E Shtunë, 31 Tetor 2026

E djathta, bllok në konflikt

Në ditën e katërt të konfliktit shtet-Akademi Filmi, shoqërohen në komisariat dhe lirohen Kujtim Çashku dhe katër të rinj. Nga qeveria nuk vjen asnjë shenjë për bisedime


Gjendja konfliktuale në kufirin që ndan Akademinë e Filmit Marubi me pjesën tjetër të ish- Kinostudios është në pritje të një zgjidhjeje pa dhunë. Dje, në ditën e katërt, ngjarjet patën një kulm: rektori i universitetit, regjisori Kujtim Çashku, dhe katër persona të tjerë, studentë dhe pjesë e Stafit të Akademisë, janë tërhequr me dhunë dhe çuar në Komisariatin e Policisë Nr. 4 ku janë mbajtur për gjashtë orë.


Ka reaguar edhe Avokati i Popullit i cili ka shprehur mospajtimin me aktet e policisë ndaj studentëve dhe pedagogëve të shkollës "Marubi". Sipas deklaratës së Avokatit "organet e policisë, para se t'i jepnin mbështetjen në terren subjektit juridik "Alba Film".

Sh.a, duhet të kishin studiuar me kujdes dokumentacionin e paraqitur prej këtij subjekti". Ndërkohë, ky institucion po heton veprimet e punonjësve të policisë pas kërkesës së bërë nga regjisori Çashku, se forca policie shkuan në ambientet e Akademisë dhe ushtruan dhunë fizike mbi te dhe studentët.

Avokati i Popullit kujton një nga nenet e ligjit "Për Arsimin e Lartë në RSH", sipas të cilit "shteti garanton paprekshmërinë e institucioneve të arsimit të lartë dhe ndërhyrja e organeve të policisë në mjediset e tyre bëhet vetëm me kërkesë dhe leje të titullarit të institucionit të arsimit të lartë.


Vetëm në rastet e kryerjes së një krimi flagrant apo të një fatkeqësie natyre, policia ka të drejtë që të ndërhyjë edhe pa lejen e titullarit. Cenimi i këtyre institucioneve ndëshkohet sipas dispozitave ligjore në fuqi".

Por Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë dha dje versionin e saj. Sipas një deklarate të sajën për shtyp, policia, bazuar në kërkesën e Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sporteve të datës 23 shkurt si dhe në kërkesën e Albafilm Studios të datës 21 shkurt thjesht "ka mbështetur punonjësit e Albafilmit për lirimin e një sipërfaqeje trualli tokë prej 2924 m2 në pronësi Alba Film SHA-së, sipërfaqe e cila është zënë forcërisht dhe pa asnjë tagër ligjor nga subjekti Ora film me përfaqësues shtetasin Kujtim Çashku.


Me Vendim të Këshillit të Ministrave nr.74 datë 04.02.2005 Shoqërisë Ora film i është dhënë me qera pa shpërblim një objekt me sipërfaqe 200 m2 që ndodhet në godinën e Repartit të Zërit, ndërkohë që kjo shoqëri ka uzurpuar oborre, rrugë dhe lulishte me sipërfaqe 2.924 m2, të cilat me Vendim të Këshillit të Ministrave nr.1445 datë 29.10.2008 i janë dhënë me qira televizionit Top Channel."



Pa ndryshuar asnjë gërmë kjo është fjalë për fjalë gjuha e drunjtë që përdori dje ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango në konferencën për shtyp. Qeveri, ministri, deputetë të së djathtës, polici janë vendosur en block dhe sipas këtyre dokumenteve përballë të cilave kujtojmë edhe një argument jo pa rëndësi të rektorit të Marubit:

kemi kërkuar në mënyrë të vazhdueshme qeverisë legjitimitetin e plotë të hapësirës KU NUK NA U NDALUA TË BËNIM INVESTIMET TONA. Ne nuk kemi kërkuar kurrë të drejta pronësie mbi pronën publike, por kërkuam thjesht administrimin dhe ruajtjen e saj në mënyrë që askush të mos i ndërronte destinacionin si të godinës, ashtu dhe të sipërfaqes funksionale të saj. I kërkuam qeverisë një shtesë VKM-je mbi VKM-në ekzistuese, sepse sipas Ligjit për Arsimin e Lartë, në 200m2 është e pamundur të zbatohet programi akademik. Nga viti 2004 deri më sot kemi pritur një zgjidhje të arsyeshme të qeverisë Berisha."

