E Shtunë, 31 Tetor 2026

E djathta, Ramës: Dëgjo ndërkombëtarët, lejo opozitën në Kuvend

E djathta dënon thirrjet për marrje pushteti me dhunë të kryesocialistit Edi Rama dhe i bën atij të qartë se do të mbrojë institucionet e shtetit në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën e vendit. Zv.kryeministri i vendit dhe ministër i Jashtëm, Ilir Meta, i kërkoi dje kreut të PS-së, Edi Rama, të heqë dorë nga kërkesa për hapjen e kutive dhe të kthehet në Kuvend. Sipas z. Meta, deklaratat për përmbysjen e pushtetit me dhunë janë alarmuese, ndaj duhet kuptuar degradimi i politikës së partisë më të madhe të opozitës.

Mazhoranca qeverisëse i bën apel kryesocialistit Edi Rama që të distancohet nga thirrjet ekstremiste dhe deklarata alarmuese për marrje pushteti përmes rrugës, në vend që të lejojë kthimin e opozitës në Parlament. Zv.kryeministri i vendit njëherazi ministër i Jashtëm dhe kryetari i LSI-së, Ilir Meta, i kërkoi dje kreut të PS-së, Edi Rama, të heqë dorë nga kërkesa për hapjen e kutive dhe të kthehet në Kuvend. Ai kritikoi deklaratën më të fundit të kryesocialistit Edi Rama se në rastet e deformimit të demokracisë, populli vendos korrigjimin me anë të protestave, duke paralelizuar situatën aktuale me atë të viteve ‘90, ku u rrëzua një qeveri dhe një regjim. Sipas z. Meta, deklaratat për përmbysjen e pushtetit me dhunë janë alaruese, ndaj duhet kuptuar degradimi i politikës së partisë më të madhe të opozitës. "Rama duhet të dëgjojë mirë ndërkombëtarët, por edhe eksponentët brenda PS-së", - theksoi z. Meta pas përurimit te ambasadës sllovake në vendin tonë. Sipas Metës, Rama po kërkon të rikthehen vitet ’90, kur u rrëzua qeveria nëpërmjet demonstratave. “Deklarata e z. Rama për përmbysjen e pushtetit me dhunë dhe përmbysjen e kutive bashkë me qeverinë, janë vërtet alarmante për të kuptuar degradimin e politikës së partisë më të madhe të opozitës. Në një moment kur të gjithë shqiptarët presin dhe kërkojnë bashkëpunim për të shpejtuar ditën e liberalizimit të vizave. Kur u kërkohet nga të gjithë shqiptarët, por edhe nga partnerët tanë evropianë e ndërkombëtarë që të përfshihen në procesin e përgjigjeve për pyetësorin e KE-së dhe procesit të përgatitjes së Shqipërisë, bëjnë thirrje për t’u kthyer në vitet ‘90 për të rrëzuar qeverinë nëpërmjet demonstratave dhe përmes rrugës”, - deklaroi z. Ilir Meta. Zv.kryeministri vuri në dukje më tej se mazhoranca është treguar e hapur për t’i dhënë shumicën në një komision hetimor për zgjedhjet siç kërkon PS-ja.

Paloka: Dhëmbët e Ramës s’kafshojnë dot demokracinë

Deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka, kundërshtoi dje deklaratat e kryesocialistit Edi Rama për rrëzimin e pushtetit me protesta. Paloka i vuri në dukje kreut të PS-së se dhëmbët e Ramës, sado të rinj që të jenë, nuk mund të kafshojnë demokracinë shqiptare. Në emër të PD-së, deputeti Paloka i bëri thirrje Ramës që të ulet në tryezë dhe të ndjekë rrugën demokratike. “Nuk e di nga i ka lindur kjo forcë Ramës. Ndoshta e ka nga dhëmbët e rinj që ka vënë. Ai duhet ta dijë që as forca, as trimëria nuk vijnë nga dhëmbët, sepse ashtu të gjithë lepujt me dhëmbë luani do të ktheheshin në mbretër. Dhëmbët e Ramës, sado të rinj që të jenë, nuk mund të kafshojnë demokracinë shqiptare. Edhe një herë i bëj thirrje të mbledhë mendjen, të ulet në tryezë dhe të ndjekë rrugën demokratike, sepse nuk ka as forcën, as mundësinë të kafshojë apo të shkelë demokracinë shqiptare”, - tha z. Paloka.

