E Diel, 1 Nëntor 2026

Shembet galeria, kromi vret një tjetër minator në Bulqizë

Shënohet një tjetër aksident me humbje jete të minatorëve në minierën e Bulqizës, duke e çuar në dy numrin e viktimave për këtë vit dhe në shtatëmbëdhjetë që nga viti i kaluar. Aksidenti i rëndë ka ndodhur gjatë orëve të mesditës së djeshme, ku gjatë punës, në galeritë e thella të kësaj miniere humbi jetën 32-vjeçari Behar Toçi. Viktima punonte në detyrën e vagonistit, në pusin numër 1 të nivelit 52 të minierës, rreth 166 metra thellë nën tokë. Ai punonte për llogari të një firme private të licencuar. Burime nga vendi i ngjarjes thanë se gjatë punës për mbushjen e vagonit me krom, nga tavani i galerisë është shkëputur një masiv gurësh që e ka goditur vagonistin 32-vjeçar në pjesën e prapme të kokës dhe në shpatull. Goditja ka qenë fatale, pasi i ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Në vendngjarje, me të marrë njoftim, kanë shkuar edhe forcat e policisë, që së bashku me minatorët e tjerë, shokë të viktimës që punonin me të, e kanë nxjerrë trupin e pajetë të 32-vjeçarit nga galeria dhe e kanë çuar në morgun e spitalit të Bulqizës, ku edhe është bërë ekspertiza e duhur mjekoligjore që do të saktësojë shkaqet e kësaj vdekjeje. Shokët e punës tregojnë se 32-vjeçari Behar Toçi, i lindur në fshatin Kovashicë të Komunës Shupenzë dhe banues në Lagjen e Re të qytetit të Bulqizës, kishte dy vjet që punonte në galeri, pasi ishte kthyer nga emigracioni. Me punën që bënte në minierë ai mbante familjen e tij, bashkëshorten dhe tre fëmijët, më e madhja e të cilëve është vajza në klasën e katërt të shkollës fillore, ndërsa dy djemtë janë njëri 5 vjeç dhe tjetri rreth një muajsh. Që nga viti 2007 tragjeditë në minierën e Bulqizës, jo vetëm në galeritë e thella të nëntokës, por edhe në sipërfaqe të saj, po ndjekin njëra-tjetrën. Vetëm në harkun kohor të 14 muajve janë regjistruar 17 jetë njerëzore të humbura, 17 gra të mbetura të veja, 43 fëmijë të mbetur jetimë. Por, edhe pse ndodh kështu e flitet shumë për vdekjet e minatorëve të kësaj miniere, aq sa ajo është cilësuar si "miniera e vdekjes", strukturat përgjegjëse të shtetit, si Ministria e Ekonomisë etj., vazhdojnë me indiferencën e tyre në këtë drejtim. Edhe pse prej më shumë se një viti ritmi i vdekjeve të minatorëve në minierë ka qenë 1.2 minatorë për çdo muaj, duket se kjo pak i ka shqetësuar këto struktura shtetërore, që mund dhe duhet të ndërhyjnë për parandalimin e tyre. Për të gjitha këto raste të humbjes së jetëve të minatorëve, edhe pse janë ngritur grupe hetimore nga ana e prokurorisë, faji u ka mbetur viktimave, të cilët janë groposur kështu së bashku me të.

Reagimi

Gjoni: Jetët e humbura

janë akuzë për qeverinë

Partia Socialiste ngriti dje sërish shqetësimin për kushtet sipas saj çnjerëzore të punës së minatorëve në minierat e Shqipërisë e veçanërisht në ato të Bulqizës e Batrës. Anëtari i Asamblesë së PS-së, Ilir Gjoni, konstatoi se është e disata herë që ne denoncojmë korrupsionin dhe mungesën e masave të sigurisë në këto miniera dhe për të disatën herë qeveria ose hesht, ose justifikohet pa argumente, duke neglizhuar në mënyrë evidente dhe të qëllimshme çdo masë që do të parandalonte humbjen e jetës së shqiptarëve. "Sot ne jemi përsëri para jush për të denoncuar edhe një herë paaftësinë, korrupsionin dhe indiferencën vrastare të qeverisë, e cila është përgjegjëse direkte për humbjen e jetës së 20-të të një banori tjetër të Bulqizës, i cili, i përballur nga kushtet e rënda të jetesës, ka qenë i detyruar, ashtu si edhe mjaft të tjerë sot, të nxjerrë bukën e gojës duke vënë në rrezik jetën", u shpreh Gjoni. Ai vlerësoi gjithashtu se qeveria hesht dhe kjo është e pafalshme për të, pasi çdo vdekje në Bulqizë është aktakuzë direkte ndaj kësaj qeverie që vjen nga ky qytet. PS-ja vlerëson se humbja e jetës së minatorit Behar Toçi nuk mund të konsiderohet më si aksidentale, ajo dhe 19 jetët e humbura më parë në këtë minierë janë kronikë e vdekjeve të paralajmëruara dhe shembull i qartë i paaftësisë, indiferencës dhe heshtjes vrastare të qeverisë. "Kjo shpjegon edhe indiferencën e Kryeministrit Berisha për t‘ju përgjigjur thirrjeve të opozitës për të dhënë llogari para Kuvendit lidhur me këtë shqetësim", konstatoi Gjoni.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›