LDK: Kosova ka një qeveri megalomane

Në një konferencë për media të dielën, drejtuesi i këtij grupi, Abdullah Hoti ka dhënë vlerësimet nga raporti i progresit të Komisionit Evropian në pjesën që i takon ekonomisë. Ai ka thënë se ky raport jep vlerësime edhe më të dobëta se vitin e kaluar për Kosovën sa i përket zhvillimit të saj ekonomik.
“Ne vlerësojmë, dhe ky vlerësim mbështetet në raportin e progresit, se vendi ka një qeveri megalomane, me përzierje të kompetencave në mes të 6 zëvendëskryeministrave dhe të shumë ministrave dhe zëvendës ministrave . Ekziston një plan ekonomik, i cili përmendet edhe në raportin e progresit që është i tipit të seminareve të studentëve, i përgatitur gjatë kampingjeve, i cili nuk paraqet prioritetet të caktuara dhe nuk tregon se nga do të vijë rritja ekonomike e vendit. 40 për qind të papunë, nuk jepet asnjë përgjigje se cilat janë politikat ekonomike që do të zvogëlojnë këtë papunësi, si dhe 30 për qind varfëri që mbizotëron në vend”, ka thënë Hoti.
Ai ka përkujtuar se prishja e marrëveshjes me FMN-në rezultoi me humbjen e mbështetjes buxhetore nga ana e këtij institucioni të rëndësishëm financiar, ndërkohë që rritja ekonomike si rezultat i rritjes së shpenzimeve publike është kufizuar nga zvogëlimi i shpenzimeve nga ana e donatorëve.
“Informaliteti, mos funksionimi i shtetit ligjor dhe korrupsioni kanë krijuar një mjedis të pasigurt për të bërë biznes duke e ndikuar drejtpërdrejt në koston e financimit të bizneseve”, ka thënë Hoti.
Ai ka ngritur shqetësimin edhe për dëmet që po iu shkaktohen bizneseve si rezultat i reduktimeve të shpeshtuara me energji elektrike nga ana e Korporatës Elektroenergjetike të Kosovës (KEK).
“Furnizimi i vështirësuar me rrymë po rrit koston e bizneseve dhe vlerësimet e raportit të progresit dhe shumë raporteve tjera që kjo po e rrit koston diku deri në 12 për qind të kostos së përgjithshme të biznesit”, ka thënë Hoti.
Për mos privatizimin e PTK-së dhe kthimin e këtij procesi në pikën zero, ekspertët e LDK-së kanë fajësuar kryekëput Qeverinë, e cila pritet ta mbyllë vitin me deficit të thellë për shkak se kishte planifikuar mbulimin e deficitit me 300 milionë euro nga shitja e kësaj ndërmarrje profitabile për vendin.
“Ne konsiderojmë dhe rekomandojmë se rrethina për biznes duhet të përmirësohet me veprime konkrete të promovimit të konkurrencës së lirë, e jo duke lejuar informalitetin e gjysmës së bizneseve në Kosovë dhe duke krijuar monopole në segmente të caktuara të tregut. Gjithashtu, konsiderojmë se në procesin e privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë duhet të rritet ritmi i privatizimit, por duhet të respektohet në secilin prej rasteve ligji në plotni të tij ”, ka thënë ai.
Ekspertët e LDK-së për ekonomi kanë ngritur shqetësime edhe lidhur me shkallën e lartë të papunësisë në vend, ndërsa kanë kritikuar ATK-në se ka dështuar në instalimin e arkave fiskale nëpër biznese. /kp/