Pollo, thirrje Ramës: Jepi fund bojkotit

Ministri i Shtetit, Genc Pollo, i bëri thirrje opozitës së drejtuar nga Edi Rama që të rikthejë deputetët e saj në Parlament për t’i dhënë fund kështu bojkotit rreth pesëmujor që lidhet me kontestimin e pjesshëm të zgjedhjeve. Deklaratën, z. Pollo e bëri gjatë një fjalimi që mbajti në përkujtimin e 90-vjetorit të Kongresit të Lushnjës, i pranishëm në aktivitetet që u bënë në këtë qytet, me rastin e përvjetorit jubilar. “Nëse evokojmë Kongresin e Lushnjës, është rasti që të gjithë ata që janë përfaqësues të këtij populli, të bëjnë gjithçka për këtë vend dhe të bëjnë pjesë në një Kuvend, - deklaroi z.Pollo dhe shtoi, - në një Kuvend të Republikës së Shqipërisë, sepse ashtu si edhe 90 vjet më parë, edhe delegatët që erdhën, edhe ata që për shkak të rrethanave erdhën më vonë, u bashkuan drejt vendimeve historike të vitit 1920”. “Një gjë e tillë duhet të frymëzojë të tërë që të shkojnë të flasin, të debatojnë dhe të votojnë në Kuvendin e Republikës 90 vjet më vonë”, - tha Pollo, duke ftuar kështu opozitën të lërë bojkotin.

PD: Do të mbrojmë institucionet

Demokratët janë të gatshëm të hetojnë zgjedhjet e 28 qershorit sipas kërkesës së KE-së, por pa shkelur mbi vendimet e gjykatës. PD-ja, përmes zëdhënëses Erla Mëhilli, vlerësoi kërkesën e rezolutës së KE-së për hyrjen e opozitës në Parlament dhe se është e gatshme për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për zgjedhjet. Ajo vuri në dukje: “Një projektrezolutë e Këshillit të Evropës, e botuar më datë 17 dhjetor, e cila i kërkon në mënyrën më të prerë opozitës të hyjë në Parlament dhe qeverisë të krijojë komision hetimor parlamentar, po përdoret nga Edvin Kristaq Rama dhe pinjollët e Bllokut si një argument për doktrinën e tyre të revolucionit permanent të mosnjohjes së Kushtetutës, Parlamentit dhe institucioneve të vendit”. Mëhilli shtoi: “Duke e keqinterpretuar rezolutën, e cila denoncon bojkotin në çdo paragraf të saj dhe kërkon njohjen dhe respektimin e institucioneve, Edvin Kristaq Rama dhe suita e bllokmenëve të rinj bazuar në doktrinën e revolucionit permanent, shpallën se fajin nuk e ka bojkoti, por e kanë institucionet, të cilat duhet t’i binden vullnetit të Ramës dhe siç deklaroi ai mbrëmë në monologun e tij, qoftë edhe me dhunë”. Zëdhënësja e PD-së përmendi: “Nëse Rama, ftesat e përsëritura për dialog për komision hetimor parlamentar për të hetuar zgjedhjet i merr si një provë dobësie dhe si një mundësi për të lëshuar kërcënime bajate njëra mbas tjetrës, na duhet t’i rikujtojmë se rendi kushtetues dhe shteti ligjor janë sot më të fortë se kurrë në historinë e tyre. Në rast se këto kërcënime Rama i ka lëshuar për të detyruar deputetet e tij që të humbasin mandatet, duke mos bërë betimin e duke munguar 6 muaj, kjo është çështja e tyre e brendshme. PD është duke mirëpritur që deputetët socialistë të zënë vendet e tyre në Parlament”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›