Përgjigja e fundit ishte ajo e djeshmja kur Kujtim Çashku, Eol Çashku, Sabir Kanaqi (personel i Marubit, nënshtetas i Malit të Zi), Bashkim Rodoni (student), Royald Elezaj (ish-student), janë tërhequr për në komisariat.

Në deklaratën e policisë flitet për të kundërtën: "Rreth orës 09.30, në momentin që drejtuesit dhe punëtorët e e Albafilm sh.a. kanë filluar zbatimin e Vendimit të Këshillit të Ministrave janë kundërshtuar, fyer e goditur nga shtetasit Kujtim Çashku, Eol Çashku, Bashkim Radani, Sahit Kanaci dhe Royjal Elezaj" dhe nisur nga sa më sipër, bazuar në Ligjin "Për Policinë e Shtetit" policia ka ndërhyrë "me qëllim parandalimin e përkeqësimit të mëtejshëm të situatës dhe shmangien e pasojave të mundshme, duke bërë dhe shoqërimin në ambientet e Komisariatit të Policisë nr. 4 të shtetasve të mësipërm."
Jo vetëm kaq por ndaj personave në fjalë është bërë kallëzim nga drejtori i Albafilm Studios, Fatmir Musaj, nga juristi Eqerem Kokolari dhe nga një punonjës i institucionit, "për veprat penale pushtim toke, fyerje për shkak të detyrës dhe goditje për shkak të detyrës".

Pasi katër të rinjtë u kthyen atje ku u morën së bashku me rektorin Kujtim Çashku, ky u bëri thirrje gjithë qytetarëve, intelektualëve, artistëve dhe studentëve, të vijnë të mbjellin pemë dhe lule në kopshtin e rrethuar me gardh teli.

Në mjediset e "Marubit" gjatë gjithë ditës së djeshme studentët, edhe pse të paktë në numër kanë protestuar brenda hapësirës që tashmë "është marrë" nga pronarja e tokës AlbaFilm Studio.

Në oborrin e rrethuar me rrjetë teli, ata janë mbledhur në shoqërinë e himneve të muzikës botërore, e leximeve që i shkojnë situatës, apo edhe duke mbjellë fidanë për të nënkuptuar që jo vetëm nuk pajtohen me gjuhën që po përdoret ndaj tyre, po edhe për t'u dhënë (pa dashje) një shembull të gjithë atyre që këto ditë duhet të ishin tek "Marubi", qytetarë apo kineastë.


Ky konflikt ripohon atë që gjithnjë është thënë për komunitetin e artistëve në Shqipëri dhe të kineastëve në veçanti: një komunitet me egoizëm dhe i copëtuar nga klane që qëndrojnë larg çështjeve kur nuk u piqen interesat personale. Jo më kot është komunitetit me më shumë shoqata, pesë.

Duke u mbyllur dita e katërt me një tension të madh për çfarë ndodhi dhe në pritje me ankth se çfarë do të ndodhë, nga Akademia e Filmit dhe Multimedias vinte ky përshkrim i gjendjes pasdite:

Në lulishte, ende qëndron ekrani i madh i bardhë, për të pritur edicionin e 4-t të Festivalit të Filmit të të Drejtave të Njeriut në Shqipëri, në prill, së bashku me tre postera të mëdhenj të edicioneve të kaluara, të ngjitura mbi blloqe betoni dhe hekuri.


Pranë qëndron një vinç i madh i parkuar menjëherë jashtë ambienteve të Marubit. Druajmë se ata do të presin për errësirën dhe të ftohtin e mbrëmjes, kur të ketë më pak njerëz atje...

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›