E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serbia i di kushtet

Ambasadori i Britanisë së Madhe, Ian Cliff thotë se Londra ia ka përsëritur Serbisë kushtet që duhet t’i plotësojë për të fituar kandidaturën për BE. Për këtë, Cliff i vlerëson vendimtare edhe dy takimet mes palës kosovare dhe serbe që pritet të mbahen në Bruksel deri më 9 dhjetor. Ambasadori britanik shpreson që Beogradi deri atëherë të pajtohet për pjesëmarrjen e Kosovës në forume rajonale.

Njëri nga shtetet më të fuqishme europiane, Britania e Madhe është duke insistuar që Serbia t’i plotësojë kushtet e kërkuara nga Komisioni Europian rreth Kosovës, nëse do që të fitojë statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Ian Cliff në një bisedë për Express të shtunën ka deklaruar se ky qëndrim i është bërë i qartë edhe Presidentit të Serbisë, Boris Tadic të mërkurën në Londër.

“Presidenti Tadic ishte në Londër të mërkurën dhe ne ia bëmë të qartë se Serbia ka bërë mjaft gjëra pozitive, natyrisht ajo që dihet më së miri është dorëzimi i Mladicit, por ende ka për të bërë rreth asaj që gjithnjë përshkruhet si bashkëpunim rajonal, por që natyrisht nënkupton marrëdhëniet me Kosovën”, ka thënë Cliff.

Diplomati britanik thotë se nuk është në dijeni se cili do të jetë vendimi i vendeve anëtare të BE’së më 9 dhjetor rreth kandidaturës së Serbisë, por sipas tij, kushtet që i janë përcaktuar asaj janë të qarta.

“Opinioni i Komisionit Europian për Serbinë e ka bërë të qartë si kristali se Serbia duhet t’i zbatojë ato për të cilën është pajtuar në dialog dhe të ecë pak përpara dhe këtë Kryeministri dhe Ministri im i Jashtëm e kanë përsëritur këtë në mënyrë shumë të qartë”.

Krejt këtë situatë, Cliff e ka ndërlidhur edhe me dialogun Kosovë –Serbi, i cili pritet të rifillojë të hënën në Bruksel, ku pritet të diskutohet për energjinë, telekomin dhe bashkëpunimin rajonal dhe eventualisht pika të tjera.

Ai ka thënë se Serbia duhet t’i zbatojë marrëveshjet e arritura me Kosovën, gjatë bisedimeve në Bruksel.

“Mendoj se tani i takon Serbisë që të zbatojë lirinë e lëvizjes, çështjen e doganave... të gjithë e dimë këtë çështjen e menaxhimit të integruar të kufirit në pikat 1 dhe 31”, ka thënë ai.

E kur është fjalën për menaxhimin e integruar të kufirit, si një nga temat më të përfolura ditëve të fundit në procesin e bisedimeve, Cliff thotë se nuk e di nëse do të ketë një marrëveshje, por është i sigurt se BE’ja do ta bllokojë Serbinë nëse nuk lëviz në çështjen e bashkëpunimit rajonal që në radhë të parë nënkupton pjesëmarrjen e Kosovës në forumet rajonale.

“Nëse nuk lëvizin në çështjen e bashkëpunimit rajonal, supozoj se nuk do të ketë një vendim pozitiv më 9 dhjetor”.

Serbia ka vendosur të rikthehet në bisedimet me palën kosovare të hënën. Por sipas ambasadorit, vetëm ky fakt nuk do t’i bindë europianët.

“Jo, kjo nuk mjafton që ata të kthehen në takim dhe të mos lëvizin në zbatimin e marrëveshjeve”, ka thënë ai.

Madje Cliff pret që pas takimit të së hënës në Bruksel të ketë edhe një tjetër para datës 9 dhjetor.

Ai shpreson që marrëveshja rreth bashkëpunimit rajonal të arrihet pak më vonë.

“Ne shpresojmë se do të ketë progres, do të ishte mirë që të hënën të arrihet një marrëveshje për shembull rreth bashkëpunimit rajonal. Po nuk jam i sigurt se do të ketë një marrëveshje dhe mendoj se duhet të kemi edhe një takim në procesin e dialogut para 9 dhjetorit”, ka thënë ai.

Barrikadat dhe bllokadat që i kanë bërë serbët në Veri tash e sa javë, Cliff thotë se do të merren parasysh po ashtu kur të vendoset për Serbinë.

“Sigurisht se do të jetë, nuk e di krejtësisht se si do të rrjedhë kjo, por natyrisht se kjo ndërlidhet me praninë e Kosovës në porta (pikat doganore në Veri), pra duhet të ketë doganë të Kosovës në pikat (në Veri) siç parashihet më Rezolutën 1244 dhe rregulloret e UNMIK’ut. Kosova është njësi e veçantë doganore dhe Serbia e njeh si të tillë. Ju keni doganierë në kufij, kështu që kjo nuk do duhej të ishte çështje...” ka thënë Cliff.

“...Por nëse do të kemi një marrëveshje për menaxhimin e integruar të kufijve, apo se si do të reagojnë njerëzit në barrikada, nuk e di. Por natyrisht ne presim që Serbia të bëjë diçka, t’i inkurajojë ata që të ndryshojnë qasjen e tyre”, ka shtuar ai.

Ambasadori Cliff ka bërë edhe një sqarim edhe rreth deklaratave të ambasadorit britanik në Beograd, të cilën mediat serbe e kanë cituar duke përmendur “Ahtisaari Plus” për Veriun.

“Këto vërtet janë gjepura. Mediat e kanë keqkuptuar këtë. Ai asnjëherë nuk ka folur për ‘Ahtisaari Plus’ ai më ka siguruar dhe unë e kam shikuar se çfarë ka thënë ai.

Ky ka qenë lajm kryesor në Beograd, plotësisht i shtrembëruar nga ajo çfarë ka thënë ai”, ka sqaruar Cliff.

Ambasadori britanik ka komentuar edhe rreth konferencës “Germia Hill”, duke thënë se është me rëndësi që të mos harrohet Kosova.

“Është shumë e nevojshme që ngjarje si kjo të ndodhin për t’i rikujtuar njerëzit se Kosova ende është një punë e pakryer në Ballkanin Perëndimor, sepse me krizën e Eurozonës me Afganistanin dhe me shumë çështje të tjera që janë shumë lart në agjendë, është shumë e lehtë që ministrat e jashtëm në vendet e mëdha ta humbin vëmendjen ndaj Kosovës, dhe kjo është fatkeqe, sepse mendoj se duhet të bëhet ende shumë në Kosovë”, ka thënë Cliff.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›