E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Me Ramën, marrëveshje, por pa përmbysur Kushtetutën

Kryeministri Sali Berisha është i gatshëm për një marrëveshje politike me opozitën dhe kryetarin e PS-së, Edi Rama, për zgjidhjen e ngërçit politik në vend, por, sipas tij, pa përmbysur Kushtetutën. Kreu i qeverisë, gjatë një interviste dhënë mbrëmë për gazetarin Çlirim Peka në emision “Fakt”, analizoi situatën e fundit politike, zgjidhjen që duhet të vijë përmes ligjeve të vendit, ndërsa u ndal gjatë në bojkotin e opozitës, duke ngulmuar sërish në thirrjet për rikthimin e PS-së në Kuvend. Z. Berisha u ndal tek politikat ekonomike të vendit dhe përparësitë e qeverisë përgjatë këtij viti, ndërsa nuk anashkaloi përmbytjet në zonën veriperëndimore të vendit me garancinë se qeveria do t’i dëmshpërblejë të gjithë banorët e dëmtuar nga katastrofa natyrore. Po ashtu, Kryeministri siguron shqiptarët se në korrik të këtij viti do të lëvizin të lirë, pa viza, drejt vendeve të BE-së.
Z. Berisha, raporti i KE-së bën thirrje të herëpashershme për dialog politik, pika e parë, kthimi i opozitës në Parlament, por dialog politik dhe hetim të zgjedhjeve. Kryetari i opozitës ka deklaruar pas këtij raporti, dialog politik menjëherë, por hapni kutitë...
Komenti im është ky. Kemi të bëjmë me një draft, por e marrim kështu siç është dhe themi se kjo është një rezolutë. E theksova këtë, sepse ky është një draft që nuk është dhënë për diskutim këtu, megjithatë nuk ka asnjë të keqe pse diskutohet. Dialog çdo ditë dhe çdo orë, ku të dojë dhe kur të dojë z. Rama, në kuadër institucional. Unë nuk përjashtoj as komunikimin qoftë zyrtar, qoftë jozyrtar, nuk mund të jetë në mënyrë absolute pengesë as gjykimi im apo vlerësimi im ndaj tij në zhvillimin e dialogut. Unë e kam faktuar. Së dyti, mendoj se kërkesa për komision hetimor parlamentar është një kërkesë e shprehur në mënyrën më të përsëritur nga unë personalisht. Së treti, kërkesa që opozita të jetë në Parlament është thënë me qindra, në mos me mijëra herë, gjatë këtyre muajve. Këto janë kërkesa shumë legjitime. Problemi është se në qoftë se ky është testi, në qoftë se zoti Rama është dakord me rezolutën, projektrezolutën çështja është e zgjidhur menjëherë. Që nesër ne krijojmë komisionin parlamentar, që nesër ne i japim shumicën zotit Rama, siç e kërkon, gjë që e kam shprehur, që nesër ne përcaktojmë objektin e hetimit, pa kufizuar asgjë tjetër, përveç asaj që nuk mundet kush kurrë ta kërkojë ose ta mbështesë rinumërimin e votave.

