E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gripi i derrave, në shtator gati vaksina

 

Brenda muajit shtator, vaksina kundër gripit të derrave do të jetë në treg. “Kemi filluar testet e vaksinës anti grip te njerëzit dhe rezultatet e para të përmirësimit mund t’i shohim vetëm pas një muaji, çka do të na bindte për përdorimin masiv të vaksinës. Shpërndarja masive e vaksinës në treg nuk do të komprometojë efektshmërinë e saj”, ka deklaruar Drejtoresha e Programit të Vaksinimit në OBSH, Marie Paule Kieny. Sipas saj, “Ne parashikojmë se efektet anësore të medikamentit do të mund t’i vërejmë vetëm pasi vaksina të jetë përdorur nga miliona njerëz dhe vdekjet si pasojë e këtyre efekteve do të jenë shumë të rralla. Efektet anësore të saj mund të shkaktojnë ç’rregullime në stomak, temperaturë të lartë dhe diarre”. OBSH do të bashkëpunojë me të gjitha vendet për të pikasur çdo shenjë të ndonjë efekti anësor të rrallë, siç ka ndodhur më 1976 në të ashtuquajturën “Sindroma Guillain Barre”, një paralizë e përkohshme që preku mijëra njerëz, pas vaksinimit të një varianti të gripit nga autoritetet shëndetësore. Ndërkohë në vendin tonë janë shtuar rastet e dyshuara për prekjen me virusin A/H1N1. Sipas bulmetit të Institutit të Shëndetit Publik, përveç 8 rasteve të konfirmuara tashmë nga analizat në Rumani, dyshohet edhe për 13 raste të tjera të mundshme. Nga këto, katër raste janë paraqitur me shenja të sëmundjes, menjëherë pas kthimit nga Anglia, 8 raste nuk referojnë udhëtime jashtë vendit apo lidhje epidemiologjike që të faktojnë rrugën e infektimit dhe një rast ka qenë kontakt i një rasti të dyshuar. Sipas ISHP-së, 3 raste janë identifikuar jashtë Tiranës, respektivisht 2 në Vlorë dhe 1 në Sarandë. Të gjitha rastet paraqitën një kuadër klinik të lehtë. Shenjat e shfaqura ishin temperaturë më e ulët se 38 gradë celcius, dhembje koke, dhembje fyti, kollë, dhembje muskulare dhe lodhje. Vetëm dy raste janë shtruar në spital, ndërsa për pesë nga personat e mësipërm ka nisur trajtimi me tamiflu. Sipas Institutit të Shëndetit Publik, mes rasteve të konfirmuara, tashmë dhe të dyshuara, nuk ka fëmijë. Të gjitha rastet përfshijnë grupmoshat 15 deri në 61 vjeç. Në laboratorin e ISHP-së po analizohen mesatarisht 30 monstra çdo javë. Ndërkohë që në fund të kësaj jave priten përgjigjet e analizave të dërguara në Rumani për 16 monstra, nga të cilat 11 kanë rezultuar me virusin A.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›