E djathta italiane kundër emigrantëve

Në ditën e parë, pasi ka marrë postin e kreut të ri të qeverisë, Silvio Berluskoni ka bërë publike fushatën e ashpër që do të ndërmarrë ndaj emigrantëve të jashtëligjshëm. “Ata janë ushtria e djallit”, tha 71-vjeçari, i cili fitoi zgjedhjet e përgjithshme në Itali. Berluskoni i cili tashmë ka nisur mandatin e tretë si kryeministër i Italisë, tha se do të nxisë Policinë Kufitare, e cila mund të jetë një “ushtri e së mirës duke e vënë veten mes popullit italian dhe ushtrisë së djallit” (emigrantët e jashtëligjshëm.) “Froni im do të jetë i papërshtatshëm. Por siç iu them edhe miqve të mi, kam qenë i pandalshëm deri më tani dhe do të vazhdoj të jem”, - vazhdoi Kavalieri. Ai premtoi se do të dëbojë çdo emigrant që nuk ka punë ose shtëpi dhe detyrohet t’i drejtohet krimit për të jetuar. Natyrisht që komentet e tij duhet të kenë kënaqur aleatët e tij “post-fashist” dhe veçanërisht Ligën e Veriut, e cila deklaroi 4 vjet më parë se emigrantët duhen vrarë në varkat e tyre. Gjatë mandatit të tij të fundit, qeveria e Berluskonit hartoi ligje të ashpra kundër emigracionit, të cilët u shfuqizuan nga qeveria jetëshkurtër e Romano Prodit. Ish-kryebashkiaku i Romës, Valter Veltroni, i cili humbi këto zgjedhje përballë Berluskonit, tha se është i shokuar nga futja e menjëhershme e kryeministrit në polemika. “Jam tronditur keq nga deklaratat e tij të deritanishme, fjalë të cilat nuk përbëjnë një fillim të mbarë”, - tha ai. Por e menjëhershme ishte dhe reagimi i manjantit mediatik. “Ndjehem shumë ndryshe nga Berluskoni i vitit 2001. E di sesi funksionojnë këto gjëra dhe mund të punoj menjëherë për të mirën e vendit”, - tha kryeministri. Berluskoni premtoi se do të krijojë qeverinë e re brenda një javE dhe menjëherë do të fokusohet tek emergjenca e mbeturinave në Napoli, ndërsa ka ndërmend të bëjë realitet ndarjen e Italisë në dy pjesë: veriun industrial nga jugun.