Sipas opozitës ose sipas një pjese të mirë të mediave pranë z. Rama, ky draft apo projektrezolutë lë të kuptojë qartë se kutitë mund të hapen?
Absolutisht jo, nuk ka njeri në botë që mund ta bëjë. Këshilli i Evropës është bazuar mbi një nga parimet bazë të themelimit të tij në fund të viteve ‘40, kanë qenë zgjedhje të lira, këto janë zgjedhjet e lira... Këto, nuk ka personalitet, përveç ndonjë marksist-leninisti ose ndonjë trockist që janë gjithnjë e më të skajuar, që mund të pranojnë që një vendim gjykate të mund të rivlerësohet. Këtë nuk ka institucion demokratik që mund ta imagjinojë që një vendim gjykate të rivlerësohet politikisht. Kjo është e pashpresë. Në qoftë se ka një gjë unike sot, në mbarë komunitetin ndërkombëtar, në të majtë dhe të djathtë, është vetëm kjo. Të tjerat, pastaj. Ky është testi për z. Rama. Nëse z. Rama kërkesën për rinumërim votash e ka për të mos u futur në Parlament e di mirë që kjo nuk plotësohet. Por, meqenëse nuk do të futet në Parlament, thotë që unë dua hapjen e kutive, sepse është njëlloj si të thuash dua rinumërimin e votave, është identike, njëlloj sikur thua unë nuk hyj në Parlament. Kushtetuta ka pika në nenin e mbarimit të mandateve, a) kur nuk bën betimin, b) kur jep dorëheqjen. Të dyja njëlloj, por e para të jep mundësi që të mos shkruash dorëheqje, të lë mundësi që dakord të mos japësh dorëheqjen me shkrim për të bërë scoop mediatik, për të bërë lajm mediatik, nuk e bën betimin dhe ikën. Në këto jemi në rrethanë identike. Po the sot rinumërim votash, thua nuk hyj në Parlament. Automatikisht për çdo njeri, përveçse ata, që i përmbahen doktrinës marksiste-leniniste apo trockizmit, për të cilët institucionet demokratike janë për t’u rrënuar, ndaj institucioneve demokratike ka një qëndrim armiqësor apriori për shkak të doktrinës, unë nuk mund të paragjykoj.
Cliët janë trockistët apo marksist-leninistët?
Dihet se në doktrinën e revolucionit permanent është e njohur që t’u biem institucioneve të borgjezisë, vota nuk ka rëndësi, vullneti nuk ka rëndësi, rëndësi ka proletariati, pra, ajo është një skemë e tejkaluar tërësisht.

Revolucionar permanent në Shqipëri ka qenë dhe është Spartak Ngjela. E keni pasur disa vite afër. Si ka mundësi që paskëshit pasur një trockist kaq afër?
Njeriu që ka marrë rolin e Dushanit, ta vazhdojë atë. Ti po më pyet për atë që ishte, tani është kthyer në Dushan Mugosha i Partisë Socialiste. Ajo parti ka nevojë për Dushan, ajo parti s’jeton dot pa të. Kaq mund të them për të.
Megjithatë, ju u shprehët se jeni i gatshëm të takohemi me kryetarin e opozitës?

Absolutisht i gatshëm.
Për të negociuar apo për ta takuar?
Besoj për të pirë kafe nuk ka kuptim. Mua nuk më ndikon asnjë gjë në parimet që unë kam. Unë jam i hapur për dialog me cilindo. Natyrisht jo në rrugë. Me z. Rama kam bërë marrëveshje ndër më të mëdhatë të jetës sime, për Kushtetutën, sistemin zgjedhor dhe një seri marrëveshjesh të tjera. Unë kundërshtarin as nuk e zgjedh, as nuk e paragjykoj. Në vetë natyrën time as nuk merrem me përshkrimin e tij. Jo, ai është ai që është, detyra ime është të ruaj parimet.
Kryetari i partisë kundërshtare më shumë se njeri politik është mediatik, pra, apolitik, por kjo ndoshta ju jep luksin të jeni pothuajse i vetëm në pushtet, megjithatë keni 64 deputetë, mandate të opozitës përballë, gati gjysmën. Në çfarë forme këto mandate do të hyjnë në Parlamentin e Shqipërisë?
Unë dua t’u deklaroj të 64 deputetëve të PS-së dhe 4 milionë shqiptarëve se secili prej tyre është i lutur dhe shumë i mirëpritur të zërë vend në Parlament. Ky është qëndrimi i Sali Berishës ndaj tyre. Në mënyrën më të prerë, është jashtë çdo lloj koncepti se të ikë ky dhe të vijë ai në Partinë Socialiste apo në çdo parti tjetër politike, por edhe një herë, në rast se kërkesa për rinumërim votash, vota të numëruara në mënyrën më transparente në historinë e planetit, - a e dini që kur bashkëbiseduesve të mi të të gjitha niveleve unë u shpjegoj se çdo votë u filmua, u shfaq në ekran, u transmetua në kohë reale në KQZ, absolutisht del jashtë çdo lloj imagjinate, më thonë e mahnitshme, s'është bërë kurrë kjo. Kjo bëri që votat jo vetëm janë numëruar, por janë certifikuar nga 22 mijë anëtarë dhe përfaqësues të PS-së, janë vlerësuar në KQZ, janë vlerësuar ankesat në gjykatë, janë vlerësuar të gjitha pretendimet nga ODIHR-i dhe OSBE-ja. Merr raportin e 2001-shit dhe ODIHR/OSBE-së: thotë se opozita solli fakte të atilla, të cilat na detyruan ne të ndryshojmë qëndrimin tonë në raport dhe kjo është shkruar e zezë mbi të bardhë. Pra, kur të gjitha këto instanca certifikojnë zgjedhjet, kjo është arsyeja që ka bërë që deri më sot askush dhe asnjeri të mos mbështesë kërkesën e rinumërimit dhe të mos mund ta mbështesë, sepse ti i kërkon Sali Berishës, i kërkon komunitetit ndërkombëtar, Parlamentit Evropian, Komisionit Evropian, OSBE-së, Këshillit të Evropës, atë që ata nuk mund ta japin kurrë. I kërkon vlerësimin e vendimit të gjykatave në rrugë politike, shkelmimin e Kushtetutës së vendit, të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, të ligjit të zgjedhjeve.

