E di javën
Java e dytë e nëntorit mund të jetë koha kur pritet të rinisë dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Këtë datë e ka përmendur Kryenegociatorja Edita Tahiri, e cila thotë se diku pas tri javësh mund të takohet me zyrtarët serbë për të diskutuar për çështjen e energjisë, telekomit dhe bashkëpunimit rajonal.
“Data ende nuk është caktuar, por orientimisht mund të jetë java e dytë e nëntorit”, ka thënë Zëvendëskryeministrja Tahiri, për Express, të shtunën.
Pavarësisht zhvillimeve në Veri dhe përleshjeve ndërmjet KFOR’it dhe serbëve lokalë, grupet punese të Kosovës dhe Serbisë kanë vazhduar të takohen në Bruksel.
Të shtunën është njoftuar se janë arritur pajtimin në mes të grupeve të ekspertëve të të dyja palëve për fillimin e zbatimit të marrëveshjes për kthimin e dokumenteve kadastrale dhe lëvizjen e lirë.
Këto takime janë mbajtur ndërmjet dy palëve, pavarësisht tensioneve në Veri të Kosovës.
Për dallim prej Shefit të ekipit serb, Kryenegociatorja e Kosovës, Edita Tahiri pohon se takimet në Bruksel nuk kanë kurrfarë lidhje me pjesën veriore.
“Gjatë fundit të javës, janë mbajtur takimet e grupeve punuese për implementim për marrëveshjen për lëvizjen e lirë dhe për marrëveshjen për kthimin e dokumentacionit kadastral. Këto janë grupe të ekspertëve të të dyja palëve, me ndërmjetësimin e BE’së, ku është punuar për të përafruar qëndrimet lidhur me afatet dhe metodologjitë e zbatimit të marrëveshjeve”, ka deklaruar Tahiri.
Zyrtarja e Qeverisë ka treguar se çka konkretisht janë marrë vesh në Bruksel.
“Ne kemi kërkuar datën 20 nëntor, si afat të fundit që të hartohen të gjitha planet për zbatim për ato katër marrëveshje, sepse marrëveshja për tregtinë e lirë tashmë po zbatohet nga të dyja palët. Pasi që të hartohen planet për implementim, duhet të fillojë menjëherë edhe zbatimi i marrëveshjeve”, ka shpjeguar ajo.
Dialogu Prishtinë-Beograd është ndërprerë në fund të muajit shtator, pasi pala serbe nuk arriti të bindë BE’në që të flitet edhe për Veriun e Kosovës.
Kryenegociatorja Tahiri përsërit se dialogu dhe Veriu janë dy çështje të ndara.
“Prandaj, këto dy çështje janë të ndara, kështu që ndërmjetësi Cooper po vazhdon me angazhimet, qoftë për të rinisur dialogun për në nëntor, por edhe për të përgatitur planet e implementimit”.
Ndryshe, të premten, Këshilltari i Kryeministrit, Dukagjin Gorani propozoi formimin e një ministrie për Veriun e Kosovës, si përgjigje ndaj kërkesës së BE’së për një plan gjithëpërfshirës për integrimin e serbëve.
Edhe pse nuk dëshiron të polemizojë me Këshilltarin e Kryeministrit, Edita Tahiri mendon se Qeveria nuk ka nevojë për dikastere shtesë për Veriun.
“E kam dëgjuar si ide, për mendimin tim, Qeveria e Republikës së Kosovës disponon me të gjitha resoret dhe potencialet për të realizuar shtrirjen e sovranitetit në pjesën veriore. Ajo që ne jemi përcaktuar si plan i shtetit tonë, ka filluar të zbatohet prej 25 korrikut në bashkëpunim me partnerët tanë”, ka deklaruara ajo.
Ajo ka thënë se për pjesën veriore po punojnë në zbatimin e Planit të Ahisaarit dhe po i vazhdojnë investimet për përmirësimin e jetës së banorëve të asaj zone.
“Qeveria e Kosovë i ka të gjitha resorët dhe një strukturë organizative dhe potencialet i ka të mjaftueshme për këtë çështje”, ka shtuar ajo.