Pështjellim për franga

Vendimi i Gjykatës Administrative që kontestoi procedurat e ndjekura nga Qeveria zvicerane për ndërprerjen e pensioneve të shtetasve kosovarë, duket se nuk nënkupton automatikisht kthimin e këtyre mjeteve.
Gazeta Express ka siguruar një Raport Ditor të Ambasadorit të Kosovës në Zvicër, Naim Malaj, për Ministrinë e Punëve të Jashtme. Aty, Ambasadori jep një interpretim të këtij vendimi, duke u bazuar edhe në shkëmbimet e tij me autoritetet zvicerane.
“Pas refuzimit që i është bërë një qytetari kosovar nga Sigurimi Social i Zvicrës për ta shqyrtuar kërkesën e tij për pension invalidor, qytetari i është drejtuar Gjykatës Administrative Federale, e cila në vendimin e saj nënvizon se, qytetarit në fjalë nuk mund t’i refuzohet e drejta për të marrë pensionin invalidor në Kosovë dhe se lënda duhet të kthehet për rishqyrtim në zyrën e Sigurimit Invalidor. Ky vendim i kësaj gjykate bazohet në parimin e dyshtetësisë (qytetari në fjalë është shtetas kosovar dhe serb)”, thuhet në fillim të letrës së Ambasadorit Malaj.
“Gjykata Administrative Federale, në vendimin e saj nuk e kundërshton si të ligjshme apo jo ndërprerjen e marrëveshjes me Kosovën, por ajo vë në dyshim procedurat e ndjekura për ndërprerjen e marrëveshjes dhe duke analizuar parimin e dyshtetësisë, në mënyrë indirekte, shprehet për vazhdimin e marrëveshjes”.
Sipas një vendimi tjetër të Gjykatës Federale të Zvicrës, të marrë më 15 prill 2010, shtetasit e Kosovës krahas shtetësisë së Kosovës posedojnë edhe shtetësinë e Serbisë, ndërsa në anën tjetër, edhe Kosova garanton mundësinë e dyshtetësisë.
“Pra, Gjykata Federale Administrative i konsideron qytetarët kosovarë edhe shtetas serbë, dhe ky parim është marrë parasysh gjatë marrjes së vendimit”, thotë Ambasadori.
Sipas Yves Rosier, drejtor i Zyrës Federale të Sigurimeve, ky vendim i Gjykatës nuk do të ndryshojë qëndrimin e Qeverisë zvicerane ndaj Kosovës, sepse sipas tij, ende nuk është lidhur një marrëveshje e re.
“Ajo që duhet të qartësohet thotë Yves Rosier, është fakti nëse kosovarët janë vetëm qytetarë të një shteti të pavarur, pra të Kosovës, apo janë edhe qytetarë serbë. Ai po ashtu thotë se, ndërprerja e marrëveshjes me Kosovën nuk është bërë për arsye të keqpërdorimeve por thjesht për faktin se Kosova është në zhvillim e sipër, mungon kuadri ligjor, mungojnë regjistrat e qytetarëve si dhe përcjellja e rregullt e personave që marrin pensionet invalidore në Kosovë”, thuhet në raportin e Ambasadorit Malaj.
Ndërsa, nga ana tjetër, as Sindikatat UNIA dhe SIT, të cilat kanë qenë aktive rreth kësaj çështjeje nuk kanë dalë me ndonjë interpretim të vendimit të Gjykatës Federale Administrative, pasi sapo e kanë marrë vendimin në fjalë dhe shërbimi i tyre juridik është duke e analizuar.
Nga aspekti i kohëzgjatjes së vlefshmërisë së marrëveshjes, pasi që marrëveshja ndërshtetërore ka hyrë në fuqi më 1 mars 1964 (sipas Nenit 25, paragrafi 1 i marrëveshjes, kohëzgjatja e saj është një vit), Zvicra do të duhej të njoftonte palën kosovare para datës 30 nëntor 2009 (tre muaj para skadimit të afatit vjetor) për anulimin e marrëveshjes më 28 shkurt 2010, gjë që nuk ka ndodhur.
“Si përfundim, ende është herët të thuhet që ky vendim do ta vazhdojë automatikisht marrëveshjen me Kosovën, të ndërprerë në mënyrë të njëanshme nga pala zvicerane, por sigurisht ky vendim i Gjykatës e ka efektin e tij”, thotë Ambasadori.
Nga ana tjetër, portali “Presheva Jonë”, ka cituar Rolf Camenzind, përgjegjës për komunikim me media në Zyrën Federale për Sigurime Sociale (OFAS), duke thënë se vendimi i Gjykatës nuk mjafton për kthimin e mjeteve.
“Gjykata Federale e Zvicrës, fatkeqësisht ende nuk ka marrë asgjë konkrete në favor të pensionistëve të Kosovës (AI dhe AVS), siç kanë njoftuar disa media në rajon. Madje, as gjykata zvicerane nuk ka kërkuar që ato të paguhen në mënyrë retroktive, siç kanë interpretuar disa media në Kosovë”, ka thënë ai.