Pjesë nga debati në komisionin e Ligjeve
Peçi:
"Pika e tretë që përcakton se gjobat në pikën ç duhet të ekzekutohen nga ministri, duhet parë, pasi nuk është e drejtë".
Teliti:
"Problemi është se, ne, kemi pasur raste kur, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, ka ushtruar funksionin e vet të kontrollit, ka bërë propozimin për largimin e një personi që është kapur me shkelje dhe kryetari nuk e zbaton. Atëherë është vendosur një masë gjobe dhe, normalisht, drejtori nuk mund t'i vendosë gjobë një njeriu të zgjedhur. Prandaj, kemi menduar që do të ishte një zgjidhje që, ministri, si një autoritet më i lartë dhe përfaqësues i qeverisë, ta ketë këtë shans".
Klosi:
"Nuk mund t'i vërë dot gjobë ministri Kryetarit të Bashkisë. Ai është person i zgjedhur dhe s'mund të ketë kompetencë ministri t'i vërë gjobë kryetarit"
Rusmali:
"Ministri nuk mund të ekzekutojë gjobat tuaja si drejtori, nuk shkon, nuk ka logjikë".
Teliti:
"Po kush ia vendos, duhet t'ua vendosim ne kryetarëve të bashkive dhe komunave"
Rusmali:
"Ju mund t'i vendosni gjobë kryetarit dhe ju keni instrumente ligjorë për të ekzekutuar gjobën që i vini kryetarit, pra, me instrumentet që parashikon ligji për kundërvajtjet administrative. Por, ju nuk mund të bëni përmbarues ministrin. Ekzekutimi i gjobës mund të bëhet duke mos dhënë shërbime"
Dervishi:
"Unë them se duhet hequr fare edhe pika b, pasi nuk zgjidhet me gjobitjen e titullarit të qeverisjes vendore. Nuk mund të vendoset nën presionin e gjobave një i zgjedhur vendor. Në mënyrë absolute jo".