Ka një debat se marrëveshjet politike janë të nevojshme?
Kur vendi ka një ngërç, sigurisht që marrëveshjet janë të rëndësishme, por jo jashtë çdo limiti, të ulemi dhe të përmbysim Kushtetutën, të përmbysim kushtetutshmërinë. Kjo s'është marrëveshje. Kjo është hata për demokracinë. A mund të lexoni të gjitha vlerësimet që ka bërë OSBE/ODIHR për vendimet e Gjykatës Kushtetuese në vitin 2001? Janë bërë të gjitha të tjerat, por s'është bërë kurrë vlerësimi i këtij vendimi, sepse nuk mund të shkojë ndërmend, ka shkuar ndërmend çdo lloj varianti, por ky variant nuk shkon ndërmend, sepse kjo është t’i bësh gjëmën sistemit tënd demokratik.

Nuk mund t’i jepni opozitës komisione që kanë të bëjnë me cenimin e rezultateve, pasi ajo është një borxh që nuk e keni prekur. Keni fituar zgjedhjet, nuk keni pse të bëni lëshime në raport me rezultatin e zgjedhjeve. Megjithatë, ka një rezultat të ngushtë. Shqipëria është vend pluralist, ç’i kushton kësaj mazhorance t’i lërë zgjedhjen e Presidentit opozitës?

Absolutisht, sepse është minorancë. Absolutisht, sepse kjo do të thotë të shndërrosh mazhorancën në minorancë dhe në momentin që ndodh kjo dhe flasim për institucionin kryesor të shtetit, do të thotë të përmbysësh parimin themelor ku mazhoranca qeveris, pakica bën opozitën. Këtu shkel parimin më elementar të demokracisë.

Në vitin 2012, Presidenti do të jetë sërish i mazhorancës?

Pa diskutim, jashtë çdo lloj diskutimi. Ka një Kushtetutë dhe z. Rama votoi për këtë Kushtetutë. Unë isha për President të zgjedhur nga populli, ndërsa z. Rama ma imponoi në mënyrë ultimative që jo. Absolutisht, i kam thënë në mënyrën më të përsëritur që unë jam që Presidenti të zgjidhet nga populli dhe unë nuk isha i gabuar në këtë pikëpamje. Një praktikë kjo që ekziston në rajon. Në republikën parlamentare perëndimore ç’është e vërteta nuk është. Z. Rama ishte kundërshtar kategorik i saj.

Presidenti aktual është President i mazhorancës?
Besoj se po flas për z. Rama. Presidenti aktual është kryetari i shtetit.
Jeni shprehur se në 5 mars, opozita, në rast se nuk është në Parlament, ka zëvendësim të mandateve, por me ligj zëvendësimi i mandateve bëhet nga KQZ-ja, me shumicë të theksuar votash?

