Olldashi: Bashkia të ndajë banesat për të pastrehët
Fabiola Çela
Bashkia e Durrësit duhet të nisë shpërndarjen e apartamenteve për të pastrehët. Bëhet fjalë për dy godina me 48 apartamente, të cilat kanë përfunduar prej dy vjetësh por pavarësisht kësaj, bashkia e këtij qyteti nuk ka nisur ende shpërndarjen e këtyre apartamenteve. Në një deklaratë për mediat, kreu i Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, i ka bërë thirrje kësaj bashkie që të nisë menjëherë procesin e shpërndarjes së banesave. Në rast të kundërt, nëse brenda datës 30 shtator Bashkia e Durrësit nuk do të ketë nisur ende ndarjen e banesave, atëherë do të ndërhyjë ministria për shpërndarjen e apartamenteve për të pastrehët.
Kërkesa
“Ngre shqetësimin në lidhje me 48 apartamente të ndërtuara nga Enti i Banesave në qytetin e Durrësit për qytetarët e pastrehë, të përfunduara prej dy vjetësh dhe që ende nuk janë shpërndarë. Janë dy objekte banimi të ndërtuara me fonde të buxhetit të shtetit gjatë viteve 2006-2007, të cilat rezultojnë ende të pa shpërndara nga Këshilli Bashkiak i qytetit të Durrësit. Këshilli Bashkiak ka miratuar Sistemin e Pikëzimit dhe Komisionin e Strehimit pranë Bashkisë se Durrësit për ndarjen e 48 apartamenteve. Që prej kësaj date, ky Komision duhet të paraqiste pranë Këshillit Bashkiak listën emërore të qytetarëve të pastrehë që kishin aplikuar”, ka deklaruar ministri Olldashi. Por, sipas tij, deri më tani Bashkia e Durrësit nuk ka paraqitur asgjë në Këshillin Bashkiak, duke bërë të mundur që 48 apartamenteve t’u rritet kosto për arsye të ruajtjes. “Nëse brenda datës 30 shtator, institucioni i Bashkisë dhe Këshilli Bashkiak i qytetit të Durrësit nuk do t’i japin zgjidhje këtij problemi, nëpërmjet procedurave që na lejon ligji, ne do të ndërhyjmë nëpërmjet Entit Kombëtar të Banesave, për të bërë vetë shpalljen e listës së fituesve dhe shpërndarjen e 48 apartamenteve. Kjo është një masë mëse e domosdoshme nga pikëpamja ekonomike dhe sociale, Enti Kombëtar i Banesave nuk ka filluar të vjelë të ardhurat nga investimet dhe 48 familje të qytetit të Durrësit vazhdojnë të rezultojnë të pastreha dhe të mos gëzojnë banesat e tyre”, është shprehur dje ministri Olldashi.