Vritet me thikë për pronat
LUSHNJE/ MAJLINDA RAMA
Zihet me bashkëfshatarin për kullotat, e vret me thikë. Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e djeshëm në fshatin Hysgjokaj të Lushnjës. Sipas policisë, 33-vjeçari Ilir Leka gjeti vdekjen gjatë rrugës për në spital, ndërsa autori i këtij krimi, Luftar Sharka, 35 vjeç, është shpallur në kërkim. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se konflikti ndërmjet dy bashkëfshatarëve kishte lindur për kullotat prej disa kohësh. Edhe një ditë para ngjarjes, kopeja e deleve e 35-vjeçarit Sharka kishte hyrë në pronat e Lekës. Ky i fundit i kishte kërkuar disa herë Sharkës të largonte bagëtitë nga kullotat e tij. Ndërsa mbrëmjen e së mërkurës, duke parë se bashkëfshatari i tij vijonte të çonte kopenë në pronën që i përkiste familjes Leka, 33-vjeçari i ka marrë atij peng një dele. Por veprimi i tij vetëm sa e ka acaruar më shumë situatën. Dje në mëngjes, të dyja palët kanë lënë një takim për t’u sqaruar pranë banesave të tyre. Por sapo ata janë takuar, ka nisur një debat i fortë derisa përfundoi me përleshje fizike mes tyre. Gjatë përleshjes, Sharka ka nxjerrë një thikë që e kishte fshehur në rroba duke e qëlluar pas shpine 33-vjeçarin Ilir Leka. E gjithë kjo skenë që përfundoi tragjikisht është parë nga një distancë jo e largët nga banorët e fshatit. Ata kanë nxituar që t’i ndanin dy burrat, por kur mbërritën në vend, gjithçka kishte mbaruar. Leka ishte shtrirë përdhe në mes të një pellgu me gjak, ndërsa autori i krimit ishte larguar. Banorët dhe familjarët e viktimës e çuan me urgjencë të plagosurin në spitalin e Lushnjës. Por ndërhyrja e bluzave të bardha ishte e kotë, pasi 33–vjeçari kishte vdekur gjatë rrugës. Mjekët bënë të ditur se viktima kishte ndërruar jetë pasi kishte humbur shumë gjak derisa kishte mbërritur në spital. ”Kishte disa kohë që bënin sherr me njëri-tjetrin. Luftari i linte bagëtitë gjithmonë që të prishnin dhe shpërdoronin kullotat e Ilirit. Ai i mori një dele për t’i bërë presion që të mos i linte më bagëtinë aty, por sapo doli për ta sqaruar, Luftari e shau dhe e qëlloi me grushte. Më pas u rrahën dhe kush e mendoi që ai do ta qëllonte me thikë. E vrau për hiçgjë. Nuk i donte njeri ato prona, po kush e mori me mend se do të përfundonte kështu. Drejtësia duhet të vërë dorë, të kapë dhe dënojë vrasësin”, u shprehën familjarët e viktimës, Ilir Leka. Policia e Lushnjës mbërriti dje në vendin e ngjarjes pas sinjalizimit të dhënë nga ana e banorëve të këtij fshati. Ata morën në pyetje familjarët dhe disa dëshmitarë, ndërsa arrestimi i autorit ishte e pamundur pasi 35–vjeçari ishte larguar menjëherë pas krimit në drejtim të paditur.
Policia bëri të ditur se Sharka e ka qëlluar me thikë Lekën, pasi ishin përleshur më parë për kullotat. Autori i këtij krimi të rëndë rezulton person i shpallur në kërkim. Policia është vënë në ndjekje për ndalimin dhe arrestimin e tij.