E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ngacmoi nxënësen, sulmohet me armë në mes të Korçës

 

KORÇE/ JORGJETA GJANÇI

Ngacmimi i një gjimnazisteje bëhet shkak për një përplasje me gurë e më pas me armë në mes të qytetit të Korçës. Katër persona reaguan dhunshëm ndaj një 26-vjeçari, duke e qëlluar disa herë me pistoletë. E gjithë skena u zhvillua në qendër të qytetit në mes të ditës, duke shkaktuar panik në radhët e kalimtarëve. Burime të policisë konfirmojnë se është arrestuar një prej autorëve dhe në kërkim janë 3 të tjerë. Sipas tyre bëhet e ditur se rreth orës 12:30, katër persona, të moshës nga 17 deri në 22 vjeç, sulmuan në pragun e një lokali Ermin Lipon. Zënka mes tyre kishte nisur në brendësi të lokalit, me objekt fjalët e drejtuara gjimnazistes, por për të përfunduar në mënyrë të përgjakur jashtë. Ai është goditur me gurë e shkopinj bejsbolli, në prani të dhjetëra qytetarëve, derisa e kanë gjakosur. I riu, i vetëm përballë këtij sulmi, ka mundur që të largohet nga vendngjarja dhe të hipë në makinën e tij për t’u drejtuar nga spitali i qytetit. Pikërisht në mesin e rrugës që po përshkonte, ai është ndeshur sërish me pritën e katër personave që pak më parë e kishin bërë objekt të dhunës së tyre. Ata kanë rinisur ta qëllojnë me gurë e mjete të tjera të forta. Njëri prej katër dhunuesve në çast ka nxjerrë nga brezi një pistoletë dhe ka qëlluar disa herë në drejtim të mjetit të Erminit, me targë KO 7787 B. Krismat e pistoletës kanë krijuar tmerr për të gjithë njerëzit që ndodheshin në këtë shesh me shumë lëvizje gjatë mesditës, pasi bëhet fjalë për zonën përballë Bashkisë së Korçës. Për fat të mirë, 26-vjeçari duke qenë në lëvizje i ka shpëtuar plumbave, ndërsa ata kanë lënë gjurmë në pjesën e prapme të mjetit. Policia ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, por atje nuk ishin protagonistët e sherrit. Gjatë kontrollit janë gjetur vetëm dy gëzhoja, ndërsa të tjerat, pasi sipas dëshmitarëve është qëlluar 5–6 herë, mendohet të kenë mbetur në mjetin e dhunuesve. Drejtues të policisë kanë pohuar se shkak i sherrit ka qenë ngacmimi i një vajze, nxënëse e shkollës së mesme “Raqi Qirinxhi”. Sipas tyre, nisur nga hetimet e para është arritur në dyshimin se autor kryesor i ngjarjes është Kristo Bode, 20 vjeç nga Korça, i cili është arrestuar pak orë pas ngjarjes. Mësohet se 26-vjeçari, pas rrahjes në afërsi të një lokali pranë gjimnazit, ka lëvizur me shpejtësi me mjetin e tij në drejtim të qendrës së qytetit. Katër personat që i ngritën pritën e kanë qëlluar me armë zjarri në gomën e pasme të mjetit dhe në drejtim të krahut të djathtë për të penguar lëvizjen e tij, ndërsa një tjetër plumb është drejtuar në krahun e pasagjerit. Fatmirësisht plumbat nuk kanë prekur 26-vjeçarin. Më pas autorët kanë zbritur nga makina dhe kanë goditur mjetin me gurë dhe kanë qëlluar sërish në drejtim të tij. Lipo ka arritur të largohet në drejtim të periferisë, ku është gjetur pak kohë më vonë nga policia, në gjendje të rëndë, në lagjen Radanec.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›