E dhunon burri, nga Tirana kërkon strehë në Shkodër
SHKODER - Një 35-vjeçare ka braktisur Tiranën për t’u strehuar në qendrën sociale “Hapat e Lehtë” në Shkodër, pasi denoncon të shoqin se e ka keqtrajtuar, rrahur, dhunuar dhe më pas detyruar të prostituojë. Gjatë një pohimi për mediat, M.Mitri ka bërë publik tmerrin që ajo ka kaluar prej 4 vitesh në Tiranë nga bashkëshorti i saj i dytë, për të cilin asnjëherë nuk pati guxim ta denonconte në policinë e kryeqytetit. Në pamundësi për ta bërë këtë ajo ka kërkuar ndihmë në qendrën sociale, që merret me mbrojtjen e grave të dhunuara. Nëna e dy fëmijëve tregon se prej 4 vitesh ajo është dhunuar sistematikisht nga i shoqi, ndërsa vitin e fundit ai e shfrytëzoi për qëllime përfitimi, duke e detyruar që të prostituonte. Sipas saj, i shoqi, me të cilin kishte një djalë, ushtronte dhunë sistematike jo vetëm mbi të, por dhe mbi të dy fëmijët. “Ndërsa bëja rezistencë dhe nuk doja të bëja prostitutën, torturohesha jo vetëm unë, por edhe fëmijët”, pohon e terrorizuar ajo. “Më zhvishte dhe më rrihte për vdekje deri sa më merrej fryma”, thotë gruaja fatkeqe, ndërsa tregon dhe shenjat në trup që ai i linte me thikë. Fillimisht ajo i ka bërë denoncim publik të shoqit, ndërsa ende nuk e ka denoncuar në polici atë. r.d