E Shtunë, 31 Tetor 2026

E diela e se vertetes per Europen

Për Europën është ora e së vërtetës. Pas shumë debateve, pavendosmërive dhe rimendimeve, një periudhe të gjatë të krizës ekonomike, fjala tashmë u kalon qytetarëve europianë të katër vendeve të BE-së dhe një kandidate për aderim, për një kalim elektoral që do të shënojë ndryshimin vendimtar në debatet e ashpra për fuqizimin dhe rritjen, mbi masat shtrënguese dhe zhvillimin. Pakënaqësia dhe mërzitja që qarkullon mes qytetarëve europianë në luftë me recesionin shkatërrues, rritja e papunësisë, mungesa e qartë e perspektivave të ardhshme do të bashkohen në një votë që mund të ndryshojë ekuilibrat europianë. Duke filluar nga Berlini e Parisi me Angela Merkel e cila pas mbështetjes që i ka dhënë Sarkozisë do t’i duhet t’i bëjë mirë llogaritë me Francois Hollande i cili është shprehur se kërkon të rishikojë traktatin mbi paktin fiskal të frymëzuar nga Gjermania. E ardhmja e gati 500 milionë qytetarëve europianë mund të varet pjesërisht nga ecuria e zgjedhjeve të së dielës; presidencialet në Francë, legjislativet në Greqi, zgjedhjet e dyfishta në Serbi legjislative e presidenciale, zgjedhjet e para  në landin gjerman të Shlesëig-Holstein si dhe zgjedhjet administartive në Itali. Kjo xhiro zgjedhjesh të Europës vjen ndërkohë që fryhen debatet mbi fuqizimin dhe rritjen ekonomike, me një ndërgjegjësim të përbashkët se përkrah masave shtrënguese duhet të jetë në mënyrë të pashmangshme një politikë e re e zhvillimit. Polemikat tashmë zhvendosen mbi recetat që mund të jepen; reforma trukturore dhe më shumë konkurrueshmëri për bizneset me një rol më të madh të Bankës Europiane për Investime apo më shumë veprim nga shteti, me objektivat e Eurobondit në sfond e kështu me radhë. 
 Por kjo Europë zënkash dhe vazhdimisht në buzë të një krize nervash nga e hëna duhet t’i bëjë mirë llogaritë me atë cka do të vendosin qyetarët. Është një votë që shkon në drejtimin neto të një ndryshimi, të paktën sipas sondazheve; një president të ri francez që kërkon më shumë rritje për Europën, dy partitë historike greke Demokracia e re dhe Pasok në krizë të votës dhe identitetit, të detyruar të përballen më një koalicion të paparë të qeverisë, një rritje e dukshme e partive antieuropiane dhe një fragmentim të votave, një president serb në ikje që pasi solli Beogradin drejt rrugës europiane gjendet disi lart në sondazhet për presidencialet por poshtë atyre legjislative. Gjermania, e  akuzuar  për një politikë ekonomike nga shumë miopi, egoiste dhe pa vizion do të nisë të dielën votimet e para në lande, ku 18 milionë zgjedhës, në të mirë apo në të keq, do të japin sinjalin vendimtar për të ardhmen e koalicionit të qeverisë së Angela Merkel. Në Itali zgjedhjet administartive nuk vënë në lojë të ardhmen e qeverisë por votat e rreth 800 komunave  shkojnë përtej zgjedhjeve të komunarëve. Këto vota kushtëzojnë klimën në të cilën qeveria Monti duhet të cojë përpara procesin e reformave.  
Gjithsesi prej disa kohësh po zgjerohet idea se politikat shtrënguese në eurozonë rrezikojnë të cojnë  në një shpërbërje të monedhës euro. Prej shumë kohësh nobelisti për ekonominë Krugman ka shprehur kritika të forta ndaj politikave rigoriste. Në këtë logjikë presidencialet në Francë nuk paraqesin një zhvillin në Europë në drejtimin e krizës. Analistët bankarë thonë se vëmendja më e madhe duhet të jetë në zgjedhjet legjislative të qershorit me një sistem aleancash ende për tu përcaktuar. Kandidati Hollande ka bërë një fushatë  me një mesazh të fortë se kërkon rinegocim të paktit fiskal për të favorizuar masat e rritjes. Nga ana tjetër kriza e euros largoi nga qeveria Berluskonin dhe atë grek Papandreu, përmbysi mazhorancën në Spanjë dhe detyroi rënien e qeverisë holandeze, ndërkohë që një ditë më parë vota administrative në Britaninë e Madhe  konfirmoi humbjen e një konsensusi të konservatorëve. Nikolas Sarkozy rrezikon të jetë një tjetër lider viktimë e krizës së borxheve në Europë.
Eurozona po përballet me një stuhi politike shkruan britanikja “The indipendent”, me miliona qytetarë që do të shkojnë në zgjedhje me mundësinë për tu shprehur mbi politikat shtrënguese të cilat e shtyn Europën në recesion.
E diela elektorale në Europë mund të ndryshojë rrugën e saj. Të dielën kriza voton. 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›