Thaçi ka udhëtuar për një vizitë zyrtare në Austri

Me këtë rast, kryeministri Thaçi do të pritet nga homologu i tij, kancelari austriak, Werner Faymann, me të cilin do të diskutojë për thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe për mbështetjen e Austrisë për përshpejtimin e agjendës evropiane të Kosovës.
"Gjatë qëndrimit në Austri, kryeministri Thaçi do të paraqitet me një fjalë rasti edhe në Forumin Ekonomik të Vjenës, ku do të prezantojë të arriturat e institucioneve të Kosovës, përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për përmbushjen e standardeve dhe kritereve evropiane të integrimit, vizionin për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, krijimin e një ambienti të favorshëm për investime ndërkombëtare në Kosovë dhe angazhimet institucionale për fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit në tërë territorin e vendit", thuhet në një njoftim të Zyrës së Kryeministrit.
Në kuadër të Forumit Ekonomik të Vjenës, kryeministri Thaçi do të zhvillojë takime të shumta me kryeministra, presidentë dhe personalitete tjera nga fusha e politikës dhe ekonomisë, ku temë bosht do të jetë zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik dhe perspektiva evropiane e Kosovës.