, 24-vjeçari A.Karriqi. Më pas, policia ka nisur procedimin penal ndaj drejtuesit të makinës, 38-vjeçarit Gëzim Halili, nga fshati Rrajcë i Librazhdit. Ndërkohë, rreth orës 02.00 të mëngjesit të djeshëm ka nisur procedimi penal për 43-vjeçarin Shefqet Bushaliu nga fshati Kosovë i Belshit, pasi me mjetin e tij tip "Volkswagen" me targa TR1183K është përplasur me një kamion të tipit "Taf" me targa GJ6513A. Për pasojë janë plagosur rëndë dy shtetas të Kosovës, si dhe vetë drejtuesi i mjetit. Të katër të dëmtuarit e këtyre dy aksidenteve janë duke u kuruar në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Sipas ekspertëve të policisë, aksidentet janë favorizuar nga moti me shi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›