E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gropa septike e burgut, rrezik epidemie për fshatin turistik

 

KORÇE - Gropa septike e burgut të Korçës është kthyer në rrezik epidemie jo vetëm për të burgosurit, por edhe për zonën përreth saj. Ujërat e zeza, të cilat dalin me një kanal të zbuluar nga kjo godinë, po shtojnë terrenin e shtrirjes së tyre. Ato, mbasi kanë mbushur gropën septike të hapur pa asnjë lloj projekti nga firma që ndërtoi burgun, po me një kanal të zbuluar derdhen në kanalin anësor të rrugës automobilistike që të çon në fshatin turistik të Boboshticës. Është shumë e afërt dita kur ato të dalin në rrugën e këtij fshati, ku përveç erës së qelbur që lëshojnë në këto ditë gushti, do të shërbejnë edhe si vatër e ndonjë epidemie të mundshme. Gjithë mbetjet trupore që dalin nga burgu janë nën rrezet përvëluese të diellit dhe në këto temperatura të larta të kësaj vere kanë krijuar një ndotje shumë të madhe në atmosferën rreth e rrotull. Në këtë situatë, biznesmenët që kanë investuar për turizëm në këtë zonë, por edhe banorët e fshatit Boboshticë i janë drejtuar me një ankesë zyrës rajonale të mjedisit, Drejtorisë së Shëndetit Publik, por edhe institucioneve të tjera në qark, duke përfshirë edhe komunën Drenovë. Drejtuesi i zyrës rajonale të mjedisit në Korçë, Paqsor Cane, u shpreh se gropa e thjeshtë septike në dalje të burgut përbën rrezik për shëndetin e të burgosurve, administratës së këtij institucioni dhe banorëve të fshatrave rreth. “Do t’i propozoj dikasterit, nga ne varemi, që të kërkojë fonde për një zgjidhje më të sigurt për ujërat e zeza të burgut. Është mëse e domosdoshme që kjo gropë septike të ketë një mur rrethues pa baltë dhe me plinta betoni, ku të mbështetet mbulesa e saj. Më pas të ketë një marrëveshje që të përcaktojë zbrazjen e saj me autobote, sipas një afati kohor të përcaktuar. Zbrazjen mund ta eliminojë ndërtimi i ndonjë impianti përpunues të këtyre ujërave, siç i ka bota”, tha Cane.                j.gj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›