E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kukës, shtyhet afati për një galeri të tunelit

 

KUKES - Specialistët e Becthel Enka janë detyruar ta shtyjnë për në fillim të vitit të ardhshëm hapjen e galerisë jugore të tunelit të Kalimashit. Kalimet do të bëhen në galerinë aktuale, e quajtur si veriorja, në oraret 08:00-23:00. Sipas punonjësve të firmës, shkak janë bërë inertet dhe cilësia e materialeve. Ato kanë dalë në galerinë jugore, duke e bërë të pamundur funksionimin e saj. Gjatë gjithë kohës, përcjellja e autokolonave që hyjnë e dalin në tunel bëhet nën kontrollin e policisë rrugore. Firma ndërtuese kishte parashikuar vënien në punë të galerisë jugore në vjeshtë dhe më pas do të spostoheshin automjetet në këtë galeri, për të bllokuar verioren dhe për ta përfunduar plotësisht atë. Që nga vënia në punë e njërës prej galerive, numri i udhëtimeve ka shënuar rekorde. Vetëm në muajin korrik, sipas monitorimeve të bëra nga punonjësit e tunelit, janë shënuar 175 mijë kalime të automjeteve, shumica prej tyre nga Kosova që vijnë për pushime. Dita më e mbingarkuar ka qenë me 12 mijë automjete në ditë. Një kalim normal në tunelin prej 5.6 km zgjat 6 minuta, dhe e shkurton rrugën e vjetër me 3 orë më pak. Kjo ka bërë që dhe rruga Kukës-Tiranë tani të bëhet në 2-2.5 orë. Edhe biletat kanë shënuar rënie. Nga 1000 lekë që ishte bileta me furgonë, ka rënë në 700 lekë, ndërsa autobusët, nga 700 lekë në 500. Vënia në punë me kapacitet të plotë e tunelit dhe rrugës pritet që të rrisë edhe më tej fluksin e udhëtimeve dhe të shkurtojë edhe më shumë rrugën.                           j.h

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›