Bode: Liria ekonomike, Shqipëria lë pas edhe vende anëtare të BE-së
Liria ekonomike në Shqipëri ka bërë progres dhe vendi ynë ka një kapërcim me 9 vende të renditjen botërore për sa i përket këtij treguesi. Madje, në raportin e vitit 2010 që bëhet për vitin 2009, vihet re se vendi ynë ka lënë pas edhe vende anëtare të BE-së. Ministri i Financave, Ridvan Bode, në një konferencë shtypi, dha vlerësimin e lidhur me indeksin e lirisë ekonomike për vitin 2010. Fondacioni i kongresit amerikan “Heritage” dhe gazeta e madhe amerikane “Wall Street Journal”, publikuan indeksin e lirive ekonomike 2010 për 183 vende të botës të cilat vlerësohen nga këto dy agjenci në këto tregues. Ministri Bode tha dje se vlerësimi i ekonomive të vendeve të ndryshme nga pikëpamja e lirive ekonomike përbën një tregues tepër të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendeve dhe sidomos për nxitjen e pjesëmarrjes së investimeve direkte në këto ekonomi, qoftë të huaja apo vendase. “Raporti i vitit 2010 që mbulon vitin 2009, konfirmon edhe një herë progresin e mëtejshëm të Shqipërisë në çështjet e lirive ekonomike. Pas përmirësimeve të dukshme që u deklaruan vitin e kaluar dhe që mbulonin vitin 2008, indeksi i ri konfirmon një rritje prej 2.3 pikë % të Shqipërisë ose një kapërcim me 9 vende në renditjen botërore”, - theksoi ministri Bode. Ai tregoi me grafikët përkatës progresin që ka bërë Shqipëria nga viti ‘95, kur ka filluar vlerësimi i saj nga këto institucione dhe deri më sot dhe shihet qartë një rritje dinamike në dy vitet e fundit, që dëshmon rezultatin e reformave të ndërmarra nga qeveria. “Shqipëria renditet e 53-a midis 183 vendeve të botës me një notë prej 66% nga 100 pikë të mundshme, duke lënë mbrapa një pjesë të mirë të vendeve të rajonit dhe vende të Evropës Perëndimore, si Kroacia, Bullgaria, Polonia, Mali i Zi, Turqia, Rumania, Sllovenia, Greqia, Maqedonia”, - tha Bode. Ai nënvizoi se edhe sa i përket ritmit të përmirësimit nga viti i shkuar Shqipëria paraqet një ecuri të kënaqshme krahasuar me vendet e rajonit. Bode theksoi në fjalën e tij se ky përmirësim i treguesve të lirive ekonomike të vendit i jep një besueshmëri më të madhe mjedisit ekonomik në Shqipëri dhe krijon kushte dhe mundësi për një zhvillim më të shpejtë ekonomik të vendit. Sipas Bodes, Shqipëria renditet e 25-a midis vendeve të rajonit, duke lënë mbrapa një pjesë të vendeve që janë anëtare të BE-së dhe njëkohësisht krahasuar me vendet e Evropës Qendrore dhe të Ballkanit Perëndimor renditet e para për nga niveli i lirisë ekonomike dhe duke lënë mbrapa vendet e tjera si Greqinë, Turqinë, Slloveninë dhe Rumaninë, Kroacinë etj. I rëndësishëm është fakti që prej tri vitesh (2007 - 2009) liritë ekonomike në Shqipëri janë mbi mesataren e lirive ekonomike botërore.
Edhe për këtë vit, Shqipëria ka vazhduar të qëndrojë mbi mesataren e botës, madje ka thelluar akoma më tej diferencën kundrejt kësaj mesatareje. Përmirësimi për këtë vit i indeksit të përgjithshëm të lirisë ekonomike krahasuar me një vit më parë i atribuohet kryesisht përmirësimit në katër komponentë të indeksit, nga 10 të tillë. Ata janë: liria në tregti, liria në të drejtat e pronës, liria nga korrupsioni si dhe liria e punës. “Megjithatë, duhet theksuar që edhe pse ka pasur një ecuri mjaft të mirë në këta katër komponentë, tre prej tyre sërish mbeten nga më problematikët krahasuar me 10 liritë ekonomike që përbëjnë indeksin e përgjithshëm, por krahasuar gjithashtu edhe me mesataren e botës për këto komponentë. Liria nga korrupsioni, liria për të drejtat e pronës dhe ajo e punës, me gjithë përmirësimin e dukshëm dhe të vazhdueshëm të tyre sërish mbeten poshtë mesatares së botës”, - tha ministri Bode. Vendi ynë vazhdon të vlerësohet për lirinë fiskale, e cila renditet në krye nga të 10 liritë e indeksit me 92.6 pikë nga 100 të mundshme dhe sipas këtij komponenti Shqipëria renditet ndër vendet e para nga 179 vendet e vlerësuara për këtë vit (saktësisht renditet në vendin e 14-të në botë për nga liria fiskale) e ndjekur më pas nga liria për tregti (85.8 pikë. Ky komponent ka pasur dhe kapërcimin më të madh krahasuar me një vit më parë që shënonte 75.8 pikë), më pas vjen liria monetare (78.7 pikë), liria për të Investuar dhe liria financiare (me nga 70 pikë) dhe liria e biznesit (68 pikë).