E dhunoi burri, 3 ditë para policisë
Një nënë 25-vjeçare denoncon për dhunë bashkëshortin. Prej 3 ditësh, bashkë me fëmijën 10 muajsh, ajo ka qëndruar në dyert e policisë së Durrësit, pa gjetur një zgjidhje për fatin e saj. Anjeza M. i është drejtuar policisë dhe prokurorisë, por vetëm dje është vendosur ligjërisht marrja e saj në mbrojtje dhe rehabilitimi në një qendër në Elbasan, pasi në Durrës kjo nuk ishte e mundur. Megjithatë, deri në mbërritjen e saj në qendër, Anjeza jeton me frikë çdo minutë se i shoqi do të shfaqet papritur për të rinisur keqtrajtimin. “Burri më dhunonte prej tre vjetësh që jemi të martuar. Para tre netësh erdhi i pirë dhe më rrahu me rripin e pantallonave, në kohën që po i jepja gji djalit. Ky ishte rasti i fundit që e lejova. Pastaj na nxori përjashta dhe në strehë të shtëpisë jemi gdhirë pa ngrënë dhe pa pirë. Nga ora 10:00 e mëngjesit më tha të mblidhja plaçkat ose të dilja të punoja rrugëve për të siguruar para. Nuk pranova dhe ja ku jam duke i kërkuar ndihmë policisë sepse po më gjeti këtu më rreh si pa të keq”, nis të tregojë, duke u përlotur 25-vjeçarja. Por, ajo nuk është zhgënjyer vetëm nga martesa. E ëma që jeton në Lushnjë, sipas Anjezës, nuk e ka pranuar të bijën të kthehej në shtëpi, duke i thënë se është e martuar dhe duhet të vazhdojë të jetojë me burrin. “Por ai nuk punon, pi, qiranë e shtëpisë nuk e ka shlyer e për pasojë qiraxhinjtë na kanë përzënë disa herë nga shtëpia. Tani banonim në zonën e ish-kënetës me qira, kam edhe pronarët e shtëpisë dëshmitarë të torturave që kam hequr”. Kur është përzënë nga shtëpia, bashkë me djalin që e tërheq në një karrocë, ajo ka përfunduar në dyert e policisë. Natën e parë e ka gdhirë në lulishte, të dytën në spital, ku u strehua nga policia me pretekstin se djali ishte i sëmurë. Natën e fundit ka fjetur te shkallët e spitalit. “Sot shkova në prokurori, ku një prej prokurorëve me dha 10 mijë lekë të vjetra dhe blemë ushqim. Më pas takova shefin e prokurorisë së Durrësit, Arjan Ndojin, i cili i dha urdhër shefit të komisariatit të Durrësit të merrej me çështjen time që policia të më marrë në mbrojtje”. Në mesditë, Anjeza, duke shtyrë karrocën e djalit ka mbërritur në gjykatë, ku do të diskutohej dhe çështja e marrjes në mbrojtje të saj. Aty, bashkëshorti i saj ka vazhduar kërcënimet për të mos bërë divorcin. Pasi ka dëgjuar dëshminë e Anjezës, ndonëse i shoqi ka mohuar gjithçka, gjyqtarja Shpëtime Pitaku vendosi që gruaja e re të merret në mbrojtje. Sipas shefit të policisë së Durrësit, Gjelosh Prendi, pas kontaktit me punonjës socialë në Elbasan, ata u treguan të gatshëm për të ndihmuar Anjezën dhe fëmijën e saj.