E Shtunë, 31 Tetor 2026

Seremb Gjergji prezantoi platformën e tij

Kandidati për president të ardhshëm të vendit, Seremb Gjergji në konferencën e parë për media me temë “Zgjedhja e presidentit të Kosovës - 2012 dhe përgjegjësitë”, ka prezantuar platformën e tij, e cila sipas tij, ka për qëllim pajtim ndërmjet faktorit politik, zhvillimin ekonomik të vendit, avancimin e gjyqësorit dhe FSK-së, por edhe integrimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare.

Ai ka zgjedhur të dielën hapësirën para Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës për të prezantuar qëllimet e tij si kandidat për president të ardhshëm të Kosovës, duke thënë se dëshiron t’i përfaqësojë të gjithë qytetaret e Kosovës e jo partitë politike.

“Qëllimi im si president i vendit është që të krijoj pajtim ndërmjet faktorit politik kosovar në shtetin e Kosovës. Mendoj shumë se me këtë pajtim politik do të kemi një stabilitet ku do të vjen edhe zhvillimi ekonomik, mirëqenia edhe avancimi i shtetit tonë, si brenda ashtu jashtë vendit.

E treta shumë e rëndësishme për mua është avancimi shteti të Kosovës në fushën ndërkombëtare. Unë si Seremb planifikoj ta shtyjë shtetin tonë të shkojë përpara, të avancohet kauza e shtetit tonë nga njohjet deri te përfaqësimi në të gjitha instancat ndërkombëtare”, ka thënë Gjergji.

Ky pajtim politik sipas tij do të ndodhte brenda institucioneve të Kosovës, siç është Kuvendi i Kosovës, por gjithashtu edhe njerëz, individë dhe grupe të ndryshme të cilët sipas tij kanë nevojë të pajtohen me njeri-tjetrin.

Ai po ashtu deklaroi se planifikon edhe avancimin e fushës së gjyqësorit dhe atij të sigurisë.

“Tek gjyqësori planifikoj që gjykatësit dhe prokuroret e Kosovës t’i dërgojë në specializim brenda apo jashtë vendit, që secili të fokusohet,të specializohet për punën e vetë, ndërsa në aspektin e fushës së sigurisë që është kompetencë e direkte e presidentit, unë planifikoj Forcën e Sigurisë së Kosovës t’i avancoj në Forcat Mbrojtëse të Kosovës dhe të njëjtën kohë të krijojë Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës“, ka thënë Gjergji.

Duke u ndalur mbi bazën e kandidaturës së tij për president, Gjergji ka thënë se është i gatshëm të përmbushë të gjitha kushtet që dalin nga ligji dhe është i gatshëm për këto zgjedhje pavarësisht se a do të mbahen ato në vitin 2012 siç është paraparë, apo më vonë.

“Unë mendoj që deklarimi im që planifikoj të kandidoj për president të Republikës së Kosovës në zgjedhjet e vitit 2012 nuk e ka shkelë asnjë lloj parimi, sa i përket mbledhjes së nënshkrimeve dhe kushteve tjera që do të dalin nga ligji për zgjedhjen e presidentit, unë mendoj që do t’i mbërrijë të gjitha ato edhe pse është shumë vështirë”, ka thënë Gjergji.

Ai po ashtu tha se është kundër deklaratave për ndryshimin e kufijve të Kosovës dhe luti qytetaret e Kosovës që mos të marrin ndonjë hap,i cili do të shkonte në ndonjë akt të dhunshëm ndaj këtyre individëve.

Gjergji njoftoi se ka formuar një komitet hulumtues prej 22 personave nga Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi , të cilët ngërthejnë në vete përfaqësimin politik dhe interesin e gjithë shqiptarëve në Kosovë.

Seremb Gjergji është kandidati i parë i deklaruar për postin e presidentit të Kosovës. /kp/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›