E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdec, PS-ja protestë në njëvjetorin e tragjedisë

Nën moton, "Mos harro", PS-ja proteston më datën 15 mars në Gërdec dhe në Tiranë, pa LSI-në

TIRANË- Mos Harro! Kjo do të jetë motoja e manifestit që Partia Socialiste do të organizojë më 15 mars, si një homazh, por edhe protestë, për tragjedinë e Gërdecit, ku humbën jetën 26 njerëz të pafajshëm dhe u plagosën mbi 300 të tjerë.

Në mungesë të drejtësisë për këtë ngjarje dhe të marrjes së përgjegjësisë morale të qeverisë për atë që ndodhi më 15 mars në Gërdec, socialistët kanë vendosur që të protestojnë si mënyra më e mirë për të ndërgjegjësuar jo vetëm institucionet përgjegjëse të hetimit, por edhe të vetë qytetarëve, për të mos harruar atë që ndodhi vetëm pak kilometra larg kryeqytetit.

"Më 15 mars, bashkimi i ri qytetar do të manifestojë në Gërdec dhe në Tiranë me moton: Mos Harro! Përvjetori i parë i masakrës shtetërore të Gërdecit, do të jetë dita e kujtesës dhe e protestës qytetare kundër korrupsionit", - tha gjatë një komunikimi të posaçme me mediat zëdhënësja e kryesisë së PS-së, Mimi Kodheli.

Manifestimi është parashikuar që të mos jetë politik, por një reagim qytetar. Për këtë arsye, selia rozë ka ftuar edhe qytetarët e Tiranës dhe jo vetëm, që t'i bashkohen kësaj proteste që nuk do të ketë flamuj politikë.

"Kjo nismë e koalicionit tonë, është e hapur për çdo qytetar përtej së majtës dhe së djathtës dhe nuk do të ketë ngjyrat e partive, por ato të flamurit kombëtar e të flamurit evropian.

Kjo është një thirrje që u drejtohet gjithë shqiptareve dhe shqiptarëve, pa dallim bindjesh politike, të cilët, më 15 mars duhet të bashkohen, për të treguar se qytetarët nuk harrojnë", - u shpreh Kodheli, por pa bërë të ditur asnjë detaj më shumë sesi është konceptuar të realizohet në praktikë.

Burime pranë PS-së kanë bërë të ditur se gjatë kësaj dite do të zhvillohen fillimisht homazhe dhe vizita në familjet që humbën të afërmit e tyre në këtë tragjedi, ndërsa gjatë pasdites pritet të zhvillohet një protestë në Tiranë.

Ndërkohë, për të siguruar një pjesëmarrje sa më të madhe, PS-ja do të nisë shumë shpejt dhe transmetimin në mediat vizive të një spoti sensibilizues. Por, ndërsa ka ftuar qytetarët, PS-ja ka përjashtuar LSI-në nga pjesëmarrja në këtë aktivitet.


E pyetur nga mediat nëse do të ishte LSI-ja pjesë e këtij reagimi qytetar, Kodheli u përgjigj se, "nuk kemi pse e ftojmë LSI-në, pasi nuk është pjesë e opozitës ndaj Berishës, po paterica e tij".


Ndërkohë, i menjëhershëm ka qenë reagimi i LSI-së, e cila për inat të PS-së ka premtuar se më 15 mars do të organizojë protesta jo vetëm në Tiranë, por në gjithë Shqipërinë.

"LSI së bashku me koalicionin e saj të madh dhe real opozitar, si përfaqësuesit e vetëm e të vërtetë të së majtës shqiptare të drejtuar nga Ilir Meta, do të organizojë më datën 15 mars në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë, protesta masive kundër Qeverisë Berisha", - tha nënkryetarja e LSI-së, Erisa Xhixho.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›