"E di pse u vranë tre çekët në Veri"
• Gjashtë vite pas zhdukjes së tre studentëve çekë në Malësinë e Mbishkodrës, ambasadorja e vendit të tyre në Shqipëri thotë, se e di arsyen e vrasjes së tre të rinjve.Deklarata e ambasadores çeke në Tiranë vjen vetëm pak ditë pasi policia shqiptare shpalli vendosjen e shpërblimit 100 mijë euro për personat që jepnin informata të sakta që ndihmonin gjetjen e tre studentëve të zhdukur. Edhe pse nuk ka dhënë rezultat deri më tani, për ambasadën çeke shpërblimi i vendosur nga policia shqiptare tregon angazhim në hetimin e kësaj çështje. Autoritetet çeke tashmë shpresojnë zbulimin e ngjarjes së mbetur mister prej gjashtë vitesh dhe kthimin e trupave të studentëve në familjet e tyre. Në një prononcim për "Vizion Plus", ambasadorja çeke në Tiranë Marketa Fialkova është shprehur dje, se ajo e di arsyen e vërtetë të vrasjes së tre studentëve nga vendi i saj, të cilët u zhdukën teksa po vizitonin zonat alpine të Malësisë së Mbishkodrës. Diplomatja nuk dha detaje më tej, lidhur me vrasjen e tre studentëve çekë, por tha se nga kontaktet që ajo ka pasur me policinë çeke e shqiptare ka mësuar se studentët kanë qenë viktima të një sulmi për qëllime grabitjeje. Është hera e parë që nga një zyrtar i këtij niveli përdor termin "vrasje" duke iu referuar fatit të tre studentëve të humbur. “Nga informacionet që kam marrë nga policia çeke dhe shqiptare besojmë se tre të zhdukurit kanë rënë prej e një sulmi për grabitje”, tha ambasadorja. Zhdukja enigmatikeVëllezërit Jan e Michael Pavelka dhe Lenka Tuçkova, mbërritën në Shqipëri në gusht 2001 dhe në ditët e fundit të atij muaji, filluan një udhëtim turistik në zonën e Alpeve në veri të vendit. Pak ditë më pas, ambasada çeke në Tiranë lajmëroi policinë shqiptare, që gjurmët e tre studentëve kishin humbur. Policia shqiptare filloi kërkimet menjëherë në zonën malore ku mendohej se ndodheshin studentët çekë. Me gjithë kërkimet që zgjatën disa ditë dhe angazhimin e organeve të rendit, rezultati nuk shkoi më tej sesa hartimi i një skice paraprake me lëvizjet që kishin kryer studentët e zhdukur. Gjurmët e tyre të fundit nuk shkonin më tej se disa zona malore në afërsi të Thethit. Një efektiv policie dëshmon se i kishte shoqëruar me makinën e tij studentët çekë 12 ditë pasi ata kishin filluar udhëtimin në veri. Shfaqja e fundit e tre turistëve ka qenë zona pranë Urës së Mesit, në verilindje të Shkodrës. Prej gjashtë vitesh dosja është pezulluar dhe është rihapur disa herë duke u hetuar në disa pista. Pistat e hetimitVersionet e hetimit të policisë merrnin në konsideratë mundësinë, që studentët çekë të kenë humbur orientimin në zonat e thella alpine. Një tjetër variant ishte ai i vrasjes së të rinjve nga Çekia për arsye grabitjeje të parave dhe sendeve që ata mbanin me vete. Policia ka hetuar edhe një ngjarje të ndodhur në Shkodër, vrasja e një vajze nga djali i xhaxhait të saj. Miçan Çarku, sipas policisë, ishte pronari i hotelit ku besohet se kanë qëndruar për pak ditë tre studentët çekë. Policia dyshoi pa prova të forta se pronari i hotelit kishte kryer ndonjë veprim të paligjshëm ndaj studentëve dhe më pas kishte vrarë vajzën e xhaxhait të tij, e cila mund të konsiderohej dëshmitare e krimit ndaj tre të rinjve çekë. Më parë policia shqiptare kishte vendosur 40 mijë euro shpërblim për personat që jepnin informata të cilat çonin në zgjidhjen e misterit të zhdukjes së studentëve. Telefonatat në polici kanë qenë të shumta ashtu sikurse edhe dëshmitarët që janë marrë në pyetje, kryesisht banorë të zonave ku besohet se kanë lëvizur të zhdukurit. Dosja e kësaj ngjarje ka mbetur pa autor prej gjashtë vjetësh, ndërsa burime të Prokurorisë konfirmojnë, se vendosja e shpërblimit prej 100 mijë euro nga policia është një përpjekje për të rihapur hetimin sesa një shans i qenësishëm për zbulimin e asaj çfarë ka ndodhur me tre çekët e humbur. t.s100 mijeeuro është shuma e shpërblimit financiar, që policia shqiptare ka vendosur në dispozicion të dëshmitarëve që japin informata të sakta për tre çekëtTë dhënatë zhdukuritJan Pavelka Michael PavelkaLenka Tuçkovakoha e ngjarjesShtator 2001zona e zhdukjesMalësia e Mbishkodrësshpërblim për dëshmitarët 100 mijë euroAmbasadorja: Shpresojmë që policia të ruajë anonimatin e dëshmitarëveTIRANE - Ambasadorja çeke në Tiranë konfirmoi dje, se policia e vendit të saj i miraton hetimet e zhvilluara deri më tani nga autoritetet shqiptare për gjetjen e tre studentëve të humbur pa gjurmë. Duke iu referuar shpërblimit të vendosur së fundi nga organet e rendit në Shqipëri, diplomatja çeke në Tiranë tha se shpreson që policia shqiptare të ruajë anonimatin e atyre dëshmitarëve që ofrojnë informacione me vlerë për gjetjen e të zhdukurve. Ambasadorja konfirmoi gjithashtu, se është vënë në dijeni të faktit se shumë qytetarë shqiptarë, banorë të zonës ku kanë lëvizur tre të rinjtë e zhdukur kanë telefonuar në polici dhe janë paraqitur në organet e rendit për të dhënë informacione me vlerë për hetimin e ngjarjes. Diplomatja tha se shpreson që kjo çështje të zbardhet nga policia shqiptare dhe trupat e të zhdukurve t'u kthehen familjeve të tyre, të cilat ende nuk janë lajmëruar për rihapjen e hetimit për këtë ngjarje. Ndërkaq sipas specialistëve të policisë dhe Prokurorisë shqiptare, gjetja e trupave të studentëve është primare në ndërtimin e një çështje penale në këtë rast, pasi në mungesë të trupave, sipas ligjeve shqiptare, nuk mund të ngrihet akuzë ndaj agresorit të studentëve çekë. Disa persona të dyshuar për grabitjen e tre të rinjve nga Çekia po mbahen aktualisht nën vëzhgim nga shërbimet e specializuara të policisë, që tashmë kanë raportuar të dhënat e para operative pranë grupit të hetimit të ngjarjes misterioze.