E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi: Pas pak javësh të pavarur

• Kreu i qeverisë në formim të Kosovës, Hashim Thaçi, pas deklaratës unike të Bashkimit Evropian në mbështetje të pavarësisë, deklaroi se tashmë për pak javë Kosova do të shpallet pavarur.Ndërsa Serbinë e ka mbërthyer një valë irritimi pas zhvillimit të ngjarjeve në arenën ndërkombëtare ditët e fundit, për Kosovën duket se është bërë një kthesë në drejtimin e duhur. Edhe presidenti i saj, Fatmir Sejdiu, me gjithë kundërshtimin e Rusisë dhe Serbisë për të marrë pjesë në sesionin e OKB-së më 19 dhjetor, ku Këshilli i Sigurimit do të diskutojë për Kosovën, me miratimin e shumicës së vendeve anëtare të KS, fitoi jo vetëm të drejtën e pjesëmarrjes, por dhe të drejtën e fjalës në këtë takim. Në një intervistë në të përditshëm bullgare “Trud”, Thaçi kujtoi se çdo deklaratë e pavarësisë do të jetë e koordinuar me SHBA-në dhe BE-në. “Shpallja e pavarësisë do të bëhet shumë shpejt, është çështje javësh. Dhe serbët do të kenë ulëset e tyre në Parlament, si dhe do të jenë pjesë e qeverisë. Unë do t’i bind ata që të qëndrojnë”, citoi Thaçi. Reagimi i Koshtunicës  Kryeministri serb, Vojisllav Koshtunica, i konsideroi rezultatet  e samitit të 14 dhjetorit mes vendeve të Bashkimit Evropian si të papranueshme dhe fyese, pasi vendet e BE-së ranë dakord të njohin pavarësinë e Kosovës. “Ajo që unë konsideroj fyese është oferta që iu bë Serbisë për një anëtarësim të shpejtë në BE në shkëmbim. Serbia nuk është në shitje”, tha ai. Koshtunica akuzoi BE-në për krijimin e një shteti kukull në kurriz të Serbisë. Reagimet e tij pasuan deklaratën e presidentit francez në samitin e së premtes në Bruksel, ku shumë qartë kishte theksuar se pavarësia e Kosovës ishte e paevitueshme. Edhe ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç, tha se oferta e BE-së nuk do të pranohet kurrë. “Kjo qeveri nuk konsideron se çështja e statusit të Kosovës mund të ketë lidhje me anëtarësimin e Serbisë në BE, për t’u anëtarësuar nuk na duhet të paguajmë me një pjesë të territorit tonë, e cila me sa duket po kërkohet të na zhvatet, ne nuk përdorim tokën në kompensim të BE-së”, theksoi ai. Sejdiu fiton të flasë në OKB  Këshilli i Sigurimit, në takimin e 19 dhjetorit, ku do të diskutojë mbi statusin e ardhshëm të Kosovës, i ka dhënë të drejtën edhe presidentit Fatmir Sejdiu të mbajë një fjalim, por kjo do të ndodhë formalisht “në kapacitet personal”. Sejdiu kishte paraqitur kërkesën të prezantohej si përfaqësuesi zyrtar i Kosovës, një kërkesë kjo e mbështetur nga Perëndimi, por e refuzuar ashpërsisht nga Rusia pas rebelimit të Serbisë, se një përfaqësi e tillë do ta konsideronte Kosovën shtet ende pa u zgjidhur çështja e statusit. Megjithatë, vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së kanë arritur kompromisin sipas të cilit, përfaqësuesi i Kosovës do të mund t’u drejtohet KS të OKB-së në takimin kushtuar ardhmërisë së Kosovës. Situatën e mori përsipër ambasadori italian në Kombet e Bashkuara në Nju Jork, Marcelo Spatafora. Italia ka kryesinë e radhës së Këshillit të Sigurimit. Nga pala Serbe në Këshillin e Sigurimit më 19 dhjetor do të flasë kryeministri Vojisllav Koshtunica. Ambasadori rus, Vitalij Çurkin, tha se ishte i kënaqur që Këshilli kishte mbështetur propozimin rus për formatin e takimeve dhe cilësinë në të cilën do të flasë presidenti i Kosovës.  LSI: Hapi i BE, esencial drejt pavarësisë Sekretarja Ndërkombëtare e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Brunilda Paskali, përcolli vlerësimin e kësaj mbi deklaratën e  fundit të BE-së. “Vendimi i djeshëm i BE-së për të dërguar misionin evropian për siguri dhe mbrojtje në Kosovë, përbën një hap esencial drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës sipas planit Ahtisari”, tha ajo. Gjatë një konference për shtyp, Paskali theksoi se vendimi është një paralajmërim i qartë se Kosova është në radhë të parë çështje evropiane, si dhe i paraprin diskutimit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, të statusit përfundimtar të Kosovës, në datën 19 Dhjetor. “LSI vlerëson maturinë e faktorit politik kosovar në këtë proces dhe vendosmërinë e tij për të bashkërenduar vendimmarrjen përfundimtare me faktorët politikë ndërkombëtare, SHBA dhe BE”, deklaroi Paskali. “Vendimi i duhur në kohën e duhur”Zëvendëspresidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Aleksander Biberaj, tha se e mirëpret vendimin e Bashkimit Evropian për nisjen e misionit në Kosovë. “Përshëndes vendimin BE-së për të dërguar një mision mbikëqyrës në Kosovë që do të kujdeset për problemet e sigurisë, të funksionimit të sistemit juridik si dhe të administratës publike. Ky është një vendim në përputhje të plotë me planin e presidentit Ahtisar, i cili parashikon për Kosovën një pavarësi të mbikëqyrur nga institucionet ndërkombëtare, që në rastin konkret do të bëhet nga BE-ja. Mendoj se ky është një vendim i duhur, që merret në momentin e duhur dhe çon Kosovën drejt pavarësisë në një periudhë të shkurtër kohore. Eshtë shumë pozitive që nismës së Britanisë, Francës, Italisë dhe Gjermanisë iu bashkëngjitën edhe vendet e tjera”, tha ai.BE bëri zgjedhjen realiste Shqipëria ka mbështetur zyrtarisht vendimin e Këshillit Evropian për dërgimin e Misionit të BE-së në Kosovë dhe deklaratën e tyre se shumë shpejt do të nënshkruhet edhe mbështetja për pavarësinë. Sipas deklaratës së Ministrisë së Jashtme shqiptare, ky hap tregon një reflektim ndaj situatës së veçantë të historisë së fundit të Kosovës dhe natyrës unike të saj. “Një hap i tillë i paraprin vendimit që do të merret së shpejti nga Bashkimi Evropian në mbështetje të pavarësisë së Kosovës, Ministria e Punëve te Jashtme bashkohet me vlerësimin për domosdoshmërinë e pranisë ushtarake dhe të përfaqësuesve civilë ndërkombëtarë në Kosovë edhe në periudhën e pas-statusit, për mbikëqyrje të procesit, në funksion të garantimit të shtetit ligjor, rendit, gjyqësorit dhe respektimit të pakicave”, thuhet në deklaratën e ministrisë së Jashtme. “Deklarata e BE-së për Kosovën, akt paqeje” Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka përshëndetur vendimet e së premtes të Këshillit Evropian mbi mbështetjen e pavarësisë së Kosovës dhe miratimin e nisjes së misionit të BE-së në këtë rajon, pas pak kohësh. Njëkohësisht Berisha ka mbështetur dhe përshëndetur deklaratat e Presidentit të Republikës së Francës, Nikolas Sarkozi për Kosovën, si akte të një rëndësie themelore për paqen, stabilitetin e qëndrueshëm dhe afatgjatë, si dhe të ardhmen evropiane të rajonit. Në samitin e vendeve të Bashkimit Evropian, presidenti i Francës Nikolas Sarkozi, theksoi se pavarësia e Kosovës është e pashmangshme. Kryeministri shqiptar thekson se qeveria shqiptare është e gatshme të bashkërendojë përpjekjet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian për të dhënë ndihmesën e saj në suksesin e këtij procesi. Shqipëria do të jetë një nga vendet e para që do të njoihë pavarësinë e Kosovës, gjithmonë në koordinim me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, që tashmë e kanë deklaruar mbështetjen e tyre për këtë zgjidhje.     Marrëveshja, muajin e ardhshëm Sipas ministrit çek për çështjet evropiane, Aleksandër Vonda, shumica e vendeve evropiane dëshirojnë ta nënshkruajnë marrëveshjen për bashkëpunim më të ngushtë mes Bashkimit Evropian dhe Serbisë, dhe kjo mund të ndodhë muajin e ardhshëm. Vonda shtoi, se me gjithë hapat e Unionit në mbështetje të shkëputjes së Kosovës nga Serbia blloku është i interesuar të dëshmojë, se Beogradi ka një të ardhme evropiane dhe t’i japë fundit kthimit nga Rusia. “Interesi ynë është ta mbajmë Kosovën dhe Serbinë nën ndikimin evropian dhe jo nën atë rus”, tha ministri çek.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›