Absolutisht jo. Ky zëvendësim mandatesh nuk përcaktohet në mënyrë absolute nga shumica, s'ka lidhje me shumicën. Nuk përcaktohet kategorikisht nga KQZ-ja. Në këtë vend dhe në çdo vend të lirë nuk ka gjë më të mbrojtur se mandati. A e dini që mandati është më i mbrojtur se Presidenti i Republikës, ka një mbrojtje të jashtëzakonshme si kusht për demokracinë dhe askurrkush nuk mund të cenojë mandatin. Në rastin konkret, kemi të bëjmë me një vendim të deputetëve socialistë për të mos ushtruar, sipas përcaktimeve kushtetuese të vendit, detyrën e tyre. Të dy klauzolat e Kushtetutës që imponohen në datën 4 mars, janë që të dyja vullnet vetëm i deputetit dhe askujt tjetër, as i shumicës, as i gjykatës, as i KQZ-së, as i Parlamentit.
Por zëvendësimi certifikohet nga KQZ-ja?
Sepse ka një listë në KQZ. Ajo është një gjë shumë normale. Deri para këtij sistemi, në rast se ju kujtohet, kur iku Ismail Lleshi, ndonëse atëherë ndryshoi sistemi, por para këtij sistemi, po të ikte një deputet, bëhej zgjedhje. Në këtë sistem, u detyruan që të paraqiten 140 kandidatë dhe çdo parti të paraqesë numrin e deputetëve që mund të prodhojë qarku, zona elektorale, rajoni dhe të gjithë ata, të cilët janë në listë, janë deputetë potencialë. Në rast se nuk ushtrojnë detyrën 1, 2, 30, 50 prej deputetëve, ata janë kandidatë potencialë. Nuk është se po i merr nga rruga ata. Ata i kanë prurë partitë, janë një përzgjedhje. Ju them se këta që janë futur në Parlament nga partia ime, janë të shkëlqyer, por absolutisht, mendoj se nuk janë futur në Parlament të tjerë të shkëlqyer dhe shumë të mirë. Kjo është çështje e sistemit.

Por duhet një vendim i KQZ-së dhe ky kërkon votim?
Absolutisht kërkon votim të thjeshtë fare, se ata janë të certifikuar. Këta zotërinj nuk pranojnë të bëjnë betimin. Nëse ata vendosin të vijnë në datën 4 të bëjnë betimin dhe po marr si variant se nuk rrinë në sallë, i përjashton dot pa kaluar 6 muaj? Absolutisht jo.
Ndërhyrja e drejtuesit. Më duket se do ta bëjnë.
Nuk e di, po e marr si shembull. Pra, ne nuk kemi asnjë tendencë, ata përjashtojnë veten. Nëse përjashtojnë veten, nuk ke ç’t’i bësh. Kushtetua çfarë thotë: a) deputeti humbet mandatin kur nuk bënë betimin, b) kur jep dorëheqjen.

Cila është e ardhmja e Parlamentit, nëse ata vijnë, bëjnë betimin dhe nuk vijnë më?

Këtu nuk është mazhoranca që mund të vendosë. Vendimet i merr në sovranitet të plotë PS-ja, udhëheqja e saj, deputetët e saj. Çfarë qëndrimi do mbajnë ata unë nuk e di. Di një gjë dhe për këtë jam shumë i vendosur. Në mënyrë absolute, në një vend anëtar të NATO-s, në një vend që po punon intensivisht për anëtar të BE-së, nuk do të mundet kush të viktimizojë Kushtetutën, se pastaj kthehemi në një kohë nga e cila jemi fatlumë se u larguam. A mundem unë të viktimizoj Kushtetutën pse ky apo ai deputet nuk pranon të bëjë betimin? Jo, zotëri. Kjo është zgjidhje e tij. Është një gjë që unë s’e bëj kurrë ta imponoj, po të jetë në partinë time u them të përjashtoj dhe kaq, por tek një parti tjetër s’u them dot asgjë. Ka këtu një gjë, ndonëse mendimi i ekspertëve është unanim. Zëra, të cilët kanë, absolutisht, interesa strikte jo të ndershme; mbajnë teorinë e revolucionit permanent. Çfarë do të thotë t’i deklarosh tjetrit se unë rezultatin e njoh, por në Parlament nuk hyj?

Kush e ka deklaruar?
Z. Rama ka deklaruar vetë, sipas z. Lelouche. Këtu kemi të bëjmë me një doktrinë krejt tjetër dhe ata që e mbështesin ata në mënyrë të qëllimshme apo të paqëllimshme, mbështesin doktrinën marksiste-leniniste, të cilët u faktuan që qenë një falimentim i